Dita Ndërkombëtare e Librit, Margariti: Pasagjerët që lexojnë një libër në urban, s’paguajnë biletë

Dita Ndërkombëtare e Librit është një festë për të promovuar vlerat e librit edhe të të lexuarit. Çdo vit, kjo ditë festohet në të gjithë botën, duke pasur në qendër magjinë e librit, që bën lidhjen mes së shkuarës dhe të ardhmes, por edhe si një urë midis brezave edhe kulturave të ndryshme. Në konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, në vitin 1995, kjo datë u përzgjodh që të jetë një ditë inkurajimi për librin, duke e konsideruar si shpikjen më të bukur për ndarjen e ideve njerëzore përtej kufijve,  por në të njëjtën kohë edhe si fuqinë më të madhe, që mund të çrrënjos varfërinë, duke ndërtuar paqen. Për këtë ministrja e Kulturës, Elva Margariti, flet për nismën e datës 23 prill në Shqipëri, ku çdo pasagjer, që lexon një libër në urban do të udhëtojë falas.

 “Para pak kohësh shikonim shumë nga punonjësit tanë të MK-së, që afronin drejt vendit të punës me një libër në dorë, edhe menduam që do të ishte shumë mirë, që kjo të merrte një vlerë tjetër. Prandaj menduam që kjo do të ishte një ndihmë për studentët edhe ne, që t’i bashkonim të gjithë drejtë ditës së librit”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Edhe pse vetëm prej katër muajsh në krye të këtij institucioni, Margariti flet edhe për TVSH-në (6 për qind) e miratuar ndaj librit gjatë dhjetorit që lamë pas.

“Kemi ngritur një grup pune, edhe faktikisht jemi duke filluar disa biseda të tjera me ministrinë e Ekonomisë, edhe të Financës, sepse përtej dëshirës edhe mundësive tona, kalon në disa hallka burokratike. Është një vendimmarrje që është marrë shumë kohë para se unë të nisja këtë detyrë, prandaj edhe unë kam vështirësitë e mia për t’u rifutur në një proces të mbyllur. Megjithatë, mendoj se ka ende mundësi për rishikime”, vijon ajo më tej.

Sa u përket takimeve, që MK ka bërë më Shoqatën e Botuesve shton se: “Ne duam që të krijojmë akoma lidhje të tjera, sidomos midis studentëve edhe Shoqatës së Botuesve, kemi akoma disa nisma, që duam që t’i ndërmarrim së shpejti edhe t’i lançojmë në ditën e Librit, në Departamentin e Letërsisë. Por përtej faktit se çfarë mendojmë ne, që të krijojmë raporte mes botuesve edhe studentëve do të doja që në një takim akoma më të gjerë, jo vetëm me botuesit edhe grupe të tjera interesi të krijonim ato projekte edhe nisma, që t’i përfaqësonin të gjithë”.

Ndërsa, sa i përket statistikave që tregojnë se numri i lexuesve shqiptarë ka rënë, diçka që ka ndodhur gjatë viteve, Margariti tregon se çfarë është duke bërë ministria e Kulturës për ta shpënë librin më tej.

 “Duhet një bashkim edhe më i madh forcash, kjo është e vërtetë, megjithatë filizat e para kanë lindur, edhe ne vazhdojmë që t’i ndjekim. Ka ende akoma shumë punë, të gjithë jeni të mirëpritur që të na mbështesni”, thotë ministrja e Kulturës.

Për pasurimin e bibliotekave të shkollave edhe të lagjeve me botime të reja, ajo thotë se:

 “Nisma jonë e Edukimit Përmes Leximit vazhdon, vazhdojmë që të dhurojmë libra shumë bibliotekave. Kemi shkuar jo vetëm në bibliotekat e qyteteve, por edhe ato rurale. Kjo nisëm vazhdon, edhe brenda mundësive tona do të vazhdojmë që t’i rifreskojmë. Kuptohet që kush do të dojë që të na bashkohet, të na dhurojë edhe libra të tjerë, ne jemi të gatshëm, që t’i dhurojmë në të gjithë Shqipërinë këta libra”.

Disa nga aktivitetet në Ditën e Librit (23 prill) janë në Departamentin e Letërsisë ( Fakulteti i Histori-Filologjisë, ora 09.00), Akademia e Shkencave promovon veprën e plotë të historianit Kristo Frashërit (tek Pallati i Kongreseve ora 11.00), në Bibliotekën Kombëtare çelet një ekspozitë, ndërsa nuk do të mungojnë aktivitetet për librin as në disa drejtori rajonale. Data 23 prilli është një datë simbolike në literaturën botërore, sepse janë shuar disa autorë të shquar, si Uilljam Shekspir apo Migel Servantes.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Dorëzoni armët, ose do groposeni me to', Erdogan paralajmëron rebelët kurdë në Siri

'Dorëzoni armët, ose do groposeni me to', Erdogan paralajmëron rebelët kurdë në Siri