Cilësitë në parket duket se kanë zgjuar dyshime për Nayara Ferreira, volejbollisten e Dinamos e cila u pezullua nga Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) dhe iu kërkua një "test gjinie", çka ka ndezur një debat të madh në sporti shqiptar. Vetë braziliania 32-vjeçare është e rënduar psikologjikisht, pasi me një karrierë 15-vjeçare edhe në Evropë, nuk ishte hasur më parë me një kërkesë të tillë që sipas Dinamos cënon dinjitetin njerëzor.

Klubet që denoncuan volejbollisten ishin Pogradeci dhe Vllaznia. Në lidhje me këtë situatë ka reaguar për mediet edhe Dorian Latifllari, drejtor i qendrës Multifunksionale në Pogradec.

Ai ka thënë se klubi liqenor ka ngritur dyshime në lidhje me gjendjen e saj spotive dhe jo për gjininë e saj. Latifllari përmend edhe terapinë hormonale apo përdorimin e medikamenteve të palejuara që mund të rrisin performancën.

“Ne jemi anëtarë të Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe si çdo anëtar i kësaj federate në kemi të dretjën të ngremë dyshime në lidhje me sportivitetin e një lojtareje apo një ekipi dhe për këtë kemi ngritur një çështje e cila është komplet sportive.

Nuk e di pse mori këto përmasa kaq mediatike kur ne saktësisht kemi kërkuar nga federata  që për lojtaren në fjalë dhe nga pamjet që kemi hasur kur ajo ka zhvilluar ndeshje me ekipet e tjera për këtë lojtare ne kërkojmë një analizë specifike për të vërtetuar nëse kjo lojtare është e përshtatshme për të luajtur në këtë kategori dhe kontrolluar mbase edhe avantazhet e padrejta që kjo lojtare mund të përfitojë ndaj lojtareve femra.

Këtu kam parasysh që mund të kemi përdorimin e substancave të cilat janë të ndaluara nga rregullohet e federatave ndërkombëtare sportive, apo terapi të ndryshme hormonale që ne kemi parë në media që lojtarë i përdorin rregullisht", tha ai.

Më pas Latifllari shtoi se ankesa ishte bërë përpara ndeshjes që Pogradeci e fitoi në parket kundër Dinamos dhe Ferreira ishte në lojë, ndaj nuk dëshiron që ekipi i tij të sulmohet pa të drejtë për faktin që ndodhet në vendin e parë.

"Ne kërkesën e kemi bërë para ndeshjes që do luanim  me Dinamon në 11 tetor, kemi parë ndeshje që Dinamo ka zhvilluar me ekipe të tjera, kemi parë që ajo ka disa të dhëna të ndryshme nga të dhënat e lojtareve që marrin pjesë në këtë kategori, kemi ngritur disa dyshime, është e dretja jonë të ngremë këto dyshime  dhe thjeshtë presim të na i vërtetojë federata.

Mënyra se si kjo çështje është trajtuar dhe balta që po hidhet mbi ekipin e Pogradecit për shkak se Pogradeci sot është në vendin e parë dhe dua të theksoj se në ndeshjen me Dinamon, ky ekip ka qenë I plotë, ku ka marrë pjesë edhe lojtarja në fjalë, Pogradeci ka fituar me rezultatin 3-2 dhe falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qytetarëve pogradecarë, natyrisht ne fituam në Pogradec. 

Ajo fitore është meritë e ekipit dhe vajzave të Pogradecit të cilat sot po gjykohen nga opinioni i gjerë, që Pogradeci po fiton me metoda jo të përshtatshme sportive, gjë që nuk është e vërtetë, ne e mundëm Dinamon në fushën tonë me ekipin e plotë që kishte Dinamo”, tha Dorian Latifllari, drejtor i qendrës Multifunksionale të Pogradecit.

Duket se Federata Shqiptare e Volejbollit ka marrë një vendim për pezullim dhe 'test gjinie' jo mbi bazën e ankesës, pasi Pogradeci thekson se ka ngritur dyshime mbi formën sportive të volejbollistes dhe jo gjinisë.

Nayara Ferreira dhe Dinamo e volejbollit kanë reaguar ashpër në lidhje me vendimin e Federatës për 'testin e gjinisë', teksa ajo iu nënshtrua më parë një kontrolli gjinekologjik, por që nuk mjaftoi për të bindur FSHV-në.