BRUKSEL – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian Catherine Ashton bëri një deklaratë sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave ku midis të tjerash evidentoi faktin se gratë kanë bërë përparime por ngelet akoma rrugë për të bërë.

“Gratë kanë bërë përparime të mëdha, por mbetet ende një rrugë e gjatë për arritjen e një bote pa diskriminim gjinor,” tha baronesha Ashton në deklaratën e saj.

Ajo theksoi se Bashkimi Europian mbetet i angazhuar për mbështetjen e barazisë gjinore. Sipas saj, BE financon rreth 200 projekte dhe nisma në botë që synojnë të ndihmojnë gratë të përfitojnë nga arsimi dhe shërbimi shëndetësor, të punojnë dhe të jetojnë të lira nga dhuna dhe diskriminimi dhe të zënë vendin e duhur në shoqëri.

“Të drejtat e të gjitha grave dhe vajzave janë një përparësi universale për BE-në dhe kjo reflektohet në diskutimet aktuale të planit post- 2015 për zhdukjen e varfërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm,” tha baronesha Ashton në deklaratën e saj.

MESAZHI I CATHERINE ASHTON NË DITËN E 8 MARSIT
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, ne festojmë transformimin e vërtetë që ka parë botë në të drejtat e grave, falë arritjeve individuale dhe pjesëmarrjes sonë të përbashkët në jetën politike. Gratë kanë bërë përparime të mëdha, por mbetet ende një rrugë e gjatë për arritjen e një bote pa diskriminim gjinor. Aksesi i barabartë në arsim dhe në shërbimet shëndetësore dhe mundësia për t’u bërë pjesëmarrës me të drejta të plota në jetën politike është e drejta e kujtdo dhe një përbërës thelbësor i demokracisë. Qëndrueshmëria afatgjatë dhe zhvillimi mund të arrihen vetëm nëse trajtohet dhuna dhe diskriminimi kundër grave.
 
Bashkimi EUropian mbetet i angazhuar për mbështetjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave. Aktualisht BE financohen rreth 200 projekte dhe nisma në botë që synojnë të ndihmojnë gratë të përfitojnë nga arsimi dhe shërbimi shëndetësor, të punojnë dhe të jetojnë të lira nga dhuna dhe diskriminimi dhe të zënë vendin e duhur në shoqëri. Të drejtat e të gjitha grave dhe vajzave janë një përparësi universale për BE-në dhe kjo reflektohet në diskutimet aktuale të planit post- 2015 për zhdukjen e varfërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
 
Aty ku gratë përparojnë, shoqëritë përparojnë; aty ku gratë vuajnë, vuajnë edhe shoqëritë ku ato jetojnë. Kam pasur privilegjin të takoj shumë gra frymëzuese, që përmes punës së tyre të madhe dhe sakrificave kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në historinë e vendeve të tyre. Sot unë i nderoj këto gra, guximi dhe vendosmëria e të cilave shtroi udhën për brezat e ardhshëm.

Redaksia online
(el.sk/shqiptarja.com)