Banorët e Divjakës janë ngritur për të 11-ën ditë në protestë, kundër propozimit të PS për hartën e re territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 46. Projekti parashikon edhe shkrirjen e bashkisë Divjakë më atë të Lushnjës.

Ashtu si të gjithë netët e tjera, paralel me mbajtjen e protestës vazhdon të firmoset peticioni që do t'i dërgohet institucioneve të shtetit shqiptar kundër shkrirjes së bashkisë.

Ndërkohë banorët pretendojnë se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tyre për mos ‘shuarjen’ e bashkisë Divjakë. Ata thonë se në rast se bashkia Divjakë do të shkrihet, do e kenë shumë të vështirë që të marrin shërbimet në bashkinë e Lushnjës.

Po ashtu, protestuesit argumentojnë në fjalimet e tyre se Divjaka i ka të gjitha resurset natyrore e njerëzore dhe më së shumti ekonomike, jo vetëm në fushën e bujqësisë, por edhe në turizëm e agroturizëm. Ndër të tjera protestuesit kërkojnë nga deputetët përfaqësues të tyre që t'i mbështesin.

“Popull me disiplinë të fortë. I them zonjës, ‘o zonjë mos prek gjë me dorë, se Divjakën e ka kurdisur natyra, Zoti’. Prandaj 2 llafe dua të them, zoti kryeministër, deputeti i zonës duhet të lidhet me këtë popull kaq të ndërgjegjshëm e punëtor. Këtu duhet të bashkohen e gjithë Divjaka, të majtë e të djathë, se bashkia është e të gjithëve. Edhe ta mbani këtë bashki. Nuk duhet ta hiqni Divjakën nga harta, sepse e gjithë bota i ka sytë këtu”, tha një protestues.

“Ne jemi të parët, ky na ka nxjerrë të fundit. Nuk është në të drejtën e tij të na shkrijë Rama ne”, tha një tjetër protestues.

Edhe nata e 11 e protestës është mbyllur me marshimin në rrugët e qytetit, duke kërkuar që Divjaka të mbetet bashki.