Një draft i ri ligjor për sinjalizuesit apo të bilbilfryrësve për shkeljen e ligjit dhe mbrojtjen e tyre u diskutua në Komisionin e Ligjeve, i propozuar nga qeveria.
“Meqë me ligjin e vjetër nuk i ranë bilbilit kemi sjellë ligjin e ri që t’i biem më shumë bilbilit”, tha kreu i komisionit, socialisti Manja.
“P/ligj synon të ndërtojë një arkitekturë të re ligjore për sinjalizimin. Për mbrojtjen të individëve që raportojnë shkeljen e ligjit”, tha Adea Pirdeni: Ministër Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Si risi nga ligji i vitit 2016, drafti parashikon detyrimi ligjor për ngritjen e njësisë përgjegjëse me 50 punonjës sinjalizues, për të gjitha autoritetet publike dhe subjektet private, më shumë se 650 punonjës. Projektligji parashikon masa deri në gjobë në rast të mos krijimit të njësisë përgjegjëse. Opozita kundërshtoi draftin, i cili sipas tyre legjitimon spiunët dhe krijon situata konfliktuale në institucione.
“Sa i kanë rënë bilbilit prej 2016-ës? Edhe ndonjë që ka guxuar nga këta të AKPEIT janë marrë peng nga dy tre javë.. Turp e skandal… Të marrim bilbila me federatë me FIFA që kur t’i bien këta bilbilit direkt Europa në këmbë.. lërini spiunët mos na i bëni me grada…”, tha Korreshi
“Këta që i ranë bilbilit për korrupsionin janë ngjirur, një nga këta është ish-zv.kryeministru juaj Ahmetaj”, tha Tedi Blushi i PL.
“Ky instrument ekziston që nga 2016-ës dhe ILDKP ka marrë 97 sinjalizime të jashtme dhe 56 raste të trajtuara nga njësitë brenda instucioneve. Ky projektligj garanton mbrojtje 360 gradë çdo personi që mendon se ka informacione për të mirë të interesit publik”, iu përgjigj ministrja Pirdeni.
“Ky është një ligj që vjen në kohën e duhur dhe momentin e duhur”, tha Manja.
Drafti ligjor i cili vjen në zbatim të direktivës së re të BE-së dhe si mekanizëm shtesë në luftën kundër korrupsionit, do të diskutohet sërish nen për nen në komisionin e ligjeve dhe pritet që në 18 dhjetor të miratohet në seancë plenare.
Në mbledhjen e kësaj të hëne, komisioni i ligjeve miratoi edhe p/ligjin “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve” dhe Për mbrojtjen nga diskriminimi”.
Komente











