Dita e Pavarësisë ka mbledhur mbrëmjen e sotme në Pallatin e Brigadave, politikanë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe diplomatë. Gjatë fjalës ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta u shpreh se emigracioni është plaga e shoqërisë shqiptare, ndërsa kërkoi dialog mes shumicës dhe opozitës.
“Nëse historia në mënyrë të padrejtë tentoi të na ndante, populli shqiptar arriti që të mbijetonte dhe të afirmohet. Kohët kanë ndryshuar, por parimet që lanë pas që nga Skënderbeu dhe Ismail Qemali janë apeluese dhe aktuale edhe sot. Kthimi i Shqipërisë në familjen Europiane është një mision i papërmbushur. Ne shqiptarët jemi ndër popujt me nivelin më të lartë të emigracionit në botë, por ia kemi dalë të ruajmë traditat.
Në përfundim të fjalës kreu i shtetit ka trokitur gotat me kryeministrin Rama, bashkëshorten e tij Linda, kreun e parlamentit Gramoz Ruçi, por edhe të ftuarit e tjerë që ishin të pranishëm. Në kuadër të 106 vjetorit të Pavarësisë në të gjithë vendin u zhvilluan disa aktivitete, ndërsa epiqendra ishte në Vlorë. Si sot, 106 vite më parë, më 28 nëntor 1912, u shpall Pavarësia e Shqipërisë në Vlorë (lexo këtu).