DURRËS - Superliga shqiptare e futbollit zhvilloi të enjten dy ndeshjet e fundit për raundin e 19-të. Vora ia doli të mposhtte Partizanin 0-1 me golin e Dario Dakës në minutën e fundit të sfidës, ndërsa Teuta dhe Dinamo u ndanë në paqe dhe pa gola.

Në "Niko Dovana" të Durrësit, Dinamo humbi shansin për t'u ngjitur në vendin  e dytë, kjo pasi Teuta u tregua "kockë e fortë" dhe dy skuadrat ndanë nga një pikë.

Në intervistën pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, pati një përplasje në distancë me drejtorin sportiv të skuadrës së tij, Luan Pinarin. Ky i fundit në një bisedë televizive përmendi "titullin kampion", por Daja i kërkoi afrime në merkato pasi ka mungesë të futbollistëve për shkak dëmtimesh dhe largimesh.

"Për të dalë te merkato, jam trajner, se kam drejtorin sportiv para dhe ai para se të thotë që luftojmë për këtë e atë, të luftojë për të sjellë ca lojtarë në ekip, sepse edhe me dëmtimin e Maliqit që e ka mbyllur këtë kampionat, patjetër na duhet të përforcohemi me 2-3 lojtarë që të vazhdojmë ecurinë që kemi pasur edhe në 2025. Ia kisha premtuar që do ia thosha se kur del në shtyp duhet të mbajë përgjegjësi pastaj edhe për gjërat e tjera”, tha Daja për RTSH pas ndeshjes.

Tekniku, që e mori çmimin e 'Trajnerit të Muajit' nga Drejtoria Teknike e FSHF-së, e ka bërë të qartë se në merkato priste të paktën një sulmues dhe një mbrojtës, por ndërkohë nga organika janë larguar Fjoart Jonuzi dhe Gassama Karamba.

Tanimë Superliga është në përgatitje të raundit të 20-të i cili do luhet të dielën dhe të hënën.

Superliga, raundi 19-të:

E mërkurë, 14 janar 2026

Bylis 0-1 KF Tirana

AF Elbasani 1-1 Flamurtari

Vllaznia 1-0 Egnatia

E enjte, 15 janar 2026

Partizani 0-1 Vora

Teuta 0-0 Dinamo

Renditja: