Moti ka bërë një kthesë të fortë që prej ditës së djeshme. Ditët me diell ia kanë lënë vendin reshjeve të shiut e dëborës dhe temperaturave të ulëta këtë të premte.
Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave e ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv tha se kjo masë e ftohtë ajrore që ka përfshirë vendin tonë ka prekur të gjithë Europën.
“I kishim paralajmëruar këto kushte atmosferike që prej fillimit të javës. Kjo masë e ftohtë ka prekur të gjithë Europën. Sot dhe nesër do të kemi reshje mesatare të shiut në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër. Në lartësitë mbi 600 metra do të kemi reshje dëbore. Nesër do të kemi më shumë reshje se sot”, tha Gjoni teksa shtoi se kemi një ulje të temperaturave.
Temperaturat maksimale dhe minimale parashikohen:
Në zonat bregetare 7/12 gradë celcius;
Në zonat e ulëta 4/13 gradë celcius;
Në zonat malore -2/11 gradë celcius;
Ndërkohë edhe gjatë ditës së dielë dhe të hënë temperaturat do të luhaten rreth këtyre vlerave.
Gjoni shtoi gjithashtu se edhe fillimi i prillit do të sjellë reshje shiu dhe një mot të paqëndrueshëm me alternime kthjellimesh e vranësirash.
Komente












