3 Maji është Dita e Lirisë së Shtypit. Sipas Eurostat, në vitin 2020, kishte pothuajse 393 mijë gazetarë në 21 Shtete Anëtare të BE-së, që përfaqësojnë 0.2% të punësimit total në këto Shtete Anëtare të BE-së. Midis tyre, gratë dhe burrat ishin pothuajse të përfaqësuar në mënyrë të barabartë (48% kundrejt 52%). Mbi një e treta e këtyre gazetarëve ishin të moshës 35-49 (35%), ndërsa ata nën moshën 35 vjeç përbënin një proporcion të ngjashëm (34%), të ndjekur nga ata të moshës 50 ose më shumë (32%).
Midis shteteve anëtare të BE, Suedia regjistroi peshën më të lartë të personave të punësuar në aktivitete botuese (0.8% të punësimit total), pasuar nga Finlanda, Danimarka dhe Gjermania (të gjitha 0.6%) si dhe Franca (0.5%).
Në Shqipëri ulet numri i mediave, por rritet i gazetarëve
Numri i gazetarëve ka shënuar nivelin rekord në vitin 2019, duke iu afruar shifrës 2 mijë (viti i fundit kur janë të dhënat e disponueshme).
Sipas të dhënave të INSTAT, në aktivitetin “Publikime dhe prodhime programesh” kishte gjithsej 1,965 të punësuar në vitin 2019, ose 0.37% e totalit të punësimit në privat, duke qenë pak mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Numri i të punësuarve në aktivitetin e “Publikime dhe Prodhime programesh” është dyfishuar në krahasim me 2010-n, sipas INSTAT, ndërsa u rrit me 8% në raport me 2018-n.
Ndryshe nga tendenca në rritje e gazetarëve numri i mediave ka ardhur në rënie me 4.2% në 2019-n, për herë të parë që pas një zgjerimi të shpejtë të dekadës së fundit, të lidhur me lulëzimin e mediave online.
Në vitin 2019, në aktivitetin e “Publikime dhe prodhime programesh” kishte 426 ndërmarrje nga vetëm 57 të tilla në 2011-n.
Pasojat e Covid-19
Aleksandër Çipa, Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, tha për Monitor se gjatë vitit 2020 dhe 3 mujorit të parë të vitit 2021, skena mediatike në Shqipëri ka pasur disa ndryshime dhe ka përjetuar disa pasoja të ndjeshme. “Përgjatë kësaj periudhe në këtë skenë janë në marrëdhënie pune rreth 2160 gazetare në një spektër të madh multimedial. Pjesën më të madhe të gazetarëve të punësuar e zënë radiotelevizionet dhe katër platforma digitale dhe së dyti spektri prej rreth media 800 online. Ndërsa kanë mbetur vetëm dy gazeta lokale nga 8 që kishte viti 2019, (Bulevard-Durrës, dhe Rruga e Arbrit- Dibër) dhe janë reduktuar mbi 26 revista periodike. Janë mbyllur tre tv lokale dhe është çelur një radio (Sarande)”. Shifrat e radiotelevizioneve janë te faqja e AMA.
Çipa shton se gjatë kësaj periudhe ka pasur në 20 për qind të mediave vonesa pagash që shkojnë deri në një muaj. Në 10 per qind rastesh ka pasur gazetarë që aplikuan për përfitimin e pagës emergjente në kuader të COVID-19. “Ndërkohë që rënia e të ardhurave nga reklamat dhe marketingu është ndier deri në masën e 30 për qind. Në 13 gazeta të përditshme ka pasur reduktime të stafeve të redaksive. Jane vetëm 15 raste të shënuara si largime nga puna dhe shkrutimet janë kompensuar me kalime në redaksitë e Online- të mediave print”.
Sipas INSTAT, paga mesatare në aktivitetin e publikimeve dhe prodhimeve të programeve ishte 38.3 mijë lekë në 2019-n, me një rritje prej 9% në krahasim me vitin e mëparshëm, por që mbetet rreth 30% më e ulët se paga mesatare në ekonomi. Por, informaliteti i punës në tregun mediatik vlerësohet ende tepër i lartë.
Çipa thotë se gjithsesi vitet e fundit është shënuar përmirësim në deklarime. Por ende sigurimet paguhen për pagën bazë. “Vetëm në 15 për qind na rezultojnë pagesa të ndryshme kryeredaktorë dhe zv kryeredaktorë dhe drejtues emisionesh që paguajnë më tepër sigurime shoqërore”.
Norma e fitimit të këtij sektori ishte rreth 13% në 2019-n, duke shënuar dhe vitin më të mirë që kur raportohen të dhënat nga INSTAT.
Shtypi jo dhe aq i lirë
Sipas “Reporterë pa kufi”, që publikon renditjen e lirisë së shtypit në indeksin e vitit 2021, Shqipëria renditet e 84. Serbia zë vendin 93, Maqedonia e Veriut renditet e 92-a kurse Mali i Zi renditet më keq në vendin e 105-të.
Kosova zë një vend më të mirë atë të 70-të. Më mirë në rajon është Bosnja-Hercegovina, në vend të 59./ Monitor