Ditën e sotme në  Velipojë janë shembur 12 biznese pa leje nga 27 që ishin planifikuar. Pavarësisht pengimit nga ana e kryebashkiakes së Shkodrës, Vlotana Ademi për të mos i prishur bizneset e ndërtuara pa leje në Veliopojë, gjatë orëve të pasdites IKMT është rikthyer përsëri për të çuar deri në fund operacionin e shembjes. Rikthimi i IKMT-së  ka sjellë edhe përplasje mes banorëve. Ata vazhdojnë të kundërshtojnë shembjen e ndërtesave me gurë e lopata kundrejt policisë. Njërës nga banoret i ra të fikët gjatë shembjes për shkak të situatës.

"Të paktën të prisni deri më 1 shtator që të prishet, merrni Lleshajn e hajdeni prisheni. Më nxirr automatikun dhe më vrit!", është shprehur pronari i biznesit që do të prishet.

Pavarësisht debatit që një ditë më parë dy kyebashkiakë, Voltana Ademi e Shkodrës dhe Pjerin Ndreu i Lezhës bënë me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për të mos prishur ndërtimet në bregdet në kohën e sezonit veror, në Velipojë ishin prezent inspektorët e IKMT. Aty janë planifikuar për tu shembur 27 objekte dhe deri tani është prishur vetëm një dhe një tjetër është çmontuar nga vetë pronarët. E pranishme ishte edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila pengoi vazhdimin e aksionit, pasi kërkon nga IKMT vendimin e prishjes. Për sot aksioni u pezullua. 

Nga ky aksion është përjashtuar IMT e Bashkisë Shkodër, e cila nuk është njoftuar për ndërhyrjen. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, në një prononcim për gazetarët dhe se do të qëndrojë atyre derisa të sjellin shkresën me shkrim  për shembjen e këtyre bizneseve.

Momente përplasje

 

Sipas Ademit edhe nëse ka një vendim të tillë, ajo propozon që ato të mos prishen tani, por në një fazë të dytë pas sezonit veror.

"Unë pardje kam marrë një telefonatë nga ministria e Mjedisit dhe dje kemi qenë në takim. ndërkohë që unë po hyja në takim jam njoftuar që kishin filluar të rrethonin objektin. Po përdorin edhe emrin e bashkisë Shkodër. Bashkai bën fjalë për procedura të ndjekura para disa vitesh, që kanë ndjekur një rrjedhë logjike dhe gjyqësore. ja kemi vënë në dispozicion. Kur ishte ministri këtu kemi diskutuar që mbase ishte rasti që të vlerësoheshin të gjithë ndërtimet në bregdet, që ishin stacione plazhi dhe shërbime. Duhet të keni në konsideratë që policia e shtetit në momentin që i lejon duhet të marrë përgjegjësinë për ti dalë përballë njerëzve, Unë kam kërkuar zbatimin rigoroz jo selektiv të ligjit. Nëse bëhet fjalë për ndërtime pa leje kam kërkuar që në fillim të sezonit të mos prishen, por të shihej mundësia e verifikimit dhe vënies në shfrytëzim. Nëse do kishte një vendim për prishje të bëhej në shtator. Unë do përballem me ministrin, me IKMT, do të bëj ankesën time pranë autoriteteve ndërkombëtare. Të gjithë që paraqiten për të prishur duhet të shpjegoj edhe ligjin.  Kur ka një vendim të IMT është bashkia Shkodër që jep urdhrin. Nuk ka bërë ndonjëherë vaki që IKMT me procesverbal të bashkisë Shkodër të marrë urdhër. E bën urdhrin vetë për procesverbalet e veta. Mungesa e transparenca, përdorimi politik, keqmenaxhimi në dëm të biznesit, dëmi që po shkaktohet . Duhet të merret në konsideratë mirëmbajtja. Nuk rregullohet vendi duke shkatërruar. ne ishim në mbledhje dje për këtë qëllim dhe këtu filluan prishjet. Unë do rri gjithë ditën këtu dhe nëse ka një vendim për prishje unë kam nevojë ta shoh vendimin dhe t'ja tregoj gjithë medias. nëse ka vendim për prishje do të duhet ta shohim me të gjitha klauzolat. nuk mund të kemi për njërin ndryshe dhe për tjetrin ndryshe. Ajo që unë pretendoj është që për të gjithë ndërtimet mos bëhen në muajin qershor. Nëse  ka një vendim të mos bëhen tani, të shtyhen. Në momentin që po flasim shumë biznese kanë aplikuar për stacione plazhi.  Ndërhyrja është e paligjshme dhe unë po pres që të kemi urdhrin me shkrim. Ne do të kërkojmë zhdëmtimin që i kanë shkaktuar të gjithë bizneseve", tha kryebashkiakja Ademi.

Deklarata e Voltana Ademit

Një ditë më parë, aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Territorit në këtë zonë u shoqërua me tensione mes policisë dhe pronarëve të 'beach bareve', të cilët kanë kundërshtuar prishjen e objekteve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:51
Shembet një tjetër biznes në Velipojë, banorët vijojnë të qëndrojnë aty

Shembet një tjetër biznes i ndërtuar pa leje në plazhin e Velipojës. Banorët  vijojnë të qëndrojnë aty, por situata është qetësuar dhe nuk ka më përplasje mes tyre e policisë. Disa prej banorëve dëgjohen në video duke qarë për djersën që kanë derdhur gjatë këtyre viteve.

Ora 19:08
Velipojë/ I ra të fikët kur biznesi po shembej, vajza ngrihet dhe hidhet në krahët e babait për ta përqafuar! Momenti prekës nga protesta

Nuk mundi dot që ta mbronte biznesin e ngritur me shumë mund. Ajo ishte aq e pafuqishme, sa në momentin e që ndërtesa po shembej, humbi ndjenjat!

Pas ndihmës së dhënë, edhe nga një polic, vajza u ngrit, biznesi nuk ishte më aty, por gjeti strehim në krahët e babait të saj, në përqafimin e ngrohtë të tij, moment prekës i filmuar nga kamerat e Report Tv, teksa në sfond dëgjihen të qarat e gruas. 

Ora 18:52
Tension mes policisë dhe banorëve, hidhet gaz lotsjellës për t'i larguar, një vajze i bie të fikët

Për të bërë të mundur largimin e banorëve policia është detyruar të hedhë gaz lotsjellës. Një vajze i ka rënë të fikët nga përplasja fizike dhe tensioni i krijuar mes policisë dhe banorëve. Pronarët e bizneseve janë shfaqur duke qarë gjatë përplasjes.

 

Ora 18:31
Rifillon prishja e banesave nga IKMT në Velipojë, përplasje me gurë e lopata nga banorët

Ka rifilluar prishja e 27 objekteve në Velipojë nga IKMT, pas pezullimit nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi. Rikthimi i IKMT-së për të çuar deri në fund operacionin ka sjellë edhe përplasje mes banorëve. Ata vazhdojnë të kundërshtojnë shembjen e bizneseve, por kësaj rradhe duke përdorur kundër policisë lopata e gurë. 

"Të paktën të prisni deri më 1 shtator që të prishet, merrni Lleshajn e hajdeni prisheni. Më nxirr automatikun dhe më vrit!", është shprehur pronari i biznesit që do të prishet.

 

 

 
 
Ora 12:38
Voltana Ademi: Nuk mund të përfundoj në burg për shkak se policia e shtetit është e inkriminuar (VIDEO)

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi nga Velipoja ka bërë një tjetër deklaratë. Ajo akuzon policinë e shtetit se në kohën e pandemisë kur të gjithë nuk i lejonte të dilnin, në plazh kundër rregullave ka lejuar lëvizjen.

"Ajo që unë i kam thënë ministrit është që policia duhet të veprojë dhe nëse në pandemi nuk na lejoji të lëviznin, policia e shtetit ka lejuar të lëvizin njerëz në plazh dhe këtë nuk mund tja hedhin bashkisë Shkodër , sepse kryetarja e bashkisë nuk mund të përfundojë në burg, sepse policia është e inkriminuar. Ky është diskutimi që kam bërë me Sandër Lleshajn në Velipojë", tha Ademi.

Ora 12:11
Pronarët e bizneseve në Velipojë: Po na shkatërrojnë pronën, jemi në proces gjyqësor (VIDEO)

Pronarë të disa bizneseve në zonën e plazhit në Velipojë kanë debatuar me punonjësit e IKMT, të cilët janë në pritje për të vazhduar aksionin për të shembur objektet.

"Po na shkatërroni pronën, si nuk ju vjen trup. A je shtet ti apo jo, hajde këtu, mos ik ashtu. Hajde jepni shpjegim", thanë pronarët e objekteve gjatë debatit. 

Ndërsa një tjetër pronar tha për mediat: "Nuk është mirë që të diskriminohemi dhe të selektohemi. Çështja për të cilën këto po veprojnë është në proces gjyqësor. Kjo nuk është e drejtë."

Ora 12:10
Aksioni në Velipojë, Ademi mesazh Dallëndyshe Bicit: Më dërgo urdhrin e ekzekutimit (VIDEO)

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi i ka dërguar një mesazh kreut të IKMT, Dallëndryshe Bici, ku i kërkon urdhrin e ekzekutimit për prishjen e objekteve në zonën e Velipojës.

"IKMT kam nevojë të kem urdhërin e ekzekutimit të IKMT. Ju faleminderit, Voltana Ademi", i shkruan kryebashkiakja e Shkodrës.