TIRANE - Përjashtim përjetë nga aktivitetet sportive për futbollistët e Gramozit që dhunuan barbarisht në fund të ndeshjes Gramozi-Memaliaj, gjyqtarin e takimit Gentian Nora.

Komisioni i disiplines në federatën shqiptare të futbollit, ka vepruar me dorë të hekurt ndaj këtij episodi të shëmtuar të dhunës fizike në fund të ndeshjes ndaj gjyqtarit gjirokastrit. Futbollistet Evis Peci, Renato Saliko, Hyserion Shupe dhe Efiliano Lico, për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes me pasoja të rënda për shëndetin, përjashtohen përjetësisht nga aktivitet futbollistike. Po ashtu, Disiplina ka gjobitur edhe klubin kolonjar me 50 mijë lekë të reja për dështimin në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive të organizimit të ndeshjes.

Futbollsitët e Gramozit, të cilët janë përjashtuar përjetë nga Disiplina, kanë dhunuar në fund të ndeshjes gjyqtarin Nora, duke i shkaktuar atij dëmtim poshtë syrit të majtë. Takimi Gramozi–Memaliaj, u luajt të dielën në kuadër të Kategorisë së dytë dhe përfundoi në barazim 2-2.

Disiplina ka pezulluar me 4 ndeshje mbrojtësin e Skenderbeut Renato Arapi, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes dhe me 2 ndeshje mesfushorin e Teutës, Bledar Mancaku, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit.

Denimit të Komisionit të Disiplinës nuk i ka shpëtuar as drejtuesi i Partizanit, Paro Laci, i cili është pezulluar 12 muaj nga aktivitet sportive dhe nuk mund ti qëndrojë pranë skuadrës së tij. Laci është pezulluar për nxitje të braktisjes së ndeshjes, episod ky i shënuar në fundjavë gjatë ndeshjes së Kategorisë së Parë, Partizani–Tërbuni, të luajtur në Lac.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)