Ditari/Simon Rrota: Të bajsh art mes
fanatikëve të Shkodrës, sa e vështirë!

Ditari/Simon Rrota: Të bajsh art mes<br />fanatikëve të Shkodrës, sa e vështirë!
Pjesë nga Ditari i piktorit/ Vështirësitë dhe përballjen e talentit të tij, për karshi një mase injorante e keqdashëse bashkëqytetarësh. Reagimet diskriminuese të shtresave të ndryshme të popullsisë karshi artit në përgjithësi dhe atij të pikturës në veçanti…
 

Në shkrimin paraardhës të Suplementit Rilindasi, lexuesi filloj të njihet e të marrë informacjone nga faqet e para të DITARIT të piktorit Simon Rrota, i cili në mënyrë të thjeshtë përshkruan aty situaten shoqërore – ekonomike si dhe ndodhi historike e fatkeqësi natyrore të qytetit të tij të lindjes. Duke e parë në këndveshtrimin e vlerave, ditari i tij është vepër e një intelektuali e patrioti të njohur, njëkohësisht dhe artisti të madh e qytetari model, prandaj sjell një vlerë të mirëfilltë. Mënyra e të shkruarit është e thjeshtë, tregimtare e shumë e kuptueshme. Me këtë Ditar, Simoni, jo vetëm shkruajti kujtimet e tija për cka përjetoj, por edhe tregoj se kërkon të lërë gjurmë në edukimin dhe formimin e rinisë, jo vetëm me veprat e tij pamore.

Për punët e mira e trashëgiminë e pasur në kulture që vëllezërit Rrota i lanë atdheut, merita qëndron në edukimin e tyre qytetar e patriotik nga i jati Gjushi dhe nëna Marie. Më poshtë, në vazhdim, dëshëroj të sjellë skena e ndodhi të tjera mbresëlënëse nga jeta private e autorit, vështirësitë dhe përballjen e talentit të tij, për karshi një mase injorante e keqdashëse bashkëqytetarësh. Reagimet diskriminuese të shtresave të ndryshme të popullsisë karshi artit në përgjithësi dhe atij të pikturës në vecanti…

…“Qe për shembull, tregon Simoni, …si më ndodhi rasa në oborr të Kishës Madhe. Ishe tue vizatue babën e Pjetrit Nikë Shalës, njatë herë sa e plotsova, erdhi i biri e ma shkjeu vizatimin copa copa, e me nji përbuzje të madhe më tha nji sasi të fyemesh e fjalë të vrazhda, e në dorë mbante nji gurë, në rasë se unë e kundërshtojshe…E njajta gja më ndodhi përsëri në oborr të Kishës, ku nji puntuer ishte tue rrahë (perzi) llac gelcerje pa e kuptue ai, por kjenë gërgasit e zakonshëm qi e theren (ngacmuen) me fjalë, e që, po shof menjiherë se si po më sulmonte me shatin qi kishte në dorë, e me të vertetë, sikur mos ta kishte hetue nji shoq i jemi e me e ndalë, ai do të më cante kryet përgjysë….

…Ksi rasash, ishin të thuejsh përditë, por ajo ma interesante kje ajo kur unë ishe tue vizatue mëshehtas nji malcuer. Kur i diftuen të tjerët, u drejtue nga unë e me kërcënim të madh më tha:….unë nuk jam asi burrit qi me hy në letër….
 
PJESE NGA DITARI
...Tue ba babën e Pjetrit Nikë Shalës, njatë herë sa e plotsova, erdhi i biri e ma shkjeu vizatimin copa copa e me nji përbuzje të madhe më tha nji sasi të fyemesh e fjalë të vrazhda, e në dorë mbante nji gurë në rasë se unë do të kundërshtojshe. E njajta gja më ndodhi përsëri në oborr të Kishës ku nji puntuer ishte tue rrahë (përzi) llaç gelqerje pa e kuptue aj; por kjenë gërgasësit e zakonshëm qi e therën (ngacmuen) me fjalë, e qe, po shof menjiherë se ai po më sulmonte me shatin qi kishte në dorë, e me të vërtetë, sikur mos t’a kishte hetue nji shoq i jemi e me e ndalë, ai do të më çamte kryet përgjysë, e gjithnji qindronte në atë marrinë e vet tue kërkue skicen qi i kisha ba unë. Për me u da shëndosh prej tij, mu desht me ia dorëzue dhe coptoi krejt tue më thanë se do t’ia shifshe sherrin.

Kësi rasash, ishin të thuejsh përditë; por ajo ma interesante kje ajo kur unë ishe tue vizatue mëshehtas, nji malcuer. Kur i diftuen tjerët, u drejtue nga unë e me kercnim të madh më tha: “unë nuk jam asi burrit qi me hye në letër”. Megjithëse fakti kje pak brutal, në anën tjetër, u qeshën të gjithë sa kjenë aty, për fjalët e tija; megjithate, skicën e shkjeu copë copë, ashtu si patën ba ata tjerët, e unë me ndejë prezent aty me pa punimin të përbuzun prej injorantit, e me shkue në shtëpi ma i demoralizuem dhe i përcjellun prej shokëve qi më shpëtuen prej thojve të malcorit, ashtu edhe prej tjerëve.

Kësi skenash të pa bukura, më kanë ndodhë shum herë e secila me karakteristika të ndryshme, por këtu, nuk asht nevoja ti përshkruej të gjitha.
Aso kohe, modele vizatimi me sasi të madhe si dojshe unë, nuk u gjindëshin. Prandej me domosdò mu donte me dalë nëpër rrugë të qytetit për me vizatue shtëpija tipike, dyer oborresh gjithashtu edhe rrugët ku kishe rasë të mirë me studjue prospetiven. Përveç këtyne objekteve, delshe jashtë qytetit me vizatue ndër katunde, fusha e male, natyra të bukura, edhe me ngjyra edhe me lapsë, me nji kënaqsi të madhe sa, as me hangër bukë nuk më shkonte mendja, kaq me dishir të madh punojshe.

Tue vazhdue kështu, mendojshe se në katund i lir o jo i  trazuem si në qytet, por edhe këtu, puna ndrroi pse të marrë e injorante kishte gjithkund. Ishte hapë fjala se unë kam dalë me qëllime tjera: me shkrue shtëpijat, bagëtitë e tjera sende të katundit, për të cilat, ma vonë do të paguejshin taksat. Ashtu kujshojshin katundarët e më shikjojshin me sy të keq, veçanërisht njatëherë kur unë i shikjojshe në fytyrë me u ba skicat; kjo gja i bante me dyshue edhe ma tapër e mu kërcnojshin fort, kështu, ndër katunde qi shkojshe, më qitshin jashtë pse unë, për ‘ta ishe i rrezikshëm.

Ashtu edhe në qytet, kur vizatojshe nëpër rrugë, rojet e Turkisë, dyshojshin në mue, pse ata nuk kuptojshin gja pse ishin shqyptarë në sherbim të Turkisë, njerëz pa shkollë e kulturë. Shpesh më pengojshin punën e më detyrojshin me u largue sa ma parë prej aty ku ishe tue punue. Kështu pra, në kondita kaq të këqija, me krye në gërshanë, isha i shtërnguem me punue mëshehtas, si me kenë hajdut, gjakjo qi më demoralizonte shum e u disprojshe, pse unë nuk i bajsha kaq askuj.

U drejtojshe te mësuesi jem Kolë Idomeno, i cili më ngushllonte me fjalë të bulura e me më pertëri dishiren për hart, pa të cilin, për mue do të ishte kenë nji dekje morale. Edhe ai vetë, shum kohë para meje, ka vuejtë ma shum se unë.

Kështu caktova me ndejë në shtëpi e mos me ra në sy të popullit, pse të gjithë më shikjojshin si nji njeri të çuditshëm, megjithëse flitshe shqyp njisoj si ata; veçanërisht fëmijtë, kur më shifshin rrugës, bërtitshin tue thanë: qe ai qi shkruen njerëz. Këtë shprehje përdorte populli në ato kohna, mbasi fjalën vizatim, nuk e njifshin, e për çdo vepër qi unë bajshe, më thojshin: a po ma shkruen fytyrën teme etj.etj.?

Pra, me kësi njerzish kam pasë punë unë, e me xanë hartin, më ka kushtue shum shtrejt e shum herë jam kenë në rrezik me lanë kryet. Prindët e mij ishin edhe ata të trazuem për këtë gja. Unë, jo vetëm nëper rruga gjejshe pengime e përbuzje por edhe në shtëpi. Pse filluen me ardhë te nana, në shtëpi, njerzit për me u ankue për mue, se kishe vizatue gratë rrugës tue ecë, skica të thjeshta, por ata, me injorancën e tyne, kujtojshin se u kishe ba edhe fizionominë, e për këtë arsye, burrat e tyne nuk besojshin e mu kërcnojshin tue më thanë se: do të ia shifshe sherrin trashë e se do të më paditshin në gjykatë, pse, për shkak temin, gratë kishin frigë me dalë jashtëpse unë i vizatojshe; e me të vërtetë, edhe ato gra qi më njifshin, u mëshehshin e mbulojshin fytyrat tue u mërtisë (me mbulue fytyrën me çarçaf qi kishin në krye tue lanë vetëm nji birë të vogël sa me pa rrugën). Njikohësisht, kishte edhe asi burrash e fëmijsh qi kishin shum dishir me u a ba skicën e, atëherë i punojshe me qéf shum, radhë ndonjiherë edhe gratë. Sa për vajzat, ata, as me sy nuk i shifshim, pse i mbajshin të mëshehuna nëpër shtëpija. Pra, kjo ishte jeta jonë në ato kohna, në Shkodër.

Kishte kalue nji kohë e gjatë pa dalë jashtë edhe për shkak të dimnit e të ftohtit. Sa kishte fillue prendvera e lulet e para kishin fillue me lulëzue, bukuria e natyrës bashkë me zanin e bletëve qi kërkojshin lule. Kështu dola edhe unë prej shtëpijet me ba skica simbas zakonit. Zuna vend te penda e Kirit (mbas vorreve Katolike, kalonte lumi Kir mjaft i rrëmbyshëm e si pritë për me ndalue vërshimin ishte ndertue penda-prita me murë e me gurë të thatë e zall) e, nëse ishe tue vizatue, po shoh se Valija i Shkodrës (autoriteti mai madh civil Turk – mundë të krahasohet me Prefektin) i përcjellun me tevabinë (fjalë turkisht me kuptimin suitë-roje) të gjithë ndër kuaj. Njani prej tyne, qi ishte shqyptar, desht me da vedin në shej ndër tjerë, e me atë injorancën e tij, mu kërcënue me kamxhik e më tha: çka ban ti ashtu? Valija i Shkodrës me Osmanllitë tjerë (me emnin Osmanlli u quejshin të gjithë nënshtetasit Turq) i ndalën hovin atij të marrit, e me nji edukatë të madhe, veçanërisht Pasha (titull nderi) desht me palibrin e skicave qi kishe me vedi e, kur e pau, mbeti shum i kënaqun tue më ba lëvdata e tue më rrahë supat e krahut tem më mori dorën kur u largue, foli frengjisht, por pak e kuptova çkadesht me thanë. Ndryshe i ndodhi atij shqyptarit (rojes) pse, kur Pasha u largue pak prej meje, ndjeva se i tha “hajvan” pë gjesdtin e pa-bukur të bamë pak ma parë.
Nji rasë tjetër më ndodhji me Hilmi Pashen, por krejt ndryshe çka unë nuk e pritshe. Këtij i bana nji portret të zmadhuem nga fotografija të cilën e mora te fotografi Kel Marubi. Ishte i veshun me uniformë ushtarake dhe më doli shum e bukur. Por, para se me ia dorëzue, disa shokë të mij si edhe të tjerë, më kundërshtuen tue më thanë se Pasha do të më arrestonte pse unë kisha ba portretin e tij. Njerëz tjerë thojshin se unë qi dijshe me ba piktura, ishe në gjendje me ba edhe fytyrën e Skanderbegut, qi aso kohe ishin të ndalueme prej qeverisë Turke. Prandej kishe ra ngusht e nuk dijshe si me ia ba. E vetmja mënyrë me skjarue punën, ishte ajo qi me u marrë vesht me sekretarin e tij qi ishte njikohësisht edhe dragoman (përkthyes). Me te kishe miqsi e ai më dha zemër me ia dërgue veprën teme Pashës, pse ishte njeri i kulturuem e jo ashtu si e mendojshin në popull. Kështu caktuem ditën me ia çue. Për mue ishte pak e vishtirë me u paraqitë para nji Pashës, qi ishte i rrethuem prej shum oficerave, gja qi më bante përshtypje të madhe; por ma në fund, sekretari më mori për krahut e ai ia paraqiti portretin atij, e sa e pau, mbeti shum i kënaqun, më mori dorën më falnderoi e me buzqeshje më pveti turkisht a ishe shqyptar e ku kishe mësue me vizatue aq mirë. Por dragomani në atë moment ishte tue folë me tjerë e Pasha më pveti në gjuhën gjermanisht: schpreche sie deutch (e flet gjermanisht) edhe unë i përgjegja po, e kështu vazhduem bisedën tonë, megjithëse atëherë, nuk e zotnojshe mirë ketë gjuhë, më urdhnoi me ndejë pranë tij, më dha cigare e kafe e i pimë së bashku, e nderkaq ai rrinte tue shikjue pikturën e vet qi e vuni (vari) në murë. Kështu, mbasi më falnderoi përsëri, u çova e shkova në punën teme e mbas tri ditësh më dërgoi, si dhuratë, nji lirë turke ari, qi aso kohe kishte vlerë të madhe, 123 grosh. Dragomanit të tij i thojshin Mihajl Gambaluri, me origjinë Greke; i cili, edhe mbasi u largue Turkija prej Shqypnijet, ai qindroi në vend e u martue me nji grue shqyptare në Durrës.

Kur dola prej shtëpisë të Pashës, vrejta se aty ishin dy piktorë turq e po riprodhojshin do natyra të bukura; prandej e gjykova me vedi, se ai (Pasha) çmonte hartin e jo ashtu si e kishin mendue ata shokët e mij ma parë.

Kaq dij me thanë se unë, prej oficerëve turq, përfitova shum sende çka unë nuk i dijshe. Don me thanë se, Osmanllitë, nuk ishin aq të egjër, pse, në vetë vedi, kishin ma edukatë e kulturë, e jo si myslimanët e Shkodrës, qi atherë e tregojshin vedin jo vetëm si të egjër, por i qindrojshin mendimit të tyne, tue e mbajtë vedin se ishin edhe ata turq prej Turkijet e jo Shqyptar. Kështu ishte koha atëherë, e në midis këtij popullit injorant, jetojshe edhe unë e me ata do të kishe punë përditë. Por tash, nuk po shkruej me gjatë, ma vonë do të flas ma imtësisht për jetën e atëhershme.

Rasa qi pata me Bedri Pashen, qe shkas i mirë me u njoftë me oficiera Zhën (jeun, fjalë frangjisht) turq (u thirrën kështu shtetasit turq, mbas reformave kostitucionale qi u kryen pak kohë ma parë se t’u shkatrronte Perandorija Otomane) qi u merrshin me hart. Prej tyne pata edhe përfitime materiale, tue më porositë me u ba zmadhime jo vetëm atyne por edhe të grave, të cilat megjithëse ishin të mbulueme kur delshin jashtë, nëpër shtëpija kur unë shkojshe, ata u zblojshin e tue qésh më flitshin frangjisht tue më pvetë ç’farë përshtypje të bajnë Osmanlleshat?

Kanë kalue 47 vjetë e ndër myslimanët e Shkodrës, gratë endè vazhdojnë me i mëshehë e në vizita nuk ti qesin. Por edhe këtë gabim e kanë kuptue e, me ngadalëm, po zduket.

Në tjetrën anë, unë kishe ma liri me dalë nëpër rruga me vizatue pa frigë, mbasi oficierët turq më dhanë liri të madhe e se shumica e tyne më njifshin. Kështu vazhdonte edhe jeta jeme tue vizatue gjithkah e kurr nji ditë nuk rrijshe pa vizatue, vetëm e vetëm për me ushtrue dorën. Aq e vërtetë sa unë kishe lanë mënjanë shokët, qefet, darsmat, për mos me humbë kohën kot, e jo si bajnë këta të soçmit qi i shof ndejë ndër kafe, tue shetitë nëpër rrugë, me gazetë në dorë, ndër qefe e gëzime të vazhdueshme, a thue se nuk e dijnë se ç’detyrë të madhe kanë për me studjue hartin e qi nuk mjafton jeta e njeriut, për me dalë hartist. E jeta e hartistit, nuk do të jét baras me atë të nji nëpunësi i cili, sa del prej zyrës, shkon fillë në kafe se nuk ka punë tjetër; ndersa ajo e piktorit, duhet të ndryshojë prej nëpunësave zyrtarë. Prandej, sakrificat qi bajshe, më nepshin dobi të mëdha, pse i lidhun vetëm me hart, e vetëm për te jetojshe, u praktikojshe shum për çdo vepër qi bajshe e, kur nuk dijshe, kërkojshe ndihmën e mjeshtrit tem Kolë Idromeno, i cili mu përgjegjëte me të shpejtë për nevojat e mija.

Çështjet teatrale qi u bajshin për të parën herë, në gjuhën shqip, për meritë të letrarit të famshëm, Atë Gjergj Fishta, nisën të baheshin shum tërheqëse për vendin tonë e sidomos për gratë pse ato nuk e kuptojshin italishten, ndërsa djemt e burrat e zotnojshin mirë atë gjuhë e të thuejsh, as ndër mendë nuk i shkonte gjuha amtare, pse atëherë italishtja ishte gjuhë zyrtare e njoftun edhe prej Turkisë.

Këto çfaqje më nepshin edhe mue fitime mbasi unë ishe skenografi i teatrit françeskan dhe i atij të motrave (murgeshave) stigmatine. Vazhdojshe me punue gjithnji si në njanën anë ashtu edhe në tjetrën pse, përveç skenave, pikturojshe edhe vepra fetare si për Kishët e qytetit ashtu edhe për ato të katundeve, mbasi idromeno, nuk kishte kohë me i punue.

     Duhet me dijtë se, ndër ato kohna, hartisti, gjente nji ngushllim te kleri katolik, pse vetëm ata kuptojshin hartin, kështu nëpërmjet tyne, hartistat jetojshin; e, nga ana tjetër, prej tyne merrshin udhëzime për kompozicjonin e veprave fetare. Ata dijshin mirë me dhanë udhëzime me baza filozofike e estetike. Kjo gja, nuk ka ndodhë vetëm në Shqypni, por edhe në Itali e në vende tjera. P.sh. Rafaeli (Raffaello Sanzio) kur donte me paraqitë vepra fetare klasike, shkonte gjithëherë te Kardinal Bibiena, për me marrë udhëzime të sigurta për figurat qi do të bante ndër veprat e veta. Kështu na ka ndodhë edhe mue e Kolë Idromenos. Ba me pasë pritë punë prej popullit, qi atëherë nuk merrte vesht për hart, ishe i sigurtë se kishe dekë urije pse, jo vetëm qi nuk kishin dijeni, por edhe kur dojshin me porositë ndonji gja për vedi, nuk dijshin me dallue portretin prej nji figurës fetare, kaq në nivel të ulët ishte ideja e popullit për hart, e hartisti i shkretë, pra, kishte të bajë me ata njerëz kaq injorantë.

Unë, për vedi, dij me thanë se, ndihmën ma të madhe për nevoja hartistike e për kompozicionin e veprave fetare, e merrshme gjithë herë prej Pater Vinçenc Prendushit (axha i Robert Prendushit), Pater Ambroz Marlaskaj e Pater Gjergj Fishtës, kur kishe me punue vepra për Kishë, të cilat i kishe të shpeshta porosinat nga ana e françeskanëve, ashtu edhe prej Jezuitëve, qi kërkojshin kuadri për misionin e evangjelizimit në rrethin e Shkodrës, ku, për çdo vjetë shkojshin edhe ndër skajet ma të largëtat të Shqypnisë të veriut, për këtë qellim (missione di evangelizzazione).

Kështu pra kalojshe jetën teme për me përvetësue hartin qi me shum dishirë e kishe nisë e i qindrojshe këtij mendimit, pa mendue aspak se sa do të vuejshe për me studjue në nji vend si ky i joni, nën sundimin e Anadollakut qi, ku shkelë kamba e tij as bari nuk delte ma. Prandej edhe unë do të merrshe pjesë në këtë jetë, si trashigim për rrezik temin, me kalue nji jetë të mjerueme e të mnershme, në pikpamje hartistike, ku gjithçka për mue mungonte, mbasi ndër ato kohna, vendi jonë, nuk mendonte për tjetër, veç për pushkë e raki e vetëm për këto gjana njerzit jetojshin. Kaq ishte e vërtetë sa tu banteme mbytë vedin në lum, se sa me jetue në atë mënyrë të disprueme, sidomos për atë qi donte me ndjekë hartin.

Ngushllimi ma i madhi qi muejshe me pasë unë, ishte vetëm Kuvendi i françeskanëve, pse aty, në biblioteken e tyne, gjeshe atë çka unë dishrojshe, tue pa prodhime veprash hartistike qi më inspirojshin shum e më nepshin zemer me punue e me harrue njiherit edhe disprimin tem. Veçanërisht njatë herë kur Pater Gjergji ishte kthye prej Italijet e më fali do material për pikturë: bojna, penela etj. e më tregonte për shum vepra hartistike qi kishte pa atje. Për mue kjenë momentet ma të gëzueshmet e qi më qetësuen zemren teme e, për shum kohë, nuk dola jashtë shtëpijet, por vazhdojshe hartin, pse vetëm për ‘te jetojshe e kurrgja tjetër ma e bukur, për sytë e mij, nuk ishte veçse piktura e se prej kësaj, unë do të sigurojshe edhe jetën teme, për nji të ardhme ma të lumtur, ashtu si unë dishrojshe me pasë.

Në tjetrën anë, edukata e mirë qi unë kishe marrë qysh në femini pranë françeskanëve (me katekizem) më mësuen me dashtë Zotin dhe Atdhén, mbi të gjitha, dhe këto kjenë dhe duhet të jenë, bazat ma kryesore, për nji njeri qi arsyeton.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ministrja Pirdeni nënshkruan Planin e Veprimit në Budapest: Hungaria do të trajnojë nëpunësit shqiptarë për integrimin në BE!

Ministrja Pirdeni nënshkruan Planin e Veprimit në Budapest: Hungaria do të trajnojë nëpunësit shqiptarë për integrimin në BE!