Një grup banorësh te “Unaza e Re” kanë protestuar edhe këtë të mërkurë, pavarësisht motit të keq, duke shënuar kështu ditën e 81 të qendresës së tyre kundër projektit “Unaza e Madhe”. Ata vijojnë të kërkojnë anulimin e projektit që prek banesat e tyre, duke bllokuar rrugën e duke thirrur njëzëri: “Rama ik”, “Shtëpia jonë është ndërtuar me gjak”, “Qeveria poshtë”, etj.

Si gjithmonë, në mbështetje të protestës kanë qenë edhe eksponentë të PD-së, mes tyre deputeti Klevis Balliu. Ai u bëri thirrje banorëve që të mbledhin miqtë dhe të afërmit, për të siguruar "rrëzimin" e Ramës.

“Ju po ktheheni në frymëzim për qytetarët, tanimë po shenjohet fundi i Edi Ramës. Është “Unaza” ajo e cila i tregoi fytyrën e vërtetë kryeministrit dhe ajo që do t’i japë goditjen përfundimtare qeverisë së tij (…) Nuk do të ketë më një pinxho kryeministër si ky, që u fsheh në bunkerin e tij kur qytetarët erdhën dhe i kërkuan llogari. Shumë shpejt, Edi Rama nuk do të gjejë më as vrimë miu ku të futet dhe do t’i duhet të përballet me qytetarët”, u shpreh më tej ai.

Thirrjet për nisjet e hetimeve përkundrejt projektit “Unaza e Madhe”, nuk kanë munguar as sot.

“Këtu ka një projekt korruptiv dhe dua t’i bëj thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet. Ky kryeministër nuk mund të fshihet kështu mbrapa këtij projekti, duhen futur në burg të gjithë ata që janë përfshirë në këtë aferë korruptive”, u shpreh një banor.

Protesta e banorëve ndaj projektit “Unaza e Madhe” ka nisur prej më shumë se dy muajsh.Një pjesë e banorëve, të cilët i kanë shtëpitë e pa legalizuara,  do t'iu shemben banesat. Ndërsa ata që i kanë të legalizuara i janë nënshtruar procesit për të marrë dëmshpërblimin që u takon.

Qeveria u ka dhënë si zgjidhje banorëve të prekur, që i kanë banesat pa leje, bonusin e qirasë për tre vite dhe zhvendosjen tek banesat sociale në Shkozë. Por deri më tani, vetëm një pjesë banorësh kanë pranuar bonusin e qerasë, pasi pjesa tjetër vijon të protestojë.