Një 61-vjeçar që prej vitesh jetonte i vetmuar ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë, nga një zjarr i cili përfshiu banesën e tij, për shkak të një qiriu që ai kishte lënë ndezur.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së enjtes në lagjen Kalluç, të Bashkisë Poliçan, ku një zjarr i rënë në banesën e viktimës K.Z, 61 vjeç, i kushtoi atij jetën, pasi nuk mundi që të dilte jashtë saj.

Menjëherë pas raportimit të ngjarjes nga ana e komshinjve të 61-vjeçarit në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer të gjitha veprimet hetimore, ku ka rezultuar se, viktima K.Z jetonte prej kohësh i vetëm në banesë.

Ekspertët saktësojnë se, shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e mbytjes nga tymi, asfiksi dhe më pas ka ndodhur edhe djegia e trupit.

Zjarri në banesën e 61-vjeçarit ka rënë si pasojë e veprimeve të pakujdesshme të vetë të dëmtuarit, i cili ka qënë përdorues alkoli dhe mund të ketë lënë të ndëzur ndonjë qiri.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)