Reshjet e shiut të shoqëruara edhe me erë të fortë, do t’u shembnin pjesërisht shtëpinë e vjetër dhe të vogël anës rrugës, duke rrezikuar t’i zërë brenda.
Jeta nuk është treguar bujare me ta, të cilët përveçse kanë tre djem me probleme mendore, për nga mjerimi, janë personazhe të denjë për poemat e Migjenit.
Me frikën se nga momenti në moment gurët dhe tjegullat mund të na tradhtojnë, futemi brenda dhe rrëzë një oxhaku të improvizuar gjejmë Kadri Sefën, i cili i lodhur nga hallet dhe mosha ngroh duart e kërrusura buzë zjarrit të oxhakut, që është e vetmja flakë shpresë në këto net të gjata dhjetori.
“Më shumë rri pa gjumë gjithë natën, nuk më merr gjumi. Kamë qenë zgjuar kur filloi shembja. Na hy shiu brenda”, tregon i moshuari Sefa.
Në një divan të lagur e të ftohtë, pranë tij qëndron bashkëshortja, Nete Sefa, e cila mes çatisë që fut gjithçka brenda dhe dyshemesë me baltë, është e pafuqishme të ndihet apo të sillet si një shtëpiake.
“Kemi pas gatuar me gaz, ai u mbarua nuk kisha lekë ta mbushja dhe kemi mbetur kështu. Unë 68 mijë lekë të vjetra marr, çfarë do bëjmë me ta?. Burri merr 2140 mijë lekë, çfarë të bëj më parë?”, thotë Neta Sefa.
Pa energji elektrike, pa dhomë gjumi, pa kuzhinë e më e rënda pa dyer e dritare, edhe vetë ata, thonë se nuk e kishin pritur këtë dimër kaq të acartë.
“Kamë shumë vite pa energji elektrike, me qiri që gati dy vite. Këtë shtëpi sa për të futur kokën kemi. Nuk kemi ku të rrimë, këtu ke frikë të rrish”, thotë çifti i moshuar.
Ndërsa ne largohemi duke u premtuar se do ta çojmë sa më larg zërin e tyre, ata e ngrysin duke iu lutur Zotit që t’u falë të paktën edhe një tjetër mëngjes.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

VIDEO









