Rreth 6 në 1000 banorë në vendin tonë preken nga epilepsia, një sëmundje neurologjike që shfaqet më shpesh te moshat e reja dhe të moshuarit. Sipas mjekes Aida Quka, epilepsia është një sëmundje kronike e shoqëruar me kriza të përsëritura epileptike, pa një shkak të menjëhershëm si infeksionet apo çrregullimet metabolike.

“Të moshuarit ka një pikë tjetër të sëmundjes, pasi vetë truri vjen duke u degjeneruar, shfaqen më shumë sëmundje dhe këto shkaktojnë fillimin e epilepsisë edhe aty",- thotë Quka.

Sa i përket grupmoshës 30-60 vjeç, epilepsia zakonisht ka një shkak sekondar, si trauma e trurit, infeksionet apo tumoret, çka kërkon ekzaminime të specializuara.

Një krizë e vetme epileptike nuk do të thotë domosdoshmërisht se personi vuan nga epilepsia. Alkooli dhe abuzimi me substancat janë faktorë të rëndësishëm risku, pasi shkaktojnë dëmtime kronike dhe të parikthyeshme në tru.

“Alkooli dhe abuzimi me substancat ka rolin e tyre në shfaqjen e epilepsisë. Kjo vjen pasi ato japin dëmtime kronike në tru, duke filluar edhe në arteriet e trurit, por edhe në qelizat e trurit, duke dhënë dëmtime të parikthyeshme të qelizave. Në qoftë se kriza ndodhi vetëm një herë, quhen kriza të provokuara nga droga, dhe nga alkooli dhe nuk quhen epilepsi”,- thotë Quka.

Mjekët theksojnë se krizat që zgjasin mbi 5 minuta përbëjnë një emergjencë neurologjike, të njohur si status epileptik, dhe kërkojnë trajtim të menjëhershëm spitalor.

Kriza epileptike nuk shoqërohet gjithmonë me humbje të vetëdijes. Ajo mund të shfaqet edhe me shenja të lehta.

“Kriza epileptike, kemi dhe kriza e pa humbje të vetëdijes me shenja të lehta, si për shembull mund të jetë mpirje e dorës, mpirje e këmbës, ndjesi ankthi, një ndjesi konfuzionale halucinacione ose thjesht lëvizje të pakontrolluara të dorës dhe këmbës, por gjithmonë zgjatja është e shkurtër",- thotë Quka.

Nëse merret trajtimi i duhur, 60% e pacientëve mund të kenë një jetë pothuajse normale.