Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve, Spiropali: Në kalendar janë propozimet për ndryshime në ligjin e të përndjekurve dhe dekriminalizimin

Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve, Spiropali: Në kalendar janë propozimet për ndryshime në ligjin e të përndjekurve dhe dekriminalizimin

Elisa Spiropali

Në kuadër të 23 gushtit, Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, të përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës, për të nderuar dinjitetin njerëzor të viktimave të totalitarizmit, në kalanë historike të Porto Palermos u mbajt  aktiviteti “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”.

Lek Pervizi, Lek Mirakaj, Dine Dine, Bibjan Mirakaj dhe Rudina (Dema) Mane treguan dëshmitë e tyre nga jeta në kampin-burg të Porto Palermos,

Kryetarja e Kuvendit Elisa  Spiropali tha se edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 dekada nga ndërrimi i sistemeve, vuajtjet e asaj kohe janë ende të freskëta . 

‘Shpesh këshillohet se për të ecur përpara nuk duhet kthyer koka pas. Po aq shpesh thuhet dhe e kundërta. Që të kesh siguri dhe garanci për të mos u përsëritur e liga në të ardhmen një sy duhet mbajtur gjithherë nga e shkuara. Ka vetëm 3 dekada e pak që Shqipëria u nda nga diktatura komuniste. Foshnjet e lindura në atë kufi thyerje të historisë tashmë janë prindër e prindërit e tyre janë gjyshër nipash e mbesash. Është shumë e vështirë t’i shpjegohet fëmijës së sotëm se çfarë ishte burgu i ndërgjegjes. Se çfarë peshe kishte dera e qelisë.’- tha Spiropali.

Spiropali u shpreh se në kalendarin e punës së Kuvendit, ka propozime për ndryshime në ligjin për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist por dhe për ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike i njohur si ligji i dekriminalizimit. Ajo garantoi se do të synojë mbështetjen dhe konsesusin e të gjithë grupeve parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e tyre.

‘Në tryezën time si edhe në kalendarin e punës së Kuvendit kemi propozimet për ndryshime në ligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në kuadrin ligjor e nënligjor për pafajësinë, amnistinë, rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.

Këto propozime do të kenë vëmendjen time maksimale. Kuvendi do të bëjë më të mirën për të plotësuar e përmirësuar legjislacionin për trajtimin, dinjitetin dhe prosperitetin e ish të përndjekurve, njohjen e trashëgimisë së tyre politike, njerëzore e kombëtare, si pjesë e historisë dhe e trashëgimisë kombëtare. Duke falënderuar Autoritetin dhe grupet parlamentare për këto propozime, dhe duke qenë se këto çështje nuk janë dhe nuk duhet të jenë çështje partiake, do të synoj mbështetjen dhe konsesusin e të gjithë grupeve parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e tyre. Është një çështje sociale, e cila presupozon drejtësi sociale dhe nxitjen e kontributit të tyre për kohezionin social të shoqërisë shqiptare.’- tha Spiropali.

Ligji i dekriminalizimit

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe zbulimit të informacioneve për kandidatë dhe deputetë me rekorde kriminale në të shkuarën, pas protestës së opozitës dhe presionit ndërkombëtar, parlamenti i Shqipërisë në vitin 2015 miratoi ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit. Qëllimi kryesor i ligjit të dekriminalizimit ishte pengimi i zgjedhjes apo emërimit të funksionarëve publikë dhe zyrtarëve me të kaluar kriminale. Kandidatët zgjedhorë duhet të plotësojnë një formular dekriminalizimi ku deklarojnë nëse janë dënuar apo jo ndonjëherë për një krim. Paraqitja e një deklarate të rremë në vetvete është krim.

Aktiviteti ne Porto Palermo

Në këtë veprimtari morën pjesë të mbijetuar të kampit të Porto Palermos, përfaqësues të Shoqatës Kombëtare Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, deputetë, drejtues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të qeverisjes vendore nga bashkitë Himarë, Sarandë dhe Konispol, i ngarkuari me punë i Ambasadës Hungareze, Dr. Ádám Lovassy, dhe qytetarë.

U lexuan gjithashtu poezi nga libri “Porto Palermo fjalë guri dhe poezi të tjera”, i shkrimtarit Luan Rama. Ndërsa në kala u hap ekspozita ne portrete të ish-të burgosurve të kalasë së Porto Palermos, e artistit Lek Pervizi.

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarjet e fundit në vend ju shqetësojnë për nivelin e sigurisë?



×

Lajmi i fundit

Ukraina sulmon portet e Rusisë! Shpërthen trageti me karburant, shihni pamje nga zjarri i fuqishëm (VIDEO)

Ukraina sulmon portet e Rusisë! Shpërthen trageti me karburant, shihni pamje nga zjarri i fuqishëm (VIDEO)