Bashkia 'Ura Vajgurore' pritet të marrë 'dritën jeshile' nga Kuvendi për të ndryshuar emrin e saj në  'Dimal'. Kryetarja e kësaj bashkie, Juliana Mema në një intervistë për Report Tv tha se kjo çështje është në kalendarin e Kuvendit por pa dhënë një datë se kur do të diskutohet.

Ajo shprehet se kjo nismë është mirëpritur nga shumë banorë të zonës. Sipas saj, disa banorë kanë problem pagesat shtesë për ndryshimin e dokumentacioneve.

"Ne nuk kemi finalizuar ende ndryshimin e emrit në Dimal. Klosi e ka iniciuar në Kuvend dhe po presim datën për vendimarrjen. Ne kemi ndërmarrë nismën që disa vite më parë. Ne vendosëm dhe statujën e djaloshit të Dimalit. Këto kanë ndikuar dhe në sjelljen e turistëve. Vendimet kundër ishin të pakta për ndryshimin e emrit. Ndërsa një pjesë e madhe është përqafuar nga shumica e banorëve. Emri i Bashkisë do të ndryshohet ndërsa emërtimi i njësisë do të qëndrojë njësoj. Në dokumentacion ndryshimi i emrit të Bashkisë nuk do të ketë kosto për banorët" - Memaj.

Ndërsa ajo thotë se kjo zonë ka tërhequr shumë turistë të cilët duan të dinë më tepër rreth historisë të Dimalit. Teksa ka folur për situatën e koronavirusit, ajo shprehet se

"Dimal do të thotë 2 male. Ishte një zonë strategjike. Nga kjo zonë shiheshin dy male të ndryshme Tomorr dhe atë të Shpiragut prandaj ka marrë dhe emrin Dimal. Edhe në Bashkinë Ura Vajgurore ka pasur rritje të numrit të të infektuarve me COVID. Ne kemi marrë masat për të parandaluar përhapjen.Jemi përpjekur që banorëve mos tu mungojë asgjë. Nuk harruam që të bëjmë organizimet e festave të fundvitit" - tha Memaj.

Vendimi për ndryshimin e emrit të Bashkisë Ura Vajgurore në Dimal është votuar në muajin korrik të këtij viti në mënyrë unanime nga anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Propozimi për ndryshimin e emrit erdhi nga disa intelektualë të zonës dhe zë fill tek qyteti antik i periudhës Ilire, rrënojat e së cilës u zbuluan në kodrën e qytetit.