Me arra, pala fiku, ftonj e bollokume elbasanit mirëpresin turistët e ardhur nga qytete të ndryshme të vendit por dhe nga trevat shqiptare jashtë vendit. Hiset ndahen veç për të ftuarit të cilët janë pjesë e festës, ndërsa qyteti ofron shumëllojshmëri aktivitetesh por edhe restorantesh, në të cilën mund të kalohet siç do të donit festën e ditës së verës.
FESTIMET NISEN MBREME
Që prej mbrëmjes së djeshme, Elbasani ka hapur dyert për të pritur mysafirët e ardhur nga e gjithë Shqipëria. Gjithçka ishte e mirëorganizuar për ditën e verës 2012. Sheshi "Gensher" mbrëmë gumëzhinte nga të pranishmit në koncertin e planifikuar për këtë festë, ku performuan artistë të folkut dhe turbofolkut: Eglantia Toska, Ansambli Trad Folk Tirana, Vellezerit Endri dhe Stefi Prifti, Kastriot Tusha, Shkëlzen Jetishi etj. Artistë të rrokut, hip-pop, pop, R&B: Eneida Tarifa, Samanta Karavelo, Redon Makashi, Grupi Burn Elita 5 etj.
ELBASAN, GJITHCKA ARGETUESE DHE FESTIVE
Dita e sotme nisi me dhjetra veprimtarive të tjera argëtuese e festive të organizuara nga bashkia e qytetit. Bulevardi Qemal Stafa ishte kthyer në një shesh ku mund të gjeje gjithçka argëtuese dhe festive. Festimet nisën me krosin e përvitshëm, si edhe në aktivitetin e karnavaleve organizuar nga Qendra e Artit, me shkollat 9- vjeçare të qytetit. Më pas parakalimi i bandës muzikore të qytetit.
Bashkia kishte planifikuar edhe performacen e animatorëve të ndryshëm dhe cirkut të qytetit të Tiranës. Ishin organizuar stenda ku ekspozoheshin produktet tradicionale, gatime tipike të zonës, me dhe pa pagesë. Kuzhinierë profesionistë kishin sjellë më të mirat e produkteve shqiptare në të njëjtën kohë duke argëtuar publikun me mënyrën e të gatuarit. Një vend të vecantë kanë qenë dhe skena interpretimit; Të gjithë artistët e rinj janë ngjitur për të performuar në skenë. Festës i janë bashkuar liderët e politikës shqiptare si kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PS –së, Edi Rama.
BERISHA: ELBASANI SOT KRYEQYTET
Kryeministri Berisha zgjodhi Elbasanin, i cili sot në ditën e verës është dhe “kryeqyteti i Shqipërisë”. Elbasani është qendra e festimeve, dhe nuk mund të mungonin as bashkëshortja dhe dy mbesat e kryeministrit. Berisha vizitoi dhe panairin e hapur në Pallatin e Sportit.
“Kjo festë festohet në mbarë Shqipërinë, por ju e keni shpallur sot Elbasanin kryeqytet të vendit, pasi keni meritën e ruajtjes së kësaj tradite dhe feste pagane”, u shpreh Berisha gjatë vizitës së tij në Panair. Ai siguroi se me hapjen e Tunelit 14 marsin e 2013 edhe Tirana do të festojë në Elbasan. Berisha tha se “prania e firmave është dëshmi e një qëndrueshmërie dhe rritjeje të ekonomisë, në këtë stuhi të fuqishme të krizës botërore” dhe premtoi mbështetjen e qeverisë për bizneset.
RAMA: SHQIPTARET MERITOJNE NJE RILINDJE
Kryetari i PS, Edi Rama ka shfrytëzuar festën për të bërë një paralelizëm mes diellit të sotëm që largon dimrin dhe rilindjes shqiptarem nëpërmjet programit të PS-së. “Bashkë me kthimin e diellit lehtësohen plagët sociale dhe hallet e familjeve të zakonshme. Jam i bindur se mertiojnë një rilindje shqiptare për të bërë të mundur të kenë një punësim, dhe të taksohen sipas mundësive dhe jo si të pasurit. Një rilindje shqiptare do të bëjë të mundur që rrugëtimi i Shqipërisë drejt së ardhmes t`i ngjajë sa më shumë rrugëtimit të këtyre njerëzve në këtë ditë me diell.”- tha Rama.
VLONJATET FESTOJNE NE ELBASAN E TIRANE
Qindra qytetarë vlonjatë u nisën mbrëmjen e të martës dhe mëngjesin e sotëm drejt Elbasanit, por edhe Tiranës, për të festuar Ditën e Verës. Ka pasur dhe nga ata që kanë preferuar shëtitjet në bregdet, apo frekuentimi i bareve dhe restoranteve të shumta në zona turistike si Rradhima, Orikumi, Llogoraja apo fshati Nartë. Ndonëse me traditë elbasanase, ballokumja nuk ka mundur nëpër ëmbëltoret e Vlorës.
SEJDINI: ASKUND NUK FESTOHET ME MIRE SE NE ELBASAN
"Nëse do të doni të festoni ditën e verës, këtë mund ta bëni vetëm në Elbasan. Qyteti ynë ofron shumëllojshmëri aktivitetesh por edhe restorantesh, në të cilën ju mund të kaloni siç do të donit festën e ditës së verës". Ky është apeli i kryetarit të Bashkisë Qazim Sejdini. Njeriu që ka pritur me mijëra e mijera turistë nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe jashtë shqipërisë, këtë gjë bën edhe ditën e sotmë. "Ju garantoj, Elbasani është qyteti që mund të festohet, dhe në mënyrë të veçantë, mund të festohet dita e verës" thotë ai për shqiptarja.com. Sot është dita e verës në Elbasan. Në të gjithë qytetin janë ngritur flamujt e festës. Dhe nuk është e thënë të përmendet që aktivitete do të ketë vetëm ditën e sotme. Për elbasanllinjë, aktivitetet kanë filluar që herët, që në datën 9 mars. Bashkia e qytetit ka marrë masat që kjo festë të festohet më shumë në Elbasan sesa në çdo qytet tjetër.
(sg/shqiptarja.com)