Ata janë politikanët e rinj, shumë prej të cilëve pas disa vitesh do të mund ti shihni në legjislativ apo vendimarrje. Në fakt shumë nga ata janë të angazhuar në parti politike, këshilla bashkiakë, aktivistë, punonjës në administratën publike apo edhe deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Këtë të mërkurë ata u bënë brezi i 9-të që diplomohet në Shkollën Shqiptare të Studimeve Politike e krijuar nga Këshilli i Europës me mbështetjen e Zvicrës.

I pranishëm në ceremoni Christoph Graf, Ambasadori Zviceran në Shqipëri tha se janë 3 risitë që Akademia Politike solli këtë vit. 

Së pari ishit aktivë në dhënien e mbështetjes dhe ekspertizës për reformat aktuale në drejtësi dhe sektorin energjetik.

Së dyti ju u bëtë pjesë e Forumit Botëror për Demokraci dhe së treti arritët të kryeni një kërkim mbi mënyrat se si terroristët përdorin komunikimin elektronik në Shqipëri. Ekspertiza juaj mund të ndihmojë vendin të përballet më mirë me kërcënimet e terrorizmit. 

Nga ana tjetër, drejtori i akademisë Erjon Tase shtroi pyetjen që bëjnë shumë prej përfaqësuesve ndërkombëtarë sot lidhur me brezat e rinj të politikanëve.

Përgjigja erdhi pikërisht nga një prej të diplomuarve Admir Malaj, i cili vuri në dukje atë që e konsideron mësimin të vyer të kësaj shkolle-artin e të dëgjuarit, çka i mungon shumë politikanëve të sotëm. 

Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike u krijua në vitin 2007 nga Këshilli i Europës dhe është pjesë e rrjetit të 21 shkollave në vendet e Europës lindore dhe juglindore. 230 nxënësit e saj janë sot përfaqësues në parti politike, shërbimin publik, akademi dhe media.

Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)