TIRANE- Situata në sistemin shqiptar të riedukimit paraqitet mjaftë e rëndë, përsa i përket trajtimit të të dënuarve në burgje. Privimi nga shumë të drejta, diskriminim, dhunë psikike dhe fizike, e deri te mostrajtim shëndetësor, janë raste shumë të shpeshta që hasen në qelitë e burgjeve. Disa raste konkrete diskriminimi, janë evidentuar nga organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve.
 
Vjollca Meçe, nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, solli përpara deputetëve të Komisionit parlamentar të Ligjeve konstatime të rasteve ku të dënuarit privohen nga lejet, pasi nuk paguajnë drejtuesit e burgjeve.

“Nuk ka asnjë leje po s’pagove para, kjo është një histori që unë kam 5 vjet në komitet të Helsinkit, 5 vjet sa herë që shkojmë në burgje të tërë të burgosurit na e thonë masivisht. Nuk jemi në gjendje ta aprovojmë por kur problemi ngrihet kaq masivisht atje diçka ka. Si jepen leje dhe kush ka përfituar ne e kemi studiuar këtë gjë. E kupton që me tërë mend ka diçka sepse leje marrin ata që kanë para. Ne kemi gjetur atje njerëz që i përkasin komunitetit romë për shembull po me vdes nëna, kam kaq kohë, i kam mbushur kaq kohë, skam asnjë vërejtje, skam asnjë gjë, nuk më japin leje. Do të ishte mire qe lejet të mos ti japi drejtori i institucionit, të mos i ketë askush atje brenda”, tha Vjollca Meçe.
 
Duke folur mbi propozimet që duhen bërë për përmirësimin e ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve”, Meçe përmendi edhe rastet kur të dënuarve nuk u jepet as trajtimi shëndetësor kur kanë probleme.

“Dhe unë si një shtetase dhe qytetare e thjeshtë nuk arrij dot të kuptojë që vendos gjykata dhe ministria e drejtësisë nuk e pranoka një njeri për t’u kuruar mendërisht pse thotë që ai është agresiv, tani të sëmurit mendor kanë të gjithë faza të tilla. ne duam që të gjenden mekanizma që ai i burgosur të marri shërbimin, po vdes, është në spitalin e burgut, mu në mes të spitalit, se merr përsipër njeri. E ka plagosur policia, vërtet në përpjekje e sipër kur deshën ta arrestonin, nuk bëj me faj policinë në këtë rast sepse ai ishte shkaktari që u bë. Por ama ai po vdes, ashtu sikur se vdiq tjetri 7 ditë i shtruar në spital. Autopsia thotë që në gjakun e tij nuk gjendet asnjë pikë medikamenti dhe vdiq tjetri dhe prokurori refuzon të fillojë çështjen penale dhe ne jemi duke e çuar në Strasburg çështjen”, u shpreh Meçe.

Propozimet e sjella nga shoqëria civile dhe qeveria, synojnë krijimin e një shërbimi policor të qëndrueshëm të burgjeve, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe të të burgosurve, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)