Në “Ditën Botërore pa Duhan”, institucionet shëndetësore ngrenë alarmin për rritjen e përdorimit të produkteve të nikotinës, veçanërisht mes të rinjve. Roland Shuperka, ekspert i kontrollit të duhanit thotë për Report Tv se pasojat e varësisë nga nikotina, shkojnë deri në sëmundjet kancerogjene që vijnë nga djegia dhe toksinat.

“Nga 10 të sëmurë me kancer të mushkërive, 9 janë duhanpirës me ty duhani. Njëkohësisht, 19% është shkalla e incidencës së sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë që shkakton pirja e duhanit, edhe në Shqipëri”, thotë Shuperka.

Edhe sot pas 12 vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit kundër duhanit, zbatimi nuk është ende në nivele të kënaqshme. Shuperka thotë se për shkelësit e përsëritur gjobat kanë qenë të majme, por kjo situatë ka krijuar një terren ku inspektorët e pandërgjegjshëm mund të ushtrojnë presion mbi administratorët e bizneseve në vend që të zbatojnë ligjin.

“U rritën gjobat nga 3 milionë, 6 milionë në përsëritje dhe 13 milionë gjoba e tretë nëse e përsërit brenda 6 muajve. I ke dhënë një inspektori nj gjobë të tillë që trembin bizneset, nuk shkojnë për të zbatuar ligjin. Me gjobë 3 milionë, administratori i një bari qëndron gatitu”, thotë Shuperka.

Sipas OBSH-së, të paktën 40 milionë fëmijë të moshës 13-15 vjeç konsumojnë produkte duhani ose cigare elektronike. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se kompanitë e duhanit po përdorin aroma dhe paketime tërheqëse për të krijuar varësi te adoleshentët, ndërsa kërkojnë masa më të forta për mbrojtjen e shëndetit publik.