Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka bërë publike vendimet për shkeljet e konstatuara në javën e fundit të kampionateve të futbollit shqiptar, ku nuk kanë munguar ndëshkimet për disa klube.

Ndër vendimet kryesore spikat pezullimi i drejtorit të Vorës, Bazion Tragaj, me 4 ndeshje për sjellje josportive. Po ashtu, klubi i Vorës është ndëshkuar me gjobë 100 mijë lekë për vonesa gjatë zhvillimit të ndeshjes ndaj Teutës.

Sanksione ka marrë edhe AF Elbasani, i cili është gjobitur me 100 mijë lekë për sjelljen e tifozëve dhe përdorimin e mjeteve piroteknike gjatë ndeshjeve.

Vllaznia ka përfituar nga pranimi i kërkesës së trajnerit Edi Martini për konvertimin e dënimit, çka i mundëson teknikut shkodran rikthimin në stol që nga ndeshja e ardhshme.

Gjithashtu, KF Iliria ka përfituar pezullimin e dënimit për zhvillimin e ndeshjeve në fushë asnjanëse dhe do të rikthehet të luajë në stadiumin e saj në Fushë-Krujë, por pa praninë e tifozëve.

Vendimet e plota:

1. KF Vora, për mosrespektimin e detyrimeve dhe përgjegjësive dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa gjatë ndeshjes, në bazë të nenit 8/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

2. Zyrtari i KF Vora, Bazion Tragaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

3. AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes për shkak të ndezjes së mjeteve piroteknike si dhe duke përdorur kore fyese, në bazë të neneve 17/2/c dhe 17/2/e të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

4. Zyrtari i KF Iliria, Mario Bytyci, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

5. Zyrtari i KF Kukësi, Albi Lika, për provokim të spektatoreve, në bazë të nenit 14/1/f, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

6. Lojtari i Shkëndija Tiranë U-17, Jurgen Karaj, për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/b të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

7. Lojtari i KF Shënkolli U-16, Enea Nikolli, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

8. Lojtari i KF Teuta U-16, Stiven Cela, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

9. Lojtari i KF Teuta U-16, Henri Gjyzeli, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

10. Lojtari i KF Teuta U-16, Dario Merja, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

11. FC Pepa U-16, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të kampionatit Abissnet Superiore U-16, kunder KF Vllaznia U-16, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.

12. Lojtari i Antigonea, Nikolas Karabashi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

13. Pranimin e kërkesës së zyrtarit të KF Vllaznia, Edi Martini, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit, bazuar në nenin 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.

14. Pranimin e pjesshëm të kërkesës së KF Iliria, bazuar në nenet 67 dhe 74 të KDE, për rishikimin e Vendimit nr. 15, datë 05.12.2025, të KDE-së, lidhur me pikën 3, duke vendosur pezullimin e dënimit për zhvillimin e pjesës së mbetur të ndeshjeve të sezonit futbollistik 2025–2026 në fushë asnjanëse.

Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 34 të KDE, do të jetë 1 (një) vit dhe, në rast përsëritjeje të shkeljeve të ngjashme, pezullimi do të revokohet dhe klubit do t’i vendoset dënim shtesë. Lënien në fuqi të pjesës tjetër të dënimit, zhvillimin e pjesës së mbetur të sezonit futbollistik pa praninë e spektatorëve, në zbatim të nenit 6/3/b të KDE.

15. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Iliria U-17, Dejsli Farruku, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

16. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Iliria U-17, Elvis Marku, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.