Disiplina dënon Partizanin dhe Tiranën të dëmshpërblejnë stolat e prishur në 'Air Albania', gjobë për sjelljen e tifozëve

Tirana dhe Partizani, dy klubet e kryeqytetit që të premten zhvilluan ndeshjen derbi në  stadiumin ‘Air Albania’, do të jenë të detyruara të paguajnë dëmtimet e shkaktuara nga tifozët respektivë në impantin e ri. Ky ka qenë një nga vendimet e mara nga Komisioni i Disiplinës në FSHF për afro 60 stolat e prishur nga tifozët.

Komisioni gjithashtu ka marrë edhe të tjera vendime në lidhje me këtë ndeshje. Si Partizani ashtu edhe Tirana janë dënuar me 200 mijë lekë për sjellje të gabuara të tifozërive. Ndërkohë më herët policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person, 26 vjeç, për shkak se në ndeshjen derbi hodhi fishekzjarrë në fushë. Ai është ndaluar për veprën penale ‘veprime të dhunshme në aktivitet sportive’, ndërsa materialet i janë referuar prokurorisë së rrethit gjyqsor Tiranë.

Policia ka njoftuar gjithashtu së së bashku me prokurorinë dhe stafin e stadiumit ‘Air Albania’ po hetohet për të vënë në pranga edhe personat të cilët kanë shkaktuar dëmtime në impiantin e ri.

Ndërkohë për t’u rikthyer te vendimet e Disiplinës bie në sy se për dhunimin e arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo ende nuk ka një vendim, por bëhet e ditur se është çelur një hetim disiplinor.

Përsa i përket ndeshjes derbi ajo u mbyll me fitoren 1-2 të Tiranës, klubit bardheblu që theu tersin me Partizanin pas 18 ndeshjesh ku njihte vetëm humbje dhe barazime. Kjo sfidë ishte e veçantë pasi për herë të parë u luajt në 'Air Albania', ndërsa u përjetua shumë nga tifozët.

Vendimet

1. KF “Partizani” për sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 65/1;65/3/a dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) Lekë.

KF “Partizani” detyrohet të dëmshpërblejë dëmtimet e shkaktuara në “AIR ALBANIA STADIUM” nga tifozeria përkatëse sipas akt konstatimit të “Qendrës Sportive Kuq e Zi”.

2. KF “Tirana” për sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 65/2;65/3/a dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) Lekë.

KF “Tirana” detyrohet të dëmshpërbleje dëmtimet e shkaktuara në “AIR ALBANIA STADIUM” nga tifozeria përkatëse sipas akt konstatimit të “Qendrës Sportive Kuq e Zi”.

3. Zyrtari i KS Luftëtari Neritan Novi për sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes në bazë të Nenit 55/2 te KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

4. Çeljen e hetimit disiplinor për incidentet në ndeshjen Shkumbini – Dinamo.

Ne.k./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të pranojnë institucionet shtetërore ulje të pagave si kontribut për situatën e krijuar nga COVID-19?

Komento