TIRANE- Aktivitetet dhe përgatitjet për festimet e Ditës së Verës në kryeqytet shkaktuan përplasje mes Bashkisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit.

Drejtori i Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës, Arben Skënderi deklaroi se aktiviteti i qeverisë për festimet është i paligjshëm, ndërsa Policia e Shtetit nuk ka lejuar heqjen e fushës së basketbollit, e cila prej më shumë se 2 javësh gjendet në Lulishten e “Vëllezërve Frashëri”, për të krijuar një pistë ku të kërcenin fëmijët.

Bashkia pretendon se ka leje për ngritjen e pistës së vallëzimit, në vendin ku u ngrit minifusha e basketbollit në të cilën mori pjesë dhe kryeministri Rama. Ky debat ka sjellë që mes përfaqësuesve të bashkisë dhe atyre të policisë të ketë edhe konfrontime. “U bënë disa ditë që ne kemi shpallur axhendën e aktiviteteve tona. Kemi lajmëruar policinë e shtetit, kemi lajmëruar instancat përkatëse. Ajo që po ndodh këtu është se ne kemi parashikuar ngritjen e një skeme të dedikuar për kërcimin.

Fëmijët e vegjël po presin që të instalohet skena, por po na pengohet ku gjithçka është me leje” ka pohuar Skendëri. Policia e shtetit nuk ka lejuar zhvendosjen e fushës, ku ishte planifikuar më herët të luante kryeministri. Për disa minuta situata u tensionua mes dy policive, deri sa u gjet një zgjidhje konsensuale. Grupi i kërcimit u spostua në sheshin ngjitur dhe fusha e basketbollit nuk u prek. Zona u rrethua nga një kordon policie, për arsye sigurie, ndërsa aktivitetet u zhvilluan të ndara. Pavarësisht këtyre incidenteve kjo nuk pengoi festën e qytetarëve në këtë ditë.

Shkrimi u publikua sot (15.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)