TIRANË- Shqiptarë nga 38 vende të botës u mblodhën në Tiranë në edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, ku u vlerësua roli kyç i tyre jo vetëm në rindërtimin e së ardhmes, por edhe në rrugën drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke e quajtur zgjatim të Shqipërisë në botë, kryeministri Edi Rama tha se diaspora sot nuk është më një histori ikjeje e largimi të dhimbshëm, por një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe një urë që rrit kontributin dhe vlerën e Shqipërisë në botë.
“Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, kujtesën, shpresën kokëfortë dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre kombëtare. Ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë. Sot, Diaspora shqiptare nuk është më një histori ikjeje, ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë”, tha Rama.
Shefi i qeverisë u ndal tek transformimi që ka pësuar Shqipëria ndër vite, jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në imazhin e saj në arenën ndërkombëtare. Nga një vend kur nuk dihej ku binte në hartë, sot Shqipëria, tha Rama, është një emër që flet në të gjitha gjuhët e botës. Kryeministri i tha se diasporës, se atdheu i tyre është kthyer në një kantier të madh transformimesh që u bën thirrje për investime dhe nuk kujtohet për ta vetëm për “indulgjencë monetare”.
“Diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendrën e saj. Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare. Ky vend është një kantier i madh transformimesh që e fton diasporën në pjesëmarrje; pjesëmarrje në investime, pjesëmarrje në inovacion dhe në jetën akademike, pjesëmarrje në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë”, vijoi kryeministri.
Partia Socialiste, tha Rama, e ka përmbushur zotimin për votën e diasporës, e cila u implementua për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
“Sot ju vini këtu, pasi e keni ushtruar atë të drejtë në zgjedhjet e vitit të shkuar, nga një e drejtë e kërkuar në një të drejtë të ushtruar.; nga një zë që kërkohej të dëgjohej në një zë që tanimë është pjesë e vendimmarrjes popullore për udhëheqjen e këtij vendi”, u shpreh Rama.
Sot Shqipëria nuk e ka më as vulën e “damkosjes” nga BE si atdheu i pandëshkueshmërisë. Rama tha se ishte vetë kjo forcë qeverisëse që besoi te një drejtësi e pavarur dhe i dorëzoi shpatën me vullnet të plotë.
"Sot pandëshueshmëria është një mit i të kaluarës në Shqipëri dhe sot Shqipëria është vendi ku askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur siç nuk ka qenë qysh në krye të herës nga 1912 deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam asaj shpatën që i takon vetëm duarve të saj për të bërë drejtësi të barabartë për të gjithë dhe pa kursyer askënd", vijoi kryeministri.
I bindur se shqiptarët e diasporës e dinë më mirë se kushdo se nuk ka rrugë pa sfida, Rama u bëri thirrje që të rilidhen jo vetëm emocionalisht, por edhe në mënyrë aktive me Shqipërinë, duke i ftuar të bëhen pjesë e projektit të madh kombëtar drejt integrimit europian. Ai theksoi se ky është një mision dhe një projekt i madh sa amaneti i të parëve, "që e kërkon Shqipërinë dhe kombin shqiptar patjetër në tryezën e Unionit".
“Një ftesë për të qenë pjesë e pikërisht një projekti të madh kombëtar, i cili është më i madh se çdo qeveri, është më i madh se çdo cikël politik është më i madh se çdo brez i vetëm sepse është i madh sa amaneti i gjithë atyre që nga Gjergj Kastrioti te Ismail Qemali e me radhë tek heronjtë, martirët, dëshmorët shqiptarë në të gjitha trojet ku shqiptarët jetuan, jetojnë, lindin fëmijë dhe projektojnë të ardhmen, një amanet që e kërkon Shqipërinë dhe kombin shqiptar patjetër në tryezën e përbashkët të asaj familjeje, ku më në fund ne po bëhemi gati të jemi pjesë e pa ndarë”, theksoi Rama.
Punimet e Samitit të Diasporës do të vijojë për dy ditë në Pallatin e Kongreseve me 18 panele të ndryshme.
Lajmi në përditësim....
Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të Samitit të 4-të të Diasporës Shqiptare në Tiranë, duke ndarë edhe një galeri fotosh nga aktiviteti i rëndësishëm për të gjithë shqiptarinë.
Në reagimin e tij, Ahmeti e cilëson këtë samit si një moment domethënës për shqiptarët. “Përmes rrënjëve lartësohemi” thotë ai, duke shtuar se forca buron nga identiteti, historia dhe lidhja e pandashme mes njëri-tjetrit.
Ai nënvizon se samiti shërben si një urë bashkimi për shqiptarët kudo që ndodhen, duke forcuar bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojave dhe angazhimin e përbashkët për zhvillimin e kombit dhe të ardhmen evropiane.
Në fotot e publikuara, Ahmeti shfaqet në takime të përzemërta me përfaqësues të Partisë Socialiste, përfshirë Taulant Ballën, Blendi Klosin dhe Valentina Leskaj, dhe në një përqafim të ngrohtë dhe vëllazëror me kryeministrin Edi Rama.
Postimi i plotë i Ali Ahmetit në Facebook
"Kënaqësi të marr pjesë në hapjen e punimeve të Samitit të 4-të të Diasporës Shqiptare në Tiranë - “Përmes rrënjëve lartësohemi”. Një moment që na kujton se forca jonë buron nga identiteti, historia dhe lidhja e pandashme me njëri-tjetrin. Ky samit shërben si urë bashkimi për shqiptarët kudo që ndodhen, duke forcuar bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojave dhe angazhimin e përbashkët për zhvillimin e kombit dhe të ardhmen evropiane"

Në fjalën e saj në Samitin e Diasporës në panelin dedikuar biznesit dhe inovacionit, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se investimet janë në rritje, ndërsa janë gjithnjë të mirëpritura ato që vijnë nga shqiptarët e diasporës. Ajo shprehu bindjen se në samitin e pestë rezultatet do të jenë më të mëdha.
“Investimet janë ato që kanë ardhur në rritje dhe kanë nxitur akoma më shumë investime dhe do të nxisin akoma më shumë zhvillim ekonomik. Investimet kanë gjithmonë vlerë nëse janë nga diaspora, nga shqiptarë që duan të ndajnë eksperiencën që kanë marrë jashtë. Jam e bindur që duke pasur një plan pune të dedikuar, në samitin e pestë do të kemi më shumë rezultate konkrete sesa kemi pasur në të kaluarën”, tha Ibrahimaj.
Ministrja theksoi edhe ambicien që sipërmarrjet shqiptare të ndërkombëtarizohen.
“Jo vetëm ne duam që të tërheqim kapital dhe njohuri nga diaspora, por duam edhe që sipërmarrjet shqiptare nëpërmjet lidhjeve që ne kemi në biznes në diasporë, të mund t’i ndihmojmë për t’i ndërkombëtarizuar. Sot shpresojmë të jetë një ditë e shënuar drejt zhvillimit të një marrëdhënieje më të fortë në këtë drejtim”, tha Ibrahimaj.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pjesë e panelit “Diaspora dhe demokracia përfaqësuese në hapësirën shqiptare: Nga vota te përfaqësimi institucional”, tha se duhet të krijojmë rrjetet tona të të zgjedhurve, por dhe të anëtarëve të grupeve të këshilltarëve të ardhur nga diaspora.
“Në këto zgjedhje të radhës amerikane, vetëm në shtetin e Michigan konkurrojnë për kongresin amerikan 3 shqiptarë në primaret e partive të tyre. Kjo është një arritje e madhe e jon duke shpresuar që do të kemi një kongresmen dhe pse më vonë dhe një senator.
Nga ky samit i 4, një prej gjërave që duhet ta mendojmë për samitin e 5-të, të krijojmë dhe rrjetet tona të të zgjedhurve, por dhe të anëtarëve të grupeve të këshilltarëve. Janë dy organizime që do të na bënin më mirë për të qenë më të sinkronizuar me njëri-tjetrin.
Mesazhi i këtyre samiteve është për tu bërë bashkë. Zgjedhjet e fundit ishin një fitore e madhe e demokracisë sonë që ishte e cunguar për 35 vite më radhë për sa kohë ata që janë motori i ekonomisë sonë, diaspora, nuk merrnin dot pjesë në zgjedhje”, tha Balla.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi në panelin “Diaspora dhe demokracia përfaqësuese në hapësirën shqiptare: Nga vota te përfaqësimi institucional”, tha se politikat e çdo shteti kanë dështuar nëse nuk arrijnë të frenojnë largimin e të rinjve drejt mërgimit.
“Dua të bëj dallimin me shpjegim të fjalës diasporë dhe mërgatë. Diasporë vjen nga greqishtja vjetër, kur zbërthen kuptimin e saj është farë e shpërndarë diku. Më pëlqen më shumë fjala mërgatë, kuptimin e ka të njëjtë dhe është shqip. Mërgatën e ndjejmë më të afërt.
Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët kanë jetuar në sisteme të ndryshme politike, arsyet që kanë sjellë te mërgimi kanë qenë të ndryshme. Pa kuptuar mirë arsyet, nuk mund të arrijë te konkluzioni sesi mund ta bëjmë rilidhjen e rikthimin. shpërngulja nga shteti shqiptar ka ndodhur pas 90 për arsye ekomomike. Në Kosovë ka një kombinim të faktorëve, por prevalon faktori politik ai i shpërnguljes së dhunshme. Të shqiptarët e Maqedonisë është kombinim i atyre ekonomik e politik. Synimi është njeriu, gjithë shteti, institucionet, proceset demokratike në një shtet zhvillohen, që ne të krijojmë kushte të dinjiteshme që njerëzit mund ti gëzojnë këto të mira. Kjo gjakderdhje demokratike që po ndodh vitet e fundit, duhet t’i gjejmë një zgjidhje, nëse vazhdojnë këto trendë, situata në vendet tona do të jetë alarmante. Një prej arsyeve pse të rinjtë po na ikin, është mungesa e shpresës.
Nëse të rinjtë vijojë të ikin jashtë, është indikator i dështimit të politikave tona. Nuk janë zgjedhjet indikatori më i mirë, mesazhi më i mirë që na vjen prej popullit, është a e kemi mundur t’i mbajmë të rinjtë të jetojnë në vendin e tyre”, tha Ahmet Gashi.
Në Samitin e Diasporës, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi tha se kthimi i diasporës në Shqipëri duhet të jetë narrativë kombëtare. Ai renditi disa detyra urgjente që duhet të kryhen nga të gjithë si mbështetja e integrimit në BE, njohja e plotë e Kosovës dhe forcimi i bashkëpunimit parlamentar, ekonomik e akademik.
“Sot është momenti historik për një klimë të re shpirtërore. Shqipëria mund, duhet dhe ia vlen të jetë jo vetëm jeta juaj e shkuar, por edhe e ardhme. Të mendojmë së bashku për të ndërtuar këtu mundësi pune, sipërmarrjeje dhe karriere për të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe në botë, që duan të jetojnë një jetë me mision. Shqipëria ka vend dhe mundësi për të gjithë shqiptarët. Kthimi i diasporës në Shqipëri duhet të jetë narrativa jonë kombëtare. Le ta fillojmë nga disa detyra imediate ku ka nevojë për të gjithë:
* të mbështesim intensivisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke përcjellë te bashkëqytetarët tuaj në vendet anëtare të BE të vërtetën tonë, vokacionin tonë historik perëndimor. Ata një ditë, jo larg nga sot, do të duhet të votojnë drejtpërdrejt apo përmes përfaqësuesve të tyre në parlamentet respektive për anëtarësimin e Shqipërisë në BE;
* të përsërisim në çdo takim, në çdo mjedis europian dhe botëror domosdoshmërinë e njohjes së plotë të Kosovës, anëtarësimit të saj në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe integrimit të saj në NATO e BE;
* të flasim pa u lodhur dhe me kokën lart për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës e Malin e Zi;
* të intensifikojmë bashkëpunimin parlamentar mes deputetëve shqiptarë në rajon;
* të unifikojmë botën akademike e të forcojmë lidhjet ndërmjet universiteteve shqiptare. T’i hapim universitetet tona për të përthithur kontributin e mijëra ekspertëve shqiptarë në diasporë. Vetëm në një program të Fondacionit Shqiptar-Amerikan për Zhvillim janë regjistruar 4000 PhD të gatshëm për të kontribuar;
* të forcojmë lidhjet ekonomike dhe të blejmë shqip”, tha Peleshi.
Gjatë fjalës në Samitin e Diasporës, Niko Peleshi tha se sot është e nevojshme që shqiptarët të gjejnë formulën për të ardhmen e kombit. Ai tha se lind nevoja për një meditim kombëtar, ndërsa për shqiptarët në diasporë, theksoi se Shqipëria për ta s’duhet të jetë veç kujtim, por burim ëndrrash.
“Ende nuk mund të themi se e kemi gjetur rrugën tonë, formulën tonë shqiptare për të ardhmen e sigurt e të qëndrueshme të kombit shqiptar. Formulën që duhet t’i mësohet çdo shqiptari sapo lind e kudo që lind, e që transmetohet kështu si një testament nga brez në brez. Bota po ndryshon me shpejtësi. Rreziqe të mëdha i kanosen kombeve, shteteve dhe vetë njerëzimit si pasojë e ndryshimit të ekuilibrave ndërkombëtarë që po prishen dhe revolucionit teknologjik që po transformon çdo aspekt të jetës. Si gjithmonë në histori, kohët e ndryshimeve janë edhe kohë mundësish. Ku e gjejmë veten ne shqiptarët kur e shohim botën dhe njerëzimin nga optika e këtyre zhvillimeve? A duhet të kemi një narrativë të përbashkët unifikuese dhe, nëse po, a mund të themi se e kemi gjetur? Një gjë është të mendosh dhe ndihmosh vendin tënd për nostalgji apo patriotizëm dhe një gjë tjetër është të mendosh si bashkëudhëtar i historisë së re të kombit. Pikërisht këtu mendoj se fillon nevoja për një meditim kombëtar. Shqiptarët në diasporë janë qytetarë të vendeve ku jetojnë. Ata janë pjesë e natyrshme e zhvillimeve dhe sfidave të këtyre vendeve. Por të gjithë kanë me vete një copë Shqipërie. Ajo Shqipëri herë i ka bërë krenarë, herë i ka mërzitur, por ka qenë e do të mbetet gjithmonë aty. Unë jam i bindur se kjo është gjëja më e bukur e çdo shqiptari në diasporë. Është një motiv që e mbush dhe e bën të realizohet sa herë që e prek. Është një burim i kujtimeve që, sa më shumë kalon koha, aq më të bukura bëhen. Çështja është si ta bëjmë atë pjesë Shqipërie jo vetëm një burim kujtimesh, por edhe një burim ëndrrash”, tha Peleshi.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se në Samitin e Diasporës se sot ajo shpreh modele vlerash dhe përfaqësi në komunitetet e vendeve ku jetojnë. Gjithashtu, Peleshi theksoi se diaspora nuk është vetëm burim ekonomik, por edhe vlerash.
“Shqiptarët në botë janë sot një shëmbëlltyrë suksesi. Ju nuk jeni më individët që ndihmuat familjet tuaja të mbijetonin, por një burim, faktor dhe partnerë të zhvillimit të vendit. Shqipëria renditet e 30-ta në botë, ndër 172 shtete, sa i përket peshës së remitancave në ekonomi. Por kontributi i diasporës për Shqipërinë nuk janë vetëm miliarda euro që hyjnë në vit si remitanca nga emigracioni, e që për nga kontributi në GDP konkurrojnë e plotësojnë investimet e huaja. Kontributi i diasporës është edhe kapitali njerëzor, profesional, arsimor, kulturor, social e i vlerave që shqiptarët jashtë vendit rrezatojnë dhe sjellin në atdhe, në rrugë e forma të ndryshme. Shqiptarët nuk janë më komunitete emigrantësh që kërkojnë mbështetje, por qytetarë aktivë e të votuar si përfaqësues në jetën parlamentare e qeverisëse, qendrore e lokale, në vendet pritëse. Qindra e mijëra shqiptarë të diasporës së vjetër e të re janë pjesë e elitave kulturore, shkencore, sportive, e madje edhe politike në Europë, Shtetet e Bashkuara, Kanada e në plot vende të tjera. Përfaqësues të tyre na nderojnë edhe në këtë samit. Është detyra jonë, e Kuvendit, e qeverisë, institucioneve, shoqërisë civile e botës akademike, të ndërtojmë sinergji më efikase e të gjejmë rrugë të reja që këtë pasuri ta trupëzojmë më mirë në politikat dhe programet tona të zhvillimit”, tha Peleshi.
Kryeministri Edi Rama në samitin e diasporës u ndal edhe te paragjykimet me të cilat përballeshin shqiptarët për emrin e vendit tonë. Por, sot Rama tha se imazhi i Shqipërisë ka ndryshuar, dhe nga një vend që nuk dihej se ku binte në hartë, në një vend që përmendet me kuriozitet dhe dëshirë. Shefi i qeverisë tha se kur e nisën rrugëtimin 13 vite më parë, e gjetën Shqipërinë me 2 mln turistë, ku edhe paaardhësi i tij (Sali Berisha), numëronte edhe veten si turist. Por, Rama tha se sot ky realitet ka ndryshuar, me 12 mln turistë që kanë vizituar vendin tonë dhe 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit. Për kryeministrin, Shqipëria nuk është më një vend që përballet me përbuzje dhe paragjykime, por një emër që flet vetë në të gjitha gjuhët e botës.
“Atëherë shumë prej jush ishit shqiptarë që shpesh duhet të përballeshit me paragjykime për emrin e vendit, sot jemi kryelartë kudo dhe kurdo emri i vendit tonë thirret në vëmendje sepse emri i Shqipërisë ka kaluar një transformim të thellë. Nga një sinonim i së keqes, Shqipëria është sinonim i detit, diellit, natyrës dhe mikpritjes së njerëzve. Nga një vend që përmendej me dyshim dhe përbuzje, Shqipëria sot është një vend që përmendet në rastin më të mirë me kuriozitet dhe në rastin edhe më të mirë me dëshirë. Nga një emër që shpesh duhej shpjeguar se ku binte në hartën e botës, sot Shqipëria është një emër që flet vetë në të gjitha gjuhët e botës.
Sot Shqipëria është shumë më ndryshe nga atëherë kur ne u mblodhëm në samitin e parë të diasporës. E nisëm rrugëtimin tonë me të ardhura për frymë më pak se 3 mijë euro në vit dhe sot jemi mbi 11 mijë euro në vit, synimi ynë është që në vitin 2030 të jemi mbi 15 mijë euro në vit.
E nisëm rrugëtimin tonë me 2 milionë e ca turistë, ku edhe paraardhësi im e numëronte veten si turist sa herë kthehej nga udhëtimet e punës dhe çdo shqiptar kur kthehej në shtëpi numërohej si turist. Në atë kohë Shqipëria kishte 300 milionë euro investime të huaja, sot Shqipëria ka 12 milionë turistë dhe kaloi 1.6 miliardë euro investime të huaja në vit.
Atëherë askush prej jush, kur dilnit nga kufijtë e Shqipërisë apo kur kërkonit një shërbim, nuk mund ta merrnit dot veçse duke pritur pushimet për t’u kthyer në shtëpi dhe në vend që të pushonit në të gjitha ditët, ta kalonit një ditë të tërë në radhë për të marrë një shërbim. Sot ju i merrni 95% të shërbimeve falë shtetësisë suaj dhe një klik në smartphone-in tuaj”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ftoi diasporën për tu bërë pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në familjen e madhe evropiane. Rama tha se sot Shqipëria nuk duhet të shihet si një vend që diaspora e la pas, por si një shtet evropian që ka nevojë për të gjithë. Anëtarësimi në BE, tha Rama, është amaneti i të parëve që kontribuuan në formimin e shtetit shqiptar.
"Në mbyllje dua të them se sot nuk dola këtu për të bërë një fjalim e për të dhënë një mesazh po për të bërë ftesën e përsëritur që të vijojmë të rilidhemi jo vetëm emocionalisht por në mënyrë aktive. Për ta parë Shqipërinë si një vend që po bëhet një shtet europian dhe ka nevojë për të gjithë. Një ftesë për të qenë pjesë e një projekti të madh kombëtar, që është më i madh se cdo qeveri, i madh sa amanti I gjithë atyre nga Gjergj Kastrioti te Ismail Qemali e me radhë, një amanet që e kërkon Shqipërinë dhe kombin shqiptar në tryezën e përbashkët të asaj familje ku më në fund ne po bëhemi gati të jemi pjesë e pandarë. Cka do të thotë në fund të fundit të jemi pjesë e pandarë e një familje popujsh si popuj dhe kombesh si komb sepse një popull dhe një komb nuk është qeveria e tij por është është bartësi i të gjithë amaneteve që e cojnë atë përpara në emër të së ardhmes, por edhe duke mos e harruar borxhin nda atyre që i dhanë të shkuarës atë kuptim për të cilin ne sot të gjithë ndjehemi krenar që themi jemi shqiptar. Rroftë Shqipëria, rroftë Kosova, rrofshin shqiptarët kudo ku janë”, tha Rama në mbyllje të fjalës së tij.
Kryeministri Edi Rama foli për rrugën e Shqipërisë drejt Be ndërsa ftoi të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për të investuar në vendin e tyre. Rama nuk la pa përmendur as Kosovën që e cilësoi si shteti tjetër i pavarur i shqiptarëve.
“Këtu qëndron ndryshimi më i madh: falë reformave transformuese dhe përpjekjeve integruese, kemi kaluar nga një Shqipëri që përpiqej të mbijetonte në një që përpiqet të përmirësohet; nga një vend që kërkonte të pranohej ndërkombëtarisht, në një Shqipëri që respektohet si kurrë më parë. Sot është një vend që ndryshon çdo ditë, ndonjëherë ngadalë e ndonjëherë më shpejt, por në mënyrë të padiskutueshme Shqipëria ecën vetëm përpara. Shqipëria 2030 nuk është objektiv politik, por zgjedhje qytetërimi. Një rrugëtim që shumë prej jush e kanë jetuar duke u integruar në shoqëri që përfaqësojnë vlerat që ne synojmë të rrënjosim këtu në shtëpi. Ju më mirë e dini që kjo rrugë nuk është pa sfida; çfarë ju keni hequr në kurriz është e paharrueshme dhe vlen për të kujtuar atë që Shqipëria ka hequr në kurriz deri në ditën kur të ulet në tryezën e përbashkët evropiane. Asnjë transformim i madh nuk mund të jetë pa hequr të tëra në kurriz. Do të ketë, pa diskutim, zhgënjime, momente kur duket sikur asgjë nuk ia vlen, edhe momente kur progresi mund të duket i ngadalësuar, por asnjë rrugë suksesi nuk ndërtohet përmes rehatisë, dhe kombet jo e jo nuk ndërtohen në momente rehatie, por në tensione mes asaj që ishte dhe asaj që duhet të jetë. E bukura është ajo që Shqipëria mund të jetë; nuk është më një ëndërr e largët, por një rrugë e dukshme dhe e prekshme.
Zgjodha të sjell një gjest, një akt, një vendim të qenies, që mua më duket se ka brenda, përveç konkretësisë, edhe simbolikë. Paketa e maleve për të gjithë ata që e kanë lënë tokën e tyre në mal për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë. Malet kanë qenë gjithmonë vendi ku shqiptarët janë tërhequr për t’u mbrojtur, për t’u fshehur nga ata që i kërkonin për t’i marrë rob e për t’i asimiluar, por sot ka ardhur dita kur malet mund të bëhen pjesë e burimeve të mirëqenies shqiptare. Kemi botën që vjen përmes vizitorëve të shumtë dhe eksploron edhe malet, dhe kemi shqiptarët e botës që tani e shohin që Shqipëria nuk është më e bukur vetëm për ta dhe për ata rrotull. I them shqiptarëve që kanë një tokë në mal e kodër që ta marrin në dorë paketën e maleve dhe ta kthejnë atë tokë, atë shtëpi, në burim mirëqenieje. Ajo që Shqipëria sot, që tërheq 12 milionë turistë në vit, është në gjendje të bëjë për ta, falë investimit të tyre dhe mbështetjes së qeverisë, është që nga ai burim i ri mirëqenieje ata do të fitojnë në fund të muajit më shumë sesa fitojnë duke punuar për të tjerët jashtë atdheut. Nga distanca në afërsi, nga kujtesa në angazhim, le të jemi të qartë: e ardhmja e Shqipërisë nuk shkruhet vetëm në Tiranë, Romë, Athinë, Londër, por në çdo vend ku shqiptarët jetojnë, punojnë dhe ëndërrojnë. E ardhmja shkruhet edhe kudo që shqiptarët jetojnë rreth e rrotull kufijve të Shqipërisë, duke filluar nga shteti tjetër i pavarur i shqiptarëve, Kosova, e duke vazhduar me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët s’duhet ta harrojë askush, janë një popull shtetformues i republikës mike, e duke vazhduar me shqiptarët në Malin e Zi e gjetkë”, tha Rama.
Në samitin e diasporës, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te rruga e Shqipërisë drejt BE-së. Rama tha se dikur Shqipëria ishte e damkosur nga BE si atdheu pandëshkueshmërisë, por duke theksuar se sot ky mit ka rënë. Rama tha se dot drejtësia është e pavarur dhe socialistët me vullnet të plotë i dorëzuan shpatën.
"Shqipëria ishte e damkosur nga BE si atdheu i pandëshkueshmërisë, ku ligji vepronte vetëm ndaj të dobëtve dhe ku çdo i fortë sundonte ligjin. Sot pandëshkueshmëria është mit i të kaluarës. Sot Shqipëria është vendi ku askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur, siç nuk ka qenë qysh në krye të herës nga 1912, deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam asaj shpatën që i takon vetëm duarve të saj për të bërë drejtësi të barabartë për të gjithë dhe pa kursyer askënd.
Atëherë Shqipërisë i mbyllej dera e negociatave për anëtarësim në BE, sot i kemi çelur të gjithë kapitujt e negociatave dhe e kemi bërë në një kohë rekord për vetëm 11 muaj. Njësoj si ju, kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapa të parë në rrugët e botës dhe kur askush nuk kishte kohë dhe respekt e besim, por ju këmbëngulnit dhe pasi shkonit në darkë dhe fshinit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes për të vazhduar, për të qenë gati për derën kur të hapej.
Edhe Shqipëria këmbënguli dhe ishte gati në momentin kur dera u hap dhe i hapi kapitujt më shpejt se çdo vend tjetër në rrugën e anëtarësimit para saj. Kur ju erdhët në samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg, sot e ardhmja është një tryezë ku jemi të ulur çdo ditë ne dhe KE me ambicien e përbashkët për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.
Sot nuk duket më një kumt dëshiror në ajër, por është një fjalë që zë vend si një fjalë e përditshme ajo që Ismail Qemali tha: Shqipëria do të bëhet. Në gojën e atit të pavdekshëm, ajo fjali nuk ishte përshkrim, por një besim që kaloi nëpër breza mes peripecish, dështimesh, ringritjesh, një besim që sot, si kurrë ndonjëherë, ka marrë trajtën konkrete të shtetbërjes europiane të Shqipërisë dhe të objektivit që tanimë nuk parashtrohet, por shihet, preket me sy më afër se kurrë, për të çuar Shqipërinë në tryezën europiane si të barabartë mes të barabartësh në 2030", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se sot emri i Shqipërisë thirret me nder pasi nga një sinonim i të keqes është kthyer në një sinonim i natyrës dhe mikpritjes së njerëzve.
“Është padyshim edhe mishërim i bindjes se diaspora nuk është në periferi të jetës kombëtare, por në qendrën e saj. Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare. Ky vend është kantier transformimesh që e fton diasporën në pjesëmarrje në investime, inovacion, jetën akademike, në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë. Si në çdo kantier, edhe në kantierin e Shqipërisë 2030 në BE ka pluhur, pisllëk, zhurmë, por mjafton të kthejmë kokën pas në kohën kur filluam të mendonim për samitin e parë, për të marrë kurajë, frymëzim dhe për të vijuar punën kolosale. Atëherë, ky ishte mbi të gjitha momenti i ritakimit në një vend plot shpresë e plagë të hapura; ishte një hap i parë për të thirrur fuqinë e diasporës dhe për t’u ndjerë më të fortë përballë tatëpjetës së thepisur që duhet të ngjisnim drejt majës, ku sot jemi më afër se kurrë.
Ai ishte fillimi i një bisede të ndërprerë të Shqipërisë dhe bijve të saj përtej detit dhe maleve. Sot jemi në fazën e ndërtimeve të saj, që ka qenë boshti i bisedimeve shekullore: lidhjen me atë anë të botës ku dielli lind andej nga perëndon. Në samitin e parë, kërkesa ishte e drejta e votës nga jashtë atdheut, dhe në të dytin e të tretin ishte një kërkesë themelore për të qenë jo vetëm pjesë emocionale, por edhe aktive e vendimmarrjes. Ju vini këtu pasi e keni ushtruar atë të drejtë. Nga një e drejtë e kërkuar, në një e drejtë e ushtruar. Atëherë, shumë prej jush ishit shqiptarë që shpesh duhet të përballeshit me paragjykime për emrin e vendit; sot jemi kryelartë kudo dhe kurdo që emri i vendit tonë thirret në vëmendje, sepse emri i Shqipërisë ka kaluar një transformim të thellë. Nga një sinonim i së keqes, Shqipëria është sinonim i detit, diellit, natyrës dhe mikpritjes së njerëzve”, tha Rama.
Në samitin e diapsorës, kryeministri Rama theksoi se Shqipëria nuk kufizohet vetëm brenda territorit të saj. Në një mesazh për shqiptarët jashtë vendit, ai tha se ajo që dikur ishte një largim i dhimbshëm, sot është kthyer në një lidhje të pazëvendësueshme dhe një urë që rrit kontributin dhe vlerën e Shqipërisë në botë.
"Kënaqësi të vi këtu si një zë, me shumë zërash, që formojnë bashkësinë e një kombi shumë më të madh. Shqipëria nuk mbaron aty ku mbaron territori i saj, Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët majën gjuhën, shpresën kokëfortë dhe ndjen e pathyeshme të përkatësisë së tyre kombëtare. Sot kur bota është me e ndërlidhur se kurrë dhe kur fjala si kurrë më parë vjen e ven në çast sa hap e mbyll sytë nga një kontinent në tjetrin, ju jeni zgjatimi i Shqipërisë kudo në botë. Ka pasur një kohë kur shqiptarët iknin nga atdheu duke i mbajtur zemrat si gurë mbi shpinë, duke marrë me vete guximin e kujt s’ka asgjë për të humbur dhe dhimbjen e ndarjes me gjithçka. Por atë që historia deri dje e quante ikje të pangushëllueshme koha e ka shndërruar në një lidhje të pazëvendësueshme, ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë. Sot diaspora shqiptare nuk është histori ikje, por e shumëfishimit të forcave të kontributit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë. Shqiptarët ndërtuan jetë, familje karrierë, sipërmarrje, në vende që nisën ti njohin ata jo përmes stereotipave, por dobisë, qëndrueshmërisë e fisnikërisë", tha Rama.
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se diaspora është dimension plotësues i identitetit kombëtar shqiptar.
“Sot nuk mblidhemi për një takim të radhës; si çdo herë kur bëhemi bashkë, në këtë sallë rreh një zemër e madhe, që e bën këtë qytet më shumë se vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, e bën një shtëpi të përbashkët për të gjithë ne. Samiti vjen në një moment kyç: Shqipëria po ecën drejt të ardhmes evropiane dhe të njëjtën gjë mund të them edhe për Kosovën. Diaspora nuk është thjesht jashtë, jo një adresë ku drejtohemi kur kemi nevojë, por një dimension plotësues i identitetit tonë kombëtar.
Gjuha shqipe është ADN-ja jonë, është kujtesë, identitet, vazhdimësi. Pa gjuhën do të na mbetej vetëm trupi. Përpjekjet për gjuhën, në rajon e diasporë, janë përpjekje për të qenë vetvetja. Nëse gjuha jonë, që i ka rezistuar shekujve, dobësohet sot kur jemi më të ditur e më të lidhur, përgjegjësia është vetëm e jona. Gjuhën shqipe ta çojmë në vendin që meriton, në familjen e madhe evropiane. Nga brezi i parë që u largua me pak shpresë, por shumë kurajë, ju keni ndërtuar një kapitull të ri të shqiptarisë globale. Edhe nga larg, ju e keni gjithmonë afër. Sot, në kohë zhvillimi, ju duam partnerë. Atdheu është kudo ku ka shqiptarë. Përmes rrënjëve lartësohemi, përmes dijeve forcohemi”, tha Hoxha.
Komente












Ky i do shqipetaret qe jetojne jashte Shqiperise vetem per parate, mundesisht te blejne sa me shume prona qe ky dhe shoket te pastrojne parate. S’ka nevoje per thiirje, te gjithe njerezit me sjelljen dhe punen e tyre ndikojne per mire apo keq ne imazhin e Shqiperise. Per te marr proces pastaj brenda territorit te Shqiperise duhen ligje dhe reegulla qe zbatohen njelloj per te gjithe dhe jo per thirrje. Thirrja eshte demagogji
Përgjigju