Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman ka shkuar ditën e sotme në selinë e Partisë Demokratike ku po takohet me liderin demokrat Lulzim Basha.

Mësohet se në takimin mes tyre do të diskutohet lidhur me situatën politike në vend.

Kryedemokrati Lulzim Basha ishte ditën e djeshme në Bruksel ndërkohë që opozita protestoi pëpara parlamentit gjatë kohës kur Kuvendi zhvillonte seancën e radhës plenare.

Opozita ka vendosur të djegë mandatet ndërsa një pjesë e kandidatëve në radhët e tyre kanë pranuar mandatet duke thyer vendimin e opozitës së bashkuar.

Deri më tani 14 deputetë janë betuar në Kuvend ndërkohë që tre kandidatë të tjerë pranuan mandatin ditën e djeshme duke dorëzuar pranë KQZ formularin e vetëdeklarimit.

Liderët e opozitës e kanë quajtur këtë një akt ilegjitim, ndërkohë që ndërkombëtarët nuk e kanë kundërshtuar procesin e mandatimit të deputetëve të rinj duke e quajtur atë të rregullt.