Zëvendësambasadorja e Kosovës në Francë ka reaguar ndaj shprehjes së mllefit të disa opinionistëve për Ornela Vorpsin, pas deklaratave të sinqerta që dha për njohjet me kryeministrin, Edi Rama në një bisedë televizive me dy gazetaret, Beti Njuma dhe Alda Bardhyli, në prani të disa gazetarëve dhe miqve të artit tre ditë më parë.

Ndërsa Ornela Vorpsi ka folur me rastin e një ekspozite të çelur në qendrën COD në kryeministri, se si e ka njohur Edi Ramën, ka pasur edhe reagime të tilla të cilat kanë vënë në dyshim karrierën e saj artistike në Francë. Pas këtyre polemikave diplomatja kosovare ka reaguar në rrjetin social facebook me një deklaratë, ku e vlerëson Ornela Vorpsin si një artiste të përmasave ndërkombëtare, të shkruar si më poshtë:

Tirana, tani po kalon një tjetër tranzicion, jo më atë të varfërisë materiale, të post ‘91, por të bllokimit dhe zbrazjes nga vlerat. Është tranzicion edhe më i rëndë. Tani askush nuk flet më për art, por për para. Epo paratë nuk mjaftojnë kurrë, ndaj dje, dikujt iu duk se iu fut në pjesë edhe Ornela, dikush u ndje i mjerë, dikush i jargavitur, dikush i qëndisi fletërrufe, si ato që ajo nuk i ka harruar nga fëmijëria. Sepse Ornela Vorpsi është e madhe për botën tonë të vogël, jo pse është e bukur, jo pse është artiste ndërkombëtare, por sepse nuk është hakmarrëse.

Zëvendësambasadorja e Kosovës në Francë, Ulpiana Lama citon Rudina Xhungën

Ornela Vorpsi është shprehur se Edi Ramën e ka njohur në Akademi, kur ishte pedagog.

Ishte vetëm 22 vjeç, dhe ishte aq i aftë, sa e kishin mbajtur në Katedër. Ai kishte karizmën, sharmin dhe kishte lexuar jashtë mase. Për mua, humnera mes Edit dhe profesorëve të tjerë ishte e madhe.  E kush nuk e donte Edin?..Me Edin, isha e dashuruar në mënyrë platonike. Ai nuk më ka dashur. Si njeri, për mua, ka qenë një gjeni.

Ornela Vorpsi

Ekspozita e Ornela Vorpsit “Providence” u çel më 11 prill në Qendrën për Hapje dhe Dialog në praninë e kryeministrit Edi Rama me bashkëshorten, në prani të kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, të disa deputetëve dhe ambasadorëve e personalitete të artit.
Privdencë është eskpozita e parë e shkrimtares, piktores dhe fotografes Ornela Vorpsi, që u hap në Shqipëri nën kurimin e Genti Gjikolës.

Vepra Ornela Vorpsit në artet pamore ka një gamë të gjerë mediumesh, procesesh e qëndrimesh estetike si dhe një numër impresionues veprash të forta, të përqëndruara, me të cilat ajo ndërton një trilogji narrative në pikturë, fotografi dhe video, po aq të fuqishme dhe intriguese sa edhe vepra e saj si shkrimtare e tregimtare.

Kuratori,  Genti Gjikola