TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka shprehur sot mbështetjen ndaj Ukrainës, në ditën e shpallur nga presidenti ukrainas si Dita Kombëtare e Unitetit. Presidenti Volodymyr Zelensky e shpalli këtë ditë pas deklaratave të zyrtarëve amerikanë se Ukraina do të pushtohej nga Rusia, për të treguar se asgjë nuk do të ndodhë, përkundrazi Ukraina do jetë më e bashkuar dhe e pavarur.
“Shumë frymëzuese dita e sotme në Ukrainë - shembull i unitetit kombëtar dhe vendosmërisë së këtij vendi mik. Shqipëria dhe komuniteti ndërkombëtar qëndrojnë në krah të Ukrainës, në mbështetje të integritetit të saj territorial dhe të së drejtës së popullit të saj për të zgjedhur aleancat dhe të ardhmen e tyre”, shkruan Meta.
Presidenti ukrainas ka falënderuar Metën për mbështetjen ndërsa shkruan se së bashku jemi më të fortë dhe e bëjmë Ukrainën më të fortë.
“I jam mirënjohës Presidentit Ilir Meta për fjalët e tij të mbështetjes në Ditën Kombëtare të Unitetit! Ne vlerësojmë solidaritetin e Shqipërisë, miqve dhe partnerëve të tjerë, për hir të një të ardhmeje të përbashkët evropiane. Së bashku ne e bëjmë Ukrainën më të fortë! Së bashku më të fortë”, shkruan Zelensky në Twitter.