Liljana Demi është 72 vjeçarja, e cila jeton e vetme në një lagje të Tiranës. Ajo tregon se cdo ditë përballet me vështirësi shëndetësore për shkak të moshës, por edhe ekonomike. Me një pension prej 14 mijë lekësh, Liljana tregon se ilaçet dhe ushqimet janë një barrë e madhe.
“Pension e kam 140 mijë lekë të vjetra. Ku të shkoj me këto lekë, që nga shkopi që po më shikon, ilaçet e deri te ushqimet. Për moshën e tretë është shumë problematik”, thotë Liljana Demi.
E ve prej tre vitesh, 72-vjeçarja ka humbur bashkëshortin nga një sëmundje e rëndë. Sfidat e saj të vështira kanë qenë edhe me dy djemtë e saj, njëri prej tyre i paralizuar pas një aksidenti me motor. Ndërsa tjetri has vështirësi ekonomike me familjen e tij pasi të ardhurat i ka të kufizuara.
“Unë kam dy çuna. Njërin e kam në karrocë, më është vrarë në motor. Me ato rroga që ka, ku të shkojë? Si mund të mbajë familjen ai me 100 mijë lekë sa i ka vënë shteti? Është e vështirë shumë edhe për djalin, edhe për mua”, thotë ajo.
Më 1 Tetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, vëmendja shkon pikërisht te nevojat e kësaj grupmoshe, nga të ardhurat dhe shërbimet sociale te mbështetja për ata që jetojnë vetëm.
Bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT përqindja e personave mbi 65 vjeç ka arritur në 19.5% të totalit, nga 12.4% që ishte në vitin 2000, ndërsa pritet që kjo përqindje të rritet në mbi 30% brenda 20 viteve të ardhshme, duke krijuar presion të madh mbi sistemin shëndetësor dhe shërbimet sociale.
Në nivel social, sipas raportit të fundit te KLSH rreth 60% e të moshuarve jetojnë në zonat rurale, ku aksesueshmëria në shërbime shëndetësore dhe sociale është më e kufizuar, dhe vetëm 38% e tyre përfitojnë nga shërbimet sociale.










Komente
Komento