Tre të rinj që vepronin si grup kriminal për shitjen e kokainës në doza në Dimal kanë rënë në prangat e policisë së Beratit.
Dy prej tyre u është caktuar nga Gjykata e Beratit masa ‘arrest në burg’, ndërsa për një 17-vjeçar ‘arrest në shtëpi’.
Ndërkohë në kërkim janë shpallur edhe anëtarë të këtij grupi.
“Si rezultat i hetimit të ndjekur për disa muaj, me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë, me objektiv nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të disa shtetasve, të cilët, të organizuar si grup, shitnin doza të lëndës narkotike kokainë në Dimal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin “Dimali 3”.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Beratit, konkretisht:
“Arrest në burg” për shtetasit M. M., 22 vjeç, dhe A. B., 19 vjeç;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin E. M., 17 vjeç, të tre banues në Kuçovë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim 2 pjesëtarë të tjerë të këtij grupi, shtetasit K. A., 26 vjeç, dhe A. B., 22 vjeç, pasi ndaj tyre janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë periudhës hetimore janë siguruar prova se këta shtetas, të organizuar si grup, siguronin lëndë narkotike kokainë e ndanin në doza dhe më pas e shitnin në qytetin e Dimalit”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










