Ditët e Angjelin Preljocaj
në Tiranë

Ditët e Angjelin Preljocaj<br />në Tiranë
TIRANE- Imazhi i Angjelin Preljocaj ende po qëndron në Tiranë pas suksesit të ngjitjes në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të pjesëve koreografike “La Stravaganza” dhe “Royaume Uni”. La një mbresë të bukur, por edhe ndjesinë e një reflektimi për të qenë më kryeulur ndaj disa “mburravecërive” artistike, kur bëhet fjalë për ngjitjen e premierave të baletit në skenë. Skena e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Tiranës ka yjet e saj, por nuk ka si të ketë një koreograf si Preljocaj, të rritur mes sfidave të skenës dhe të modernizmit të baletit ndërkombëtar, mes dilemave të kritikës pro dhe kundër thyerjes së klisheve që i ka bërë ai koreografisë së baletit klasik.

Pas shfaqjeve La Stravaganza” dhe “Royaume Uni” të datës 9 e 10 maj, imazhi i Angjelin Preljocaj rri pezull në Tiranë, duke lënë pas shijen e refleksioneve artistike.  “Ishte fat për ne që punuam me të”, thonë balerinët e TKOB-it. Të njëjtat fjalë duken akoma më befasuese kur i thotë edhe një spektator i thjeshtë përbri teje në fund të premierës: “Është fat të shohësh një shfaqje të Angjelin Preljocaj”. Kjo ndodhte gjatë kohës që duartrokitej pareshtur shfaqja dhe spektatori po shihte Preljocaj të lumturuar nga pritja shumë e mirë që i bëri shfaqjes publiku. Duke ndjekur dy pjesët koreografike të artistit francez me origjinë shqiptare, publiku i Tiranës provoi ndjesi të provokuara nga shtrija e dimensionit të mesazheve në veprën koreografike, që si koncept nuk mund të realizohej dot veçse nga balerinë si të trupës së tij, shumë të talentuar.

Preljocaj solli në Tiranë një balet modern në formë dhe në përmbajtje, një balet që prodhonte leximin e lëvizjeve, dramën e dialogut, teatrin, tingullin dhe gjuhën e trupit. Të shihje pjesët e tij koreografike kërkohej një përqendrim maksimal, sepse duhej t’i bëje sytë katër, ngaqë me lëvizjet e tyre secili nga balerinët ta rrëmbente shikimin në të njëjtën kohë, duke sfiduar secili “protagonizmin formal”. Kështu ndodhte me katër balerinat e ”Royaume Uni” të cilat krijuan imazhe dhe figura të panumërta mes skeleteve të karrigeve, por nuk do të mbaronte me kaq. Trupi i tyre dhuronte përshtypje të tjera përtej koreografisë, sensualitet, bashkëveprim dhe bashkëndjesi. Ishte një balet që sillte në skenë një performancë tredimensionale.

Katër balerinat e trupës së Baletit Preljocaj dukeshin si në një arenë sprove ku sfidonin çdo rekord elasticieti dhe përpikmërie. Ishin lëvizje të vështira, të egra deri më mëshirim e të përsosura njëkohësisht me imazhet skenografike. Çdo perfomancë koreografike të linte pa fjalë. Secila ide e lëvizjes të krijonte një objeksion tjetër meditimi e fantazie. Perfeksioni koreografik i imagjinuar më parë dhe i kërkuar nga mjeshtri Preljocaj në skenë ishte njësuar tashmë në trupin e katër balerinave. E njëjta gjë dhe tek “La Stravaganza”, ku trupës së Preljocaj i bashkohej një pjesë e trupës së TKOB-it. Si mund të ndodh kjo?! Këtë përgjigje nuk do ta merrnim dot të plotë, po të mos na e jepej mbrëmë imazhi i mjeshtrit Angjelin Preljocaj në ekranin e Akademisë “Marubi”.

Le t’i qëndrojmë deri në fund idesë se imazhi i Preljocaj po qëndron ende pezull në Tiranë…...Preljocaj mund ta shihnim mbrëmë sërish nga ekrani, “pas kuintave”, duke u zvarritur në skenë gjatë provave trup më trup me balerinët, duke perfomuar çdo akt koreografik, krijimtari të tij. Nuk kisha parë një koreograf tjetër që punonte si ai më parë. Shpesh koreografi jep udhëzime e urdhra gjatë provave të një premiere. Prelocaj punon rwndw. Ja çelësi i suksesit të tij të përbotshëm.

Ditët e Angjelin Preljocaj

“Eldorado / Prelocaj” i regjizorit O. Assayas
Pra, shohim se koreografi Preljocaj si askush tjetër e realizon në trupin e tij premierën, me lëvizjet, performancën. Gjatë punës me balerinët ai mjaftohet vetëm me ca pauza të vogla për të saktësuar elementët koreografikë. Këtë çast pune e shohim të xhiruar nga regjisori Oliver Assavas në një dokumentar për Angjelin Preljocaj, ku njihemi nga afër me imazhit e artistit. Dokumentari i regjizorit Oliver Assayas(prodhim i vitit 2008) i quajtur “Eldorado/Prelocaj” u dha mbrëmë në ambientet e Akademisë “Marubi”, falë bashkëpunimit me Ambasadën e Francës në Tiranë dhe Institutin Francez.

Në dokumentar tregohet se: në vitin 2005, koreografi Angelin Preljocaj shkon në Këln në studiot e Karlheinz Stockhausen. Kompozitori dëshiron që ai të dëgjojë punën e tij të fundit, “Sonntags Abschied”. I joshur, koreografi pranon këtë kompozim të dytë për ta ngjitur në skenë, ashtu siç ishte frymëzuar më parë për “Helikopter” në vitin 2001. “Sonntags Abschied” është krijimi i një njeriu besimtar. I menduar për pesë sintisajzerë, kompozimi është një alkimi komplekse e tingujve në tempo të ndryshme. Ky rezultat mistik frymëzoi koreografin për një parajsë të humbur”.
 
Ditët e Angjelin Preljocaj

Udhëtimi i dytë i Preljocajt në Shqipëri
Ka qenë udhëtimi i dytë drejt Shqipërisë për yllin e baletit. Nuk lindi në Shqipëri, lindi në Francë më 1957-n, por nuk harron kurrë të thotë se është shqiptar. Ne dialektin e gjyshërve të tij veriorë shprehet se “krejt mund të flas shqip”. Angjelin Preljocaj erdhi të prezantojë dy shfaqjet e tij “La Stravaganza” dhe “Royaume Uni”, gati 20 vjet pas performancës së pjesës emblematike “Dasma” që dha në Tiranë në vitin 1994. Preljocaj preku sërish skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, duke inkurajuar balerinët shqiptarë. U thotë se “La Stravaganza” pasqyron rrugëtimin e tij artistik dhe kjo është arsyeja pse ka udhëtuar drejt Tiranës për të qenë i pranishëm në premierë. “Kam ardhur vetë që të shikoj seriozisht sesi Baleti i Tiranës do ta marrë pjesën në zotërimin e tij. E krijuar 17 vjet të shkuara, duket sikur po takoj sërish një fëmijë të rritur”, u thotë Preljocaj.

Me këto shfaqje ardhja e koreografit të njohur shënjoi, jo vetëm fillimin e bashkëpunimit trevjeçar mes trupës së baletit që ai drejton dhe Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, por dhe pasurimin e repertorit koreografik të baletit shqiptar. Angjelin Preljocaj, konsiderohet si një nga koreografët më të rëndësishëm në Francë, si dhe një ndër më të kërkuarit e teatrove botërore. Me koreografinë e tij të përshkruar nga kritika si interpretimin i baletit klasik dhe modern, ai sot ndihet si në shtëpitë e tij në La Scala të Milanos, në operën Garnier të Parisit, në operën gjermane të Berlinit, në New York City Balet, në Balshoi Teatër të Moskës, etj. Preljocaj është koreografi i shfaqjeve moderne si “Borëbardha”, “Dasma”, “Akrobati”, “Katër stinët”, “Pranvera” e Stravinskit, për të cilat është nderuar shpesh me tituj nderi dhe çmime ndërkombëtare. 

Ditët e Angjelin Preljocaj

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit