Diplomati amerikan, Christopher Hill është emëruar ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Serbi. Emërimi i tij është bërë nga presidenti amerikan Joe Biden.
Hill ka mbajtur poste të rëndësishme në diplomacinë amerikane. Ndërkohë, ai është një njohës i mirë i rajonit, pasi ishte zëvendës i Richard Holbrookut, negociatorit kryesor amerikan gjatë bisedimeve në Dejton, të cilat i dhanë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, në vitet 1990.
Hill ishte edhe i dërguar i posaçëm i SHBA-së në Kosovë. Ai po ashtu ishte ambasador në Irak, Kore të Jugut, Poloni, Maqedoni të Veriut dhe për kohë të shkurtër në Shqipëri.
Hill do zëvendësojë Anthony Godfreyn, i cili ka qenë ambasador i SHBA-së në Beograd që prej nëntorit të vitit 2019.