Dilema për administratën publike

Dilema për administratën publike
TIRANE- Të korruptuar, të paaftë, të njëanshëm: për nëpunësit e administratës publike në vendin tonë këto kanë qenë dhe janë vlerësimet më të përhapura në opinion. Sa vjen e më shumë janë thelluar konsiderata të tilla, kur janë parë njerëz me uniforma që endeshin nëpër qendra votimi duke u bërë presion votuesve, kur kamiona të ushtrisë hidhnin zhavor në fshatrat ku kandidonte ministri i Mbrojtjes, kur ligjet hartoheshin në nivel “plepash” aq sa edhe ideatori i tyre nuk i kishte të qarta, kur mjekë e mësues këshillojnë të sëmurë apo nxënës që të shkojnë në klinika private apo konsulenca private, kur gjithshka shpejtohet në rast se nga xhepi dalin ato, të shkretat para, që “hedhin ujin përpjetë”.

Berisha, që e ka kuptuar qysh në 1992-shin se nuk do të mbante dot pushtet në një shtet ligjor, ku zbatohet ligji pikë për pikë, është politikani që i ka vënë kazmën me ndërgjegje të dukshme rolit të nëpunësit civil, të dy herët që ka patur pushtetin shtetëror. Me t’u rikthyer në qeveri, gjëja e parë që bëri ishte spastrimi i administratës publike nga mijëra nëpunës, për të cilët shteti shqiptar apo të huajt kishin harxhuar miliona euro për t’i specializuar, duke i zëvendësuar me një tufë besnikësh, që ishin besnikë të tij pikërisht se në asnjë vend të botës demokratike nuk do t’i merrte njeri me punë në shtet, për shkak të CV-ve të tyre të përlyera, diplomave false dhe lidhjeve të dyshimta me krimin. Kjo solli edhe një faturë të caktuar, të majme, financiare që shqiptarët e tjerë do të duhej të paguanin, pasi gjyqet u jepnin të drejtë atyre që i kishin larguar nga puna, duke caktuar dëmshpërblime nga një vit deri në dy vjet rrogë. Faturë, që iu shtua atyre të papaguara për bizneset që kishin kryer punë në infrastrukturë, apo TVSH-së së parimbursuar.

Një nga arsyet që shqiptarët i dhanë masivisht votën kundër Berishës ishte edhe figura e shtrembëruar e nëpunësit civil të Republikës së Shqipërisë, mishëruar deri edhe nga ministra që shkëlqenin me injorancën dhe arrogancën e tyre feudalo-klanore apo makjavelizmin prej intelektualo-zvarranikësh. Shqiptarët optuan për fshirjen e kësaj figure, në favor të një nëpunësi civil të qytetëruar, të aftë, të shkolluar dhe, në rradhë të parë, shërbëtor të atij që, me taksat e tij, i paguan rrogën mujore. Kjo kategori është aktualisht kaq në minorancë në administratën shqiptare, sa kokrrat e veçanta të saj meritojnë t’i heqin fare nga administrata e t’i vendosin në ndonjë muzeum, si specje të rralla.

Në këto kushte, çfarë duhet bërë me pjesën tjetër, që rrezaton gjithshka tjetër, veç dëshirës për të qenë në shërbim të komunitetit? Po zgjidhi këtë “nyje gordiane”, krahas mbushjes së arkës së shtetit, lemerisht të boshatisur nga paraardhësi plangprishës, Edi Rama meriton një monument. Kjo, pasi, në rast se do të optojë në favor të shtetit ligjor, Rama kryeministër në rradhë të parë duhet të zbatojë ligjet në fuqi. Dhe, ligjet për nëpunësin civil ekzistojnë, madje janë shumë të mira. Po, këto ligje nuk lejojnë atë, që bëri Sali Berisha, fshirjen masive të nëpunësve që gjeti në shtet, të stigmatizuar si “falanga të kundërshtarit”.

Këtu nuk flitet për ata që kanë diploma false, që kanë shkelur statusin e diplomatit, policit, ushtarakut, që mund të lëvizen për shkelje të ligjit. Fjala është për pjesën tjetër, që nuk ka bërë shkelje flagrante, por ka vegjetuar për vite me rradhë në administratë, jo për të kryer punën, por për të zbatuar vullnetet e shefave, për të marrë atë pagë, plus benefiteve të paligjshme, e kaq. Çfarë do të bëhet me atë pjesë të administratës, që e ka të pamundur të ndryshojë stilin dhe konceptin e punës, që nuk mund t’u shërbejë reformave, tepër të koklavitura për mendjen e saj?

Në rast se Rama dhe të tijtë do të duan të bëjnë reformë, me këta njerëz kjo nuk bëhet. Por, është e pamundur që mes tyre të mos ketë edhe njerëz që mund të përshtaten dhe ata janë aset i shëiptarëve. Një thënie e vjetër këshillon që duhet bërë kujdes të mos hidhet fëmija bashkë me ujin e papastër, me të cilin ai është larë.

Sidoqoftë, reforma fillon nga njerëzit dhe të aftët në këtë vend, që deri tani e kanë ndjerë veten të mënjanuar nga klanorët, nuk mungojnë dhe për ata mund të ketë hapësira për përfshirjen në shpurën e shërbëtorëve të komunitetit. Ndërkohë, një pjesë e mirë e ekipit të politizuar e të korruptuar, shërbëtor të një partie e të një lideri në administratë, ka nisur që tani të kërkojë vende të tjera, qoftë edhë prapa diellit. Koha kërkon tani që ndaj administratës të veprohet me shumë kthjelltësi dhe pa u nxituar, por njëkohësisht me vendosmëri. Gjithshka që shqiptarët, që votuan për Rilindjen, presin nga drejtuesit e rinj të Ekzekutivit.    

Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print) 02.08.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë