Dila Zef Ndoja, pushkatim në
krishtlindjet e '46, drama e familjes

Dila Zef Ndoja, pushkatim në<br />krishtlindjet e '46, drama e familjes
Dila, është një grua e shkurtër, topolake, me fytyrë të bardhë, gjithashtu dhe flokët. Rrudhat e thella në fytyrë tregojnë vuajtjet e saja që në rini dhe tashti vuan nga shumë sëmundje.

Po si ka qenë jeta e saj?

Ajo tregon: -Kam lindur në fshatin Xhuxhe të Mirditës, në familjen e Zef Ndrecës, në vitin 1925. Ishim një familje me gjëndje të mirë ekonomike. Me ardhjen e komunizmit në krahinën tonë shumë mirditorë ishin antkomunistë dhe iu kundërvuen rregjimit të ri, me rezistencë.

Në këtë rezistencë mua më pushkatuan babain Zef Mark Ndreca me 26. 12. 1946 (në krishtlindjet e atij vit), në vitin 1950 më vranë vëllain Ndue Zef Ndreca 17 vjeç me 13. 12. 1950. Prej familjes kam tre vete të pushkatuar. Në këtë periudhë vetëm vëllau Mark Zef arrit të largohej, duke kaluar kufirin shtetëror, me shumë vështirësi dhe mbas shumë peripecishë u vendos në Amerikë.

Vazhdon tregimin zonja Dila: Më kapën sigurimsat me ushqime, mbasi doja të takoja vëllain Ndue, që ishte një djalë i ri, që sot i quajnë minorenë.

Më mbajtën tre muaj në izolim në burgun e Kukësit, ku më kanë torturuar në mënyrë të veçantë me rrahje, mandej më dërguan në Shkodër (tek shtëpia e Dr. Preles që ishte bërë shtëpi-burg). Më kanë dënuar me izolim në birucë. Më dënuan pse takova vëllezërit. Më dënuan me 8 (tetë) vjet heqje lirie (Prokurori). Në këtë periudhë isha tre muajsh shtatzënë (burrin e kisha në burg) dhe femija i im, i provoi që në fillimin e krijimit të tij të gjitha torturat që provoi qënia e ime si: rrahjet në mënyrën shnjerëzore dhe izolimet në birucat e ftohta dhe plot lagështirë. Me 1 Janar 1952 linda djalin në burg dhe aty u bë 9 (nëntë) muajsh. Hilmi Saiti, drejtori i burgut më tha: - Të kemi dënuar ty dhe jo fëmijën. Kështu djalin m’a dërguan në Befotrofin e qytet të Shkodrës, ndërsa mua (tregon Dila) më transferuan në Tiranë, 2 (dy) vjet punova në rrobaqepsi, duke qepur rroba ofcerësh, kam endur qylyma, kam punuar pambuk, në fermë... Përfitova nga puna e fëmijës (më kapi amnista) dhe bana 3 (tre) vjet burg. Nuk kisha asnjë të drejtë civile. Kur dola nga burgu nuk kisha as shtëpi, as pare, isha e vetmueme. Erdha në Shkodër dhe më shoqëroi një bashkëvuajtëse nga Korça, që jetonte në këtë qytet, Ollga Progri, që ia kishin pushkatuar burrin dhe kishte dy fëmijë, djalë e vajzë. Më strehoi Ollga deri sa gjeta një dhomë për banim dhe punë në fermë. Kam punuar në punët më të rënda si në tulla, fermë..

Djalin e takova për herë të parë mbasi dola nga burgu dhe pasi kisha siguruar punë e dhomë. E rrita djalin me shumë dashuri e përkujdesje, mësonte mirë, mbaroi shkollën e mesme, u bë llamarinist, por fatkeqësisht ai i mbylli sytë përjetë në moshë të re dhe nipi im Lerjan Ndoja më do e më respekton shumë. Jetoj me shpresën që nipërit e mbesat e mia të jetojnë në liri e paqe, të mos provojnë ma kurrë luftën e klasave, që na ndoq gjithë jetën, që u quajtëm armiq e fëmijët i cilësuan “fëmijë tradhëtarësh”. Jetoj në Rr. Jorgji Karamitri, në një shtëpi ish pronarësh dhe deri më sot s’kam përfituar asgjë. Nuk dij a do të marr shpërblim për vuajtjen teme, burgun...??!!

Z. Dila vazhdon tregimin: -Nanën teme dhe te Markut që ishte Dila Zef Ndreca, me burrë të pushkatuem, po ashtu me djalin të vrarë 17 vjeç, e internuan për tre vjet në Tepelenë bashkë me femijët: Dava 10 vjeçe, Prenda 11 vjeçe dhe Nikolinin e vogël 5 vjeç. Por gruaja e vëllaut tim, Markut që u largua nga Shqipëria për në botën perëndimore, Liza Zefi pati një jetë shumë tragjike. E internuan bashkë me vajzën e saj të vogël Pashkën 3 vjeçe, provoi kampin e Tepelenës, një jetë plot vuajtje e mundim dhe kushtet e jetesës ishin mizerabël për të rriturit e jo ma për fëmijët e vegjël.

Në kampin e Tepelenës, nga mungesa e kushteve higjenike, ra epidemia e dizanterisë. Vdiqën shume foshnjë e femijë, ndërsa ketu vdiq dhe Pashka e vogël 3 vjeçare. Çfarë i kishte bërë kjo vajzë e vogël sistemit të ri komunist, e çfarë haraçi duhej të paguante kjo vocërrake bashkë me fëmijët e tjerë, bashkëvuajtës me të që mbetën në kampin e Tepelenës, në këtë kamp shfarosës! E varrosi nëna e re vajzën e saj të vogël, të vetme, bashkë me të edhe shpresën, mbet e shkretë, e panjeri, shpirt i saj u vra, vajtoi zemra e saj gjithë jetën... Ja zhvarrosën fëmijën, me urdhër të komandës së interrnimit dhe në zhvarrosjen e tretë ja hodhën trupin e vocrrakes në kanalet e zeza. Vajza e vogël, vetëm 3 vjeçare, iu mohua dhe e drejta e një varri, as në nëntokën shqiptare nuk pat të drejtën e një pëllëmbe tokë. Vazhdoi gruaja e re jetën me interrnim për 15 (pesëmbëdhjetë) vjetë, provoi të gjitha kampet e punës, punë vetëm angari e pa shpërblim.

U plak e vetmuar, vetëm pas vitit 1992 u takua me bashkëshortin e saj, i cili vdiq me 1995. Çfarë jete mund të quhet ajo e Dila Zefit ?? Përse ajo duhej të vuante dhe të torturohej gjithë jetën?? Çfarë mjerimi, dhe kjo ka ndodhur kur në vëndin tonë trumbetohej me të madhe për liritë dhe të drejtat e gruas në atdheun socialist!! Të dhemb dora e jo më zemra kur tregon e shkruan histori të tilla, që mos u përsëritshin më jo vetëm në Shqipëri, por në asnjë vend tjetër të botës. “Kurrë më!”
Histori shkëputur nga libri “Dhimbje II”

dila
Dila Zefi

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar