Dita e Drejtësisë, Sokol Sadushi: Dosjet stivë, rrezikohet kolapsi! Nuk kemi ambiente e gjyqtarë! S'duam lëmoshë, të plotësohen detyrimet për gjyqësorin

TIRANË- Në Ditën e Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka evidentuar problematikat me të cilat përballet sistemi gjyqësor në vendin tonë. Në një takim me gjyqtarë, Sadushi vuri theksin te mungesa e burimeve njerëzore në sistemin gjyqësor, si edhe financiare, ndonëse thotë se ka një përmirësim të ndjeshëm. Sadushi thotë se kjo situatë është kritike në të gjitha gjykatat e vendit.

“Megjithëse Gjykata e Lartë ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës post-reformë, falë punës dhe angazhimit maksimal të gjyqtarëve dhe stafit administrativ, por edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor që ka plotësuar numrin e gjyqtarëve, ajo vijon të ketë pamjaftueshmëri të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare. Në fakt, kjo është situata në të gjitha gjykatat e Republikës, që do ta konsideroja problematike, në mos edhe kritike”, tha Sadushi.

Përgjegjësinë për këtë situatë Sadushi nuk ia ‘faturon’ vetëm ekzekutivit dhe legjislativit, por sipas tij rëndon edhe mbi pushtetin gjyqësor të cilët duhet të kërkojnë prej tyre përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore.

“Përgjegjësia rëndon mbi të gjithë Ne gjyqtarët e Republikës, ashtu, si edhe mbi Këshillin e Lartë Gjyqësor, që nëpërmjet reagimit institucional dhe legjitimitetit të vendimmarrjes duhet t´i dëshmojmë ekzekutivit dhe legjislativit se sistemi i drejtësisë nuk zgjat dorën për lëmoshë, por kërkon prej tyre përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore, në funksion të parimeve dhe vlerave, mbi të cilat vepron një shtet i së drejtës”, u shpreh Sadushi.

Kryetari i Gjykatës së Lartë thotë se gjyqtarët po përballen dosjet që po rriten në mënyrë drastike. Të frikshme e quajti edhe situatën e 60 mijë dosjeve stok, ndërsa tha se sistemi i drejtësisë, nuk e plotëson as gjysmën e numrit mesatar të gjyqtarëve për 100.000 banorë.

Kjo e bën të domosdoshme nevojën e gjykatave për mirëmenaxhim, që nuk mund t’ia japin gjyqtarët e mbingarkuar me një vëllim çështjesh në rritje drastike. Ne kemi nevojë për një trupë administratorësh të aftë për të menaxhuar dhe drejtuar, në mënyrë që gjyqtarët të përqendrohen në detyrën parësore, të gjykuarit. Gjykatat nuk mund të kryejnë siç duhet misionin e tyre, nëse struktura, qeverisja, vizioni strategjik, programet dhe veprimet që ndërmerren, nuk krijojnë një perceptim të merituar në publik se gjyqësor është i përgjegjshëm.

Për Sadushin, me problematika është shoqëruar edhe harta e re gjyqësore. Në gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, sipas tij, ushtrojnë funksionin vetëm 26 gjyqtarët nga 78 që parashikon organika.

Shqetësime shprehën edhe kreu i Unionit të gjyqtarëve Gerd Hoxha si dhe kryetarja e KLGJ Naureda Llagani, të cilët folën për ngarkesë mbi normalen si dhe për mungesë gjyqtarësh.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:12
Sokol Sadushi: Anëtarët e KLGJ të rrisin ritmin e punës, detyrën e ushtrojnë me kohë të plotë! Gjyqtarët e tjerë kanë humbur nocionin e ditëve

 

Në Ditën e Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi shfaqi problematikat me të cilat përballen gjyqtarët, ndërsa kritika kishte edhe për anëtarët e KLGJ. Në një takim me gjyqtarët, Sadushi u rikujtoi anëtarëve të KLGJ se janë zgjedhur për të ushtruar këtë detyrë me funksion të plotë dhe tha se duhet të rrisin tempin e punës.

Sadushi ‘tregoi edhe anën tjetër të medaljes’, kur tha se gjytarët nëpër gjykata të tjerat përballen me një fluks pune dhe kanë humbur edhe nocionin e ditëve si edhe të pushimit javor.

“Anëtarët e KLGJ, të cilëve duhet tu rikujtojmë se janë zgjedhur për të ushtruar këtë funksion me kohë të plotë, duhet të rritin maksimalisht tempin e punës, ashtu si kolegët e tyre gjyqtarë, që për shkak të mbingarkesës kanë humbur nocionin e ditëve të pushimit ditor e javor. Nevojat që ka sistemi i drejtësisë nuk janë vetëm të gjyqtarëve, por ato shkojnë në drejtim të shërbimit që u jepet qytetarëve. Ne jemi të vetëdijshëm se një pjesë e çështjeve kërkojnë veprime konkrete nga ekzekutivi e legjislativi, por nëse nuk ka një presion të fortë dhe të vazhdueshëm nga gjyqtarët dhe nëpërmjet nesh nga KLGJ, edhe administrimi i drejtësisë nuk do ketë performancën që nevojitet”, u shpreh Sadushi

Më tej, Sadushi kërkoi nga KLGJ që të adresojë me forcë te qeveria dhe parlamenti nevojat imediate të sistemit gjyqësor.

”Ky forum mes gjyqtarësh është vendi më i përshtatshëm për t’u shprehur dhe për të nxitur KLGJ për të adresuar me forcë tek qeveria dhe parlamenti nevojat imediate të sistemit gjyqësor. Askush më mirë se gjyqtarët nuk i di problemet e gjyqësorit, askush më mirë se gjyqtarët nuk e kupton dhe ndjen peshën e padrejtësisë, cenimin e pavarësisë dhe presionin për shkak të saj. Ne jemi ata që duhet ta bëjmë sistemin gjyqësor të besueshëm, profesional dhe me integritet”, vijoi Sadushi.

Ora 18:52
Harta e re gjyqësore, Sadushi: Apeli vetëm 26 gjyqtarë, parashikon 78! Drejtësia rrezikon kolapsin me 60 mijë dosje stivë

 

Me kritika ka folur kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi për hartën e re gjyqësore, ndërsa u ndal gjatë edhe në funksionimin e Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm (1 Apel në gjithë vendin pas hartës së re gjyqësore).

Sadushi tha Apeli i Përgjithshëm u krijua me një organikë prej 78 gjyqtarësh, ndërkohë që rezulton me vetëm 26 gjyqtarë, ose 30% e kapacitetit. Sadushi shtoi se sallat dhe zyrtar në Apel nuk mjaftojnë as për 30 gjyqtarë.

Ndërkohë, ai shtoi se stoku prej 60 mijë dosjesh rrezikon që të çojë drejt kolapsit sistemin e drejtësisë.

"Një vit pas fillimit të funksionimit të hartës gjyqësore, perceptimi i opinionit publik për administrimin e drejtësisë nuk rezulton të jetë i kënaqshëm. U krijua një Gjykatë Apeli e Juridiksionit të Përgjithshëm për të gjithë Republikën, me një organikë prej 78 gjyqtarësh, ndërkohë që rezulton me vetëm 26 gjyqtarë, ose 30% e kapacitetit, shifër kjo tepër e ulët, krahasuar me gjykatat e tjera. Për këtë gjykatë situata paraqitet më kritike edhe për shkak të infrastrukturës së papërshtatshme të saj, në të cilën zyrat dhe sallat e gjykimit nuk mjaftojnë as për 30 gjyqtarë. E njëjta situatë është edhe në gjykatat e tjera.

Gjykatat e apelit dhe ato të shkallës së parë po përballen me një backlog të frikshëm në shifra që rriten përditë. Është e vërtetë që modeli i zbatuar në Gjykatën e Lartë për uljen e backlogut pati sukses, falë edhe ndihmës së dhënë nga projekti me INL, por nevojitej një strategji konkrete për të ditur si do të vijohet më tej, pas përfundimit të projektit në vitin 2025, ndërkohë që nuk po kuptohet se backlogu prej 60.000 çështjesh, po çon drejt kolapsit dy gjykatat e apelit, që pas disa viteve do transferohet përsëri në Gjykatën e Lartë", tha Sadushi. 

Ora 18:38
Sokol Sadushi: Drejtësi me dy standarde, në gjykatat e Tiranës gjyqet mbahen në zyrat e gjyqtarëve dhe pa audio, në rrethe në sallat gjyqësore

 

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi në Ditën e Drejtësisë ngriti zërin për problematikat me të cilat përballet sistemi gjyqësor në vendin tonë. Në fjalën tij gjatë një takimi me gjyqtarët, Sadushi evidentoi disa problematika lidhur së pari me infrastrukturën, duke thënë se godinat janë të amortizuara dhe nuk hapësira të mjaftueshme.

Sadushi tha se ajo çfarë është më e rëndë është se drejtësia po performon me dy standarde, ku në gjykatën e kryeqytetit seancat zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe pa audio, ndërsa në gjykatat në qarqe të tjera të vendit gjyqet mbahen në sallat gjyqësore.

Tri janë drejtimet kryesore, që evidentojnë mirë apo keq administrimin e drejtësisë.

Së pari: Ne të gjithë e dimë se gjykatat kanë mangësi të theksuara në infrastrukturë, që evidentohet me:

-godina të amortizuara dhe me kufizime të ndjeshme të hapësirës së duhur për punë,

-zyra të pamjaftueshme dhe më e rënda, në disa gjykata, pa salla gjykimi, ku seancat gjyqësore zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe pa regjistrimin e procesit në audio,

-një sistem elektronik, pothuajse anakronik, që nuk siguron informacion menaxherial, por vetëm informacion të kufizuar statistikor mbi numrin e çështjeve të regjistruara e të përfunduara,

-problematika të ndjeshme në mënyrën e administrimit dhe të arkivimit të dosjeve, të çështjeve të sigurisë, apo të krijimit të hapësirave të përshtatshme për publikun etj.

Nuk arrihet të kuptohet se përse është në atë gjendje kritike Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë (dhoma Penale dhe Civile), që detyron zhvillimin e seancave gjyqësore në zyrë dhe gjyqtari nuk guxon të dalë prej saj, sepse në çdo moment do të ndeshet në korridoret e gjykatës me palët dhe me avokatët? Përse duhet të pranojmë Ne gjyqtarët të kemi drejtësi, që perfomon me dy standarde, ku në një gjykatë, qoftë edhe periferike, seancat gjyqësore zhvillohen në salla gjykimi, ndërsa në gjykatën e kryeqytetit seancat zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve? Përse në Gjykatën e Posaçme kemi rregulla standarde për hyrjen e palëve në godinë dhe solemnitetin e zhvillimit të seancave gjyqësore, ndërsa në gjykatat e tjera palët përballen me një tjetër standard, që veçse e delegjitimon drejtësinë? Si është e mundur që është pranuar nga të gjithë Ne dhe, në veçanti nga KLGJ, që dy gjykatat e apelit të kryeqytetit të mos kenë mjaftueshëm zyra dhe salla gjykimi për gjyqtarët? A kemi ndonjë zgjidhje afatshkurtër apo afatgjatë për to?

Po ashtu Sadushi tha se gjykatat përballen me mungesa të ndjeshme burimesh njerëzore. 

Së dyti: Gjykata kanë mungesa të ndjeshme në burime njerëzore, kryesisht në këshilltarë/ndihmës ligjorë, sekretarë gjyqësorë dhe stafin ndihmës administrativ. Menaxhimi i burimeve njerëzore nuk duhet parë si një rol administrativ, por si rol strategjik e thelbësor për suksesin e gjyqësorit.

Mungon një strategji e qartë se si mund të realizohet përmbushja e këtij detyrimi nga KLGJ, kur pengesat për të shtuar numrin e ndihmësve ligjorë, sekretareve gjyqësore apo të stafit administrativ rezultojnë të jenë sa ligjore, aq edhe financiare e strukturore, sidomos kur planifikohet buxheti dhe nuk parashikohet dhe as insistohet te ekzekutivi dhe legjislativi për nevojën e rritjes së numrit të punonjësve në gjykata. 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar