Edhe diskutimet mbi historinë e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore ndoqën të njëjtën udhë si ato për ngjarje të tjera. Në ndryshim nga Lëvizja fshatare e Shqipërisë së Mesme, historianët nuk ishin shumë të gatshëm të kundërshtonin në lidhje me këtë pjesë historie. Në vitin 1959, dy ishin problematikat e ngritura nga historianët, të cilat gjetën kundërshtimin e drejtuesve komunistë: çështja e luftës civile dhe ajo e pushtetit. Një pjesë e historianëve, midis të cilëve Ndreçi Plasari, mendonin se në tekstin e historisë duhej të analizohej lufta civile mes gupeve rivale politike, si një fenomen që ishte zhvilluar krahas luftës nacionalçlirimtare.
Sigurisht ajo ishte imponuar nga klasat shfrytëzuese të lidhura me armikun. Konkluzioni i përgjithshëm nga diskutimet e gjera që u zhvilluan ishte që “duhet përdorur vazhdimisht termi Lufta Nacionalçlirimtare dhe, kur të bëhen konkluzionet, të thuhet se kjo nuk ishte një luftë thjesht nacionale, por ajo ishte dhe një luftë klasash. Pra edhe luftë civile. Nuk mund të merret viti 1943 si data e fillimit të Luftës Civile, pasi qysh në fillim një pjesë e mirë e feudalëve dhe e borgjezisë shqiptare u vu në shërbim të okupatorëve. Pra duke luftuar okupatorët, luftohej dhe borgjezia dhe feudalët e vendit”.
Qëndrimi i Byrosë Politike ishte i prerë “për sa i përket luftës nacionalçlirimtare të hiqen termat “lufta civile” dhe çështja nuk u diskutua më gjatë, me përjashtim të diskutimit të Mehmet Shehut, i cili e përdori luftën civile si term: “për luftën civile dhe pushtetin popullor është [ka] një pjesë e madhe që duhet përpunuar”. Por ajo u rimor sërish në diskutim në vitin 1964, kur maketi i Historisë së Shqipërisë kthehet për t’u diskutuar për të tretën herë në Byronë Politike. Në këtë mbledhje Ramiz Alia, pasi bëri një vërejtje për mënyrën se si ishin trajtuar marrëdhëniet e PKSH-së me Ballin Kombëtar gjatë luftës, vijon: “Është shumë i drejtë konkluzioni i bërë në f. 62 kur thuhet se shkaqet përse u shkaktua lufta civile [ishin], sepse Balli refuzoi të bashkëpunonte [me FNÇ], u bë me fashizmin kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare”.
Ishte Enver Hoxha ai që tërhoqi vëmendjen duke thënë se duhej pasur kujdes me termin luftë civile, pasi “Balli dhe Legaliteti ishin mercenarë të okupatorit”. Ndërsa Mehmet Shehu mbronte idenë e karakterin të dyfishtë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare: antifashist dhe klasor.
Teksti i historisë i botuar nga Instituti i Historisë një vit më vonë, ndonëse nuk përmendte termin luftë civile konkludonte se “Duke kaluar plotësisht në anën e fashistëve gjermanë dhe duke marrë pjesë bashkë me ta në luftën e armatosur kundër lëvizjes nacionalçlirimtare, reaksioni vendës i imponoi popullit shqiptar një luftë vëllavrasëve”. Ndërsa në tekste të tjera të mëvonshme ky përcaktim është hequr.
Rezistenca e shqiptarëve kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore është padyshim një ngjarje e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Por, në një analizë të mëtejshme, nga kjo periudhë buronte edhe legjitimiteti i drejtuesve të regjimit. Vendimet dhe veprimet e tyre të mëvonshme për të linçuar dhe margjinalizuar nga pikëpamja politike dhe sociale ish-anëtarët e Ballit Kombëtare, Legalitetit dhe gjithë kundërshtarët politikë të luftës mbështetej te fakti se ata kishin qenë kolaboracionistë.
Ndërkohë historianët argumentonin se duheshin veçuar nacionalistët që kishin luftuar kundër pushtuesit, nga ata që kishin bashkëpunuar me të. Por një trajtim i tillë do t’i jepte disa kredite patriotizmi elitës politike dhe intelektuale shqiptare, gjë që nuk i përshtatej politikës së komunistëve shqiptarë. Kjo ishte arsyeja që nuk mund të pranohej të shprehej hapur ideja e luftës civile, por kamuflohej pas shprehjeve “luftë klasash”, apo “luftë vëllavrasëse”. Në vazhdë të këtij qëllimi politik nuk bëhej asnjë diferencë ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, apo Muharrem Bajraktarit dhe bajraktarit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit, një bashkëpunëtor i vërtetë i pushtuesit gjerman.
Sa i takon çështjes se cili ishte momenti historik që duhej konsideruar si kyç i vendosjes së “pushtetit popullor”, historianët, por edhe anëtarët e Byrosë Politike, ishin të ndarë në përcaktimin e tij. Një pjesë mendonin së duhej konsideruar Kongresi i Përmetit, ndërsa të tjerë, 29 nëntorin 1944. Liri Belishova dhe Manush Myftiu ishin për 29 nëntorin, si data e vendosjes së pushtetit popullor, ndërsa të tjerët mbronin idenë e Kongresit të Përmetit, me argumentin se kjo ngjarje ishte shënuar edhe në stemën e Republikës. Vulën çështjes ia vuri Enver Hoxha: “me Konferencën e Pezës u hodhën bazat e pushtetit popullor, në Përmet u konsolidua nga përfaqësuesit e popullit dhe më 29 nëntor është data e çlirimit”.
Shqetësim për anëtarët e Byrosë Politike ishin edhe përmasat që duhet të zinte në tekst Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pozicioni i tyre individual në të. Ndërsa më 1959 diskutimi u përqendrua në çështje konceptuale, në vitin 1962 ai mori një dimension krejt tjetër. Nuk u diskutuan as karakteri i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, as çështja e pushtetit. Anëtarët e Byrosë Politike kërkonin tashmë të glorifikonin rezistencën. Enver Hoxha porosiste që Lufta Antifashiste të dilte madhështore.
Mehmet Shehu kujtonte se “kjo periudhë është periudha më e lavdishme e popullit, prandaj duhet punuar mirë”. Kështu, ata kërkonin të glorifikoheshin disa beteja me të vërtetë të rëndësishme, si p.sh. ajo e Gjormit, të zmadhoheshin disa të tjera, si ndonjë luftim diku në Mirditë, dhe të anashkaloheshin disa fakte, si ai i mospjesëmarrjes së popullsisë së Veriut në këtë lëvizje. Njëkohësisht ata kishin pritshmëri për të nxjerrë në pah rolin e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme. Madje, me çështjen e personaliteteve të Luftës që do të përmendeshin në tekst, u hap mbledhja e Byrosë Politike. Historianët, sipas Hoxhës, kishin vendosur shumë emra personalitetesh.
Ata e kishin saktë kur theksonin drejtimin kolektiv të Komitetit Qendror, por “ka disa emra që nuk mund të evitohen ..., prandaj mendoj që në tekst të vihet emri i shokut Mehmet, i shokut Hysni, i Myslim Pezës dhe i Spiro Moisiut që është fakt historik që ka qenë komandant i përgjithshëm i UNÇ ... Emri im natyrisht të mbetet, por propozoj të hiqet nga teksti biografia ime”. Përveç këtyre ai shton se duhet të ketë edhe një hierarki trajtimesh “të kihet parasysh që emri i Mehmetit dhe i Hysniut të jetë i ndryshëm nga formulimi që do të bëhet për Myslim Pezën dhe Haxhi Lleshin”.
Pse ky ndryshim? Kur u diskutua teksti më 1959, Shqipëria ishte ende në orbitën sovjetike. Propaganda zyrtare ishte e përqendruar të përmendte rolin e jashtëzakonshëm të Ushtrisë së Kuqe në fitoren botërore kundër Boshtit nazi-fashist. Gjithashtu, drejtuesit komunistë ishin të detyruar të përfshiheshin në fushatën e iniciuar nga Hrushovi kundër kultit të individit të udhëheqësve. Kjo ishte arsyeja, në këndvështrimin tim, që këto çështje nuk u ngritën në diskutimin e parë. Në vitin 1962, situata politike në Shqipëri kishte ndryshuar.
Prishja me Bashkimin Sovjetik ishte zyrtarizuar. Drejtuesit duhet të gjenin mjete të reja propagandistike për të motivuar popullsinë. Lufta ishte shpëtimi i tyre. A nuk ishin orientuar këta udhëheqës drejt gjatë rezistencës? A nuk e kishin drejtuar popullin drejt fitoreve dhe rreshtuar Shqipërinë në radhët e vendeve fituese? Duke glorifikuar rezistencën, ata mund t’i tregonin popullit se ende po merrnin vendimet e duhura dhe rruga që po ndiqej ishte ajo e drejta.
Në këtë proces, mesa duket faktet historike, nuk ishin gjithaq të rëndësishme. Në këtë proces, mesa duket faktet historike, nuk ishin gjithaq të rëndësishme. Në vitin 1955, Tuk Jakova kishte guxuar të kritikonte paraqitjen e ngjarjeve historike të Luftës në tekstet, muzetë dhe propagandën zyrtare, por ai e kishte paguar këtë me burgimin e tij. Vetë Enver Hoxha u kishte kujtuar më herët historianëve se “ne rrëzuam një pushtet të tërë, kapitalizmin dhe feudalizmin, prandaj asgjë nuk na tremb të rrëzojmë e të hedhim poshtë disa teza historike që nuk janë të drejta”. Madje, ato mund të ndryshonin sipas kritereve politike. Sa për ta ilustruar mund të përmendim një diskutim mbi personalitetet që do të përmendeshin në historinë shumëvëllimshe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Redaksia e hartimit të këtyre vëllimeve i paraqiti, përveç të tjerave, edhe kriteret e përzgjedhjes së personaliteteve që përmenden në tekst. Sipas tyre, do të ishin pjesë e tekstit të gjithë anëtarët e plenumit të KQ të PKSH të vitit 1943, që përmenden edhe në Historinë e Shqipërisë. Të tjerët, si Koçi Xoxe, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Bedri Spahiu, Sejfulla Malëshova etj do të përmendeshin vetëm kur të kritikohej sjellja dhe veprimtaria e tyre. Nga anëtarët jo komunistë të Këshillit të Përgjithshën Nacionalçlirimtar do të përmendej vetëm Abaz Kupi. Ndërsa për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ, pjesëmarrësit në konferenca e kongrese, komandantët e çetave, batalioneve, brigadave e divizioneve partizane do të evidencoheshin vetëm ata që “kanë qenë konseguentë në veprimtarinë e tyre revolucionare”, pra ata që nuk ishin dënuar nga regjimi.
Ndikimi që trashëgimia e kujtesës së ndryshuar ka në shoqërinë e sotme shqiptare
Siç u analizua gjerësish më lart, në shtetin socialist e shkuara lexohej nga e sotmja. Por e tashmja ishte shumë e paqëndrueshme dhe në ndryshim të vazhdueshëm. Drejtuesit, planet, madje dhe aleatët shkonin dhe vinin. Në këto rrethana dhe e shkuara duhet të ndryshonte.
Të pakta janë shtetet komuniste që kanë bërë kthesa aq drastike në politikën e tyre të jashtme dhe kanë nxjerrë aq grupe armiqësore sa Shqipëria. Një situatë e tillë ndikoi padyshim në propagandën komuniste dhe në perceptimin apo në trysninë që ushtrohej në kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Çfarë duhet të mendonin dhe kë duhet të besonin shqiptarët: Enver Hoxhën e vitit 1946, kur thoshte se pa Jugosllavinë e Titos, Shqipëria nuk do të ishte çliruar, Enver Hoxhën e vitit 1951, kur thoshte se ishte Bashkimi Sovjetik ai që ndihmoi në çlirimin e Shqipërisë, apo më shumë akoma Enver Hoxhën e vitit 1961 që thoshte se Shqipëria ishte çliruar tërësisht me luftën vetëmohuese të bijve të saj më të mirë? A duhet të besonin shqiptarët se Mehmet Shehu, kryeministri i Shqipërisë prej gati tre dekadash, ishte besnik i partisë, siç ishte thënë vazhdimisht deri në vitin 1981, apo ishte agjent i një numër të konsiderueshëm agjenturash të huaja, siç thoshte Enver Hoxha në librin e tij “Titistët”?
Rezultati i këtij procesi ishte krijimi i një konfuzioni të madh në mendjen e njerëzve. Por, si një mekanizëm mbrojtës, shoqëria mësoi të mos bënte pyetje. Gjërat pranoheshin ashtu siç thuheshin nga propagandistët partiakë. Dikush mund të argumentojë se kjo situatë kishte dhe anët e saj pozitive, sepse në këtë rast ideologjizimi nuk mund të ndryshonte tërësisht kujtesën e individëve.
Në të kundërtën, unë mendoj se një proces i tillë, i mbështetur në një propagandë të paqëndrueshme, sipas së cilës rebelët bëheshin heronj dhe heronjtë shndërroheshin në tradhtarë brenda natës; ku individit i kërkohej të dilte madje dhe mbi identitetin personal të tij, do të çonte në një mungesë identiteti. Gjë që do të çonte në paqëndrueshmëri dhe devijime sociale. Kjo u vu re qartë, kur shqiptarët çanë dyert e izolimin komunist dhe për herë të parë dolën në botën e lirë. Sjellja e tyre në shtetet perëndimore të Evropës ishte shembulli i njeriut të cilit i janë imponuar rregulla striktë, por jo përgjegjësi individuale.
Në një analizë afatgjatë, gjithë procesi devijoi marrëdhëniet e shoqërisë me historinë, veçanërisht me historinë e shkruar dhe instaloi një kujtesë të shformuar kolektive mbi të shkuarën. Në këta 24 vjetët e fundit, historianët kanë pasur kohën e mjaftueshme për të konsultuar dokumentet e shkruara vendase dhe të huaja dhe të ridimensionojnë historinë e kombit. Por, disa reminishenca të së kaluarës, nuk e lehtësojnë procesin. Historia ende vazhdon të përdoret për interesa politikë të ditës. Ndërhyrjet e politikës, edhe pse jo të drejtpërdrejta, vazhdojnë të jenë një problem për historianët e sotëm, por jo i vetmi.
Procesi e dekonstruktimit të miteve po rezulton mjaft i vështirë, kjo edhe për shkak të mbajtjes gjallë të tyre nga segmente të caktuara të veshura me pushtet. Në këtë këndvështrim, vështirësia më e madhe është raporti i historianit me publikun, i cili disi skeptik ndaj profesionistëve, i indoktrinuar në njërin apo tjetrin krah nga politika dhe njerëz që i shërbejnë asaj, dhe, duke mos njohur burimet dhe aspektet teorike, po jeton një krizë të vërtetë besimi.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Shtator 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)