/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zhvilloi sot në IEVP "Ali Demi" aktivitet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
I pranishëm në aktivitet ishte Drejtori i Përgjithshëm i Brugjeve, Artur Zoto dhe Përfaqësuesja e Ambasadës së Mbretërsisë së Vendeve të Ulëta, Dewi van de Weerd.
"Ne kemi një projekt ambicioz për punësimin e grave të dënuara. Projekti i parë ka të bëjë me afrimin në institucion të tre bizneseve që kanë të bëjnë me punime artizanale. Dhe së dyti, për të zhvilluar hortikulturën, kultivimin e luleve dhe pemëve dekorative. Kemi në plan të krijojmë një njësi shitje apo rrjet shpërndarje të prodhimeve tuaja. Prania e ambasadores së ardhshme të Hollandës është një garanci për të drejtat tuaja", u shpreh Zoto në fjalën e tij.

Ndërsa, Ambasadorja e ardhshme e Hollandës, Van de Weerd u shpreh entuziaste për mundësitë e shumta që po u ofrohen grave në këtë institucion, siç janë kurset profesionale, edukimi etj.
"Faleminderit për ftesën tuaj që unë të jem e pranishme në këtë ditë, kur barazia e grave është një nga gjërat më të rëndësishme dhe fakti që ju jeni këtu sot nuk do të thotë se nuk keni të drejta. Sot do të shfaqim një film në kuadër të maratonës së filmave të mundësuar nga Ambasada hollandeze.
Ky është film për shpresën dhe luftën për të drejtat e grave, ku kemi parasysh të jetuarit me dinjitet, me fëmijet dhe familjet e tyre. Gruaja duhet të gëzojë të gjitha të drejtat dhe unë dua t'ju motivoj për këtë", u shpreh ajo.
Të pranishmit patën mundësi të vizitonin ekspozitën me punime të grave të dënuara në grep, qëndisje etj. Gjithashtu, për gratë u shfaq edhe një film me tematikë të drejtat e grave, mundësuar nga Ambasada Hollandeze në Tiranë. Kjo përfaqësi dhuroi edhe rrënjë tulipanësh për gratë e institucionit të burgut