Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka dalë me vendimet në bazë të raundit të fundit të futbollit në vend. Sulmuesi i Partizanit, Human Lancaster Rowan, është pezulluar me dy ndeshje për shkak të sjelljes antisportive në fushë. Në barazimin 0-0 kundër Teutës, sfidë e vlefshme për raundin e parë të Superligës, Human u ndëshkua me karton të kuq në fundin e pjesës së parë.

Ndërkohë, Disiplina ka paralajmëruar trajnerin e Vllaznisë, Edi Martini, se në rast të përsëritjes së mosdaljes së tij në konferencën për mediet pas ndeshjes, do t’i nënshtrohet masave disiplinore të parashikuara nga Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe rregulloret e FSHF.

Vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së:

1. Zyrtari i KF Vllaznia, Edi Martini, për mosrespektimin e detyrimit për daljen në intervistën pas ndeshjes, në kundërshtim me nenin 77 të Rregullores së Aktivitetit, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se, në rast përsëritjeje të kësaj shkeljeje ose të çdo shkeljeje tjetër të ngjashme që lidhet me përmbushjen e detyrimeve mediatike, do t’i nënshtrohet masave disiplinore të parashikuara nga Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe rregulloret e FSHF.

2. Lojtari i FK Partizani, Human Lancaster Rowan, për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë futbollistike.

3. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të FK Partizani U-18, Rei Zekaj, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

4. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të FK Partizani U-18, Riseld Hocja, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

5. Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të FK Partizani U-18, Jon Caushi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.