Dita e Pavarësisë dhe festa e Çlirimit, ministri i Brendshëm nga Londra: Historia e kombit tonë na bën krenarë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë qëndrimit në Londër ku po zhvillon një vizitë zyrtare, festoi së bashku me një komunitet shqiptarësh, përfaqësues të spikatur në fusha të ndryshme, si dhe miq britanikë, festat kombëtare të Nëntorit, atë të Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit.

"Historia jonë na bën krenarë. Ajo është historia e një kombi të cilit i është dashur të luftojë gjithmonë për lirinë, pavarësinë integritetin dhe dinjitetin tonë kombëtar", iu drejtua Balla të pranishmëve.

Ai veçoi virtytin e mikpritjes së popullit shqiptar, si pjesë të ADN-së së tij.

"Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Pyesni hebrenjtë si i pritën e si i mbrojtën shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke rrezikuar edhe jetën e tyre përballë pushtuesve nazi-fashistë", tha Balla.

Ministri pohoi se Shqipëria sot është krenare për miqësinë dhe aleancën strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, vendet e Bashkimit Europian dhe të gjitha vendet mike.

"Bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian janë një arritje historike, falë përkushtimit ndër vite të të gjitha qeverive shqiptare në këto tre dekada", nënvizoi ministri.

Më tej ai shtoi se diaspora duhet të gëzojë të drejtën e votës dhe të mbështetet me programe që nxisin kontributin, ekspertizën dhe investimet e tyre.

"Dua t’ju kujtoj regjistrimin e adresës suaj, në mënyrë që ne t’ju ofrojmë më shumë shërbime online nga Shqipëria këtu", apeloi Balla.

Shqipëria e Britania e Madhe kanë një histori që këtë vit shënoi 101 vite miqësie, tha Balla, duke theksuar kontributin e palës britanike gjatë luftës.

"Oficerët britanikë të ndërlidhjes janë pranë  këtyre partizanëve dhe i kanë çmuar lart cilësitë e tyre luftarake në zhvillimin e ardhshëm në teatrin e luftës për Mesdheun'', do të shprehej Kryeministri britanik Winston Churchill në vitin 1943", u shpreh ai.

Të ngrira në periudhën e komunizmit, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar janë sot në një nivel të shkëlqyer, me kontributin e paçmuar që jep komuniteti shqiptar që jeton në Ishull.

"Deklarata diskriminuese me natyrë ksenofobe apo lajme tendencioze nga media të caktuara, janë të papranueshme. E sigurtë është se asgjë nuk mund ta zbehë faktin se miqësia mes dy popujve shqiptar e britanik mbart gjithmonë vlera të jashtëzakonshme", deklaroi ministri Balla nga Londra.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?