Dita Botërore e Tuberkuzolit
mijëra të prekur nga sëmundja

Dita Botërore e Tuberkuzolit<br />mijëra të prekur nga sëmundja
Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, njofton se dhjetra mijëra njerëz të prekur nga forma të turbekulozit, rezistente ndaj ilaçeve, tani janë duke u trajtuar për sëmundjen, falë një mjeti të ri diagnostikimi. Në prag të Ditës Botërore të Tuberkulozit, 24 Marsit, OBSH thotë se një projekt i nisur 5 vjet më parë, po shënon përparime në diagnostikimin e pacientëve të prekur nga forma MDR e tuberkulozit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se në vitin 2012, kishte rreth 500 mijë njerëz në mbarë botën të prekur nga forma e tuberkulozit rezistente ndaj ilaçeve.
 
Megjithatë, më pak se një në katër nga këta persona ishin diagnostikuar, kryesisht ngaqë nuk kishin akses ndaj shërbimeve të nevojshme diagnostikuese.
 
Pesë vjet më parë, OBSH dhe disa agjenci të tjera në partneritet me të, filluan një projekt në 27 vende me të ardhura të mesme dhe të ulëta, për t'i ndihmuar njerëzit e prekur nga forma e tuberkulozit MDR-TB, të cilët nuk marrin ndihmën e nevojshme nga sistemet mjekësore në vendet e tyre. 

Drejtori i Programit Global për Tuberkulozin i OBSH-së, Mario Raviglione, thotë se projekti i njohur si EXPAND-TB, ka bërë përparim. Ai thotë se gjatë vitit 2012, në 27 vende të botës janë zbuluar mbi 70 mijë raste të reja të personave të prekur nga MDR-TB.
 
“Në vitin 2008, një vit para se ta fillonim projektin, këto 27 vende njoftuan vetëm 10 mijë raste të pacientëve të prekur nga MDR-TB. Deri në vitin 2012, numri i rasteve të MDR-TB në këto vende u trefishua. India, psh, dhe ndoshta ky është një nga shembujt më të mirë, që është një vendet që merr më tepër ndihmë nga programi EXPAND-TB u njoftua se kishte 16 mijë njerëz të prekur nga MDR-TB në vitin 2012. Më parë ishin njoftuar vetëm 4-5 mijë raste. Pra, shihet që shifra është rritur në mënyrë dramatike."
 
Të 27 vendet e përfshira në projekt, mes tyre 12 nga Afrika, shtrihen në të gjithë botën. Të gjitha këto vende të marra së bashku, mbajnë 40 për qind të barrës globale të personave të prekur me MDR-TB. 
 
Nisma botërore e shëndetësisë, e njohur si UNITAID, po jep një ndihmë me vlerën e $87 milionë dollarëve për të mbështetur programin  EXPAND-TB.  Një tjetër organizatë, e quajtur FIND, është partneri kryesor i zbatimit të programit.
 
Shefja ekzekutive e programit FIND, Catharina Boehme, thotë se diagnostikimi ndikon tek 70 për qind e vendimeve për kujdesin shëndetësor të pacientëve. Megjithatë, thotë ajo, vetëm 3-5 për qind e shpenzimeve për shërbimin shëndetësor shkon për diagnostikimin.
 
Ajo thotë se rezultatet e analizave tradicionale të diagnostikimit për tuberkulozin marrin më tepër se dy muaj që të dalin. Megjithatë, ajo shton se teknologjitë e reja tani po e bëjnë të mundur  diagnostikimin me shpejtësi të formës së zakonshme të tuberkulozit dhe atij rezistent ndja ilaçeve, në vetëm dy orë.
 
“Përveç përfitimeve të menjëhershme për pacientët, programi EXPAND-TB i ka hapur rrugën analizave të menjëhershme për diagnostikimin e sëmundjes në të ardhmen. FIND aktualisht synon t'i trajtojë nevojat urgjente në bashkëpunim me  partnerë të ndryshëm. Diagnostikimi i shpjetë i sëmundjes ndihmon edhe për marrjen e menjëhershme të mjekimeve që ekzistojnë për këtë sëmundje."
 
Tuberkulozi është një sëmundje infektive, që përhapet përmes ajrit. Në Azinë Jugore dhe Afrikë janë dy të tretat e rasteve kur sëmundja nuk dallohet.
 
Shumica e njerëzve mund të kurohet nga tuberkulozi, duke marrë një kurë me ilaçe për 6 muaj, me vlerën e rreth 30 dollarëve. Por duhen rreth dy vjet për të kuruar njerëzit e prekur me MDR-TB. 
 
OBSH thotë se një regjim kompleks me ilaçet e nevojshme për trajtimin e sëmundjes, mund të kushtojë me dhjetra mijëra dollarë në vendet e pasura. Megjithatë, në sajë të negociatave me kompanitë farmaceutike kostoja e këtyre ilaçeve është pakësuar në rreth 1 mijë e 800 dollarë për pacientët në vendet në zhvillim.

Marrë nga "Zëri i Amerikës"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Niveli më i ulët historik, euro po këmbehet me 100.23 lekë, BSH: Bizneset duhet të përshtaten me normalitetin e ri

Niveli më i ulët historik, euro po këmbehet me 100.23 lekë, BSH: Bizneset duhet të përshtaten me normalitetin e ri