Ditmir Bushati: Pika të zeza apo të ndritshme?

Ditmir Bushati: Pika të zeza apo të ndritshme?

Lufta ne Rripin e Gazes

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një pjese të mirë të popullsisë së botës. Në kuptimin e sigurisë, pikënisja e vitit 2024 mund të jetë 7 tetori i vitit të kaluar kur u rindez konflikti i përgjakshëm në Lindjen e Mesme apo 24 shkurti i vitit 2022 kur Rusia vendosi të pushtojë Ukrainën.

Këto dy konflikte të mëdha kanë sjellë një ndarje të re botës. Pas pushtimit të Ukrainës, perëndimi udhëhoqi një shumicë shtetesh në Kombet e Bashkuara, që dënuan agresionin e pashembullt rus. NATO rifitoi arsyen e ekzistencës së vet, përshtati konceptin e strategjisë dhe zgjeroi perimetrin e sigurisë në Europë duke mikëpritur anëtarë të rinj. Elementi më befasues i historisë ishte përgjigjja e BE-së. Historia e paketës së sanksioneve ndaj Rusisë, përqasja politike me afrimin e Ukrainës në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në BE, ndihma ekonomike dhe ushtarake ndaj saj është dëshmi e unitetit të BE-së, përtej pritshmërive të zakonshme. Pasi nuk duhet të harrojmë faktin se Rusia ka qenë tradicionalisht një nga elementët më përçarës dhe polarizues në politikën e jashtme europiane.

Rindezja e konfliktit të përgjakshëm në Lindje të Mesme e përmbysi epërsinë e perëndimit përkundrejt pjesës tjetër të botës, për shkak të ndarjeve katastrofike brenda BE-së dhe vetë perëndimit. Dhe askund kjo nuk ishte më e dukshme se sa në votimet që u zhvilluan në OKB, ku perëndimi ishte i përçarë. Ky konflikt, i cili shoqërohet me vërshimin e refugjatëve në kufijtë e BE-së ka një ndikim të madh në politikën e brendshme europiane. Shto këtu nxitjen e valëve të reja të antisemitizmit dhe islamofobisë në Europë, sikundër kërcënimin në rritje të terrorizmit.

Dy luftrat e mësipërme sollën edhe një rreshtim të ri përsa i përket prioriteteve. Për SHBA-të në veçanti, sigurimi i mbështetjes së mëtejshme ushtarake ndaj Ukrainës ka kaluar në plan të dytë, për shkak të konfliktit në Lindje të Mesme. Kjo shihet qartë edhe nga intensiteti diplomatik i pesë vizatave të sekretarit ameriakan të shtetit në Lindje të Mesme që prej 7 tetorit.

Megjithatë, përfundimi i konfliktit, zgjidhja e qëndrueshme dhe e pranuar nga palët nuk duket në horizont. Cilidoqoftë rezultati në tërren, një rritje dramatike e radikalizimit mbetet kërcënim kryesor për periudhën në vijim. Hebrenjtë izraelitë, e ndjejnë veten të izoluar dhe madje gjykuar pasi u përballën me dhunën më të keqe kundër tyre që nga holokausti. Ndërsa palestinezët përballen me atë që ata e konsiderojnë krim kundër njerëzimit, pa mundësi për paqe dhe pa perspektivë. Ndarjet e thella politike mbi konfliktin shtrihen në të gjithë Lindjen e Mesme dhe me ndikim në mbarë botën.

Izraelitët do të kuptojnë se edhe nëse mund të neutralizojnë Hamasin, ata nuk do të jenë kurrë të sigurt pa një marrëveshje rajonale të sigurisë dhe pa një normalizimim të plotë të marrëdhënieve me fqinjët e tyre arabë, duke u mbështetur në Marrëveshjet e Abrahamit. E gjithë kjo nuk do të jetë e mundur pa një rrugë të sigurt drejt një shteti palestinez.

Në këtë çështje mesazhet e takimit të përvitshëm të Davosit ishin disi optimiste, edhe pse nuk duhet harruar se dy vjet më parë askujt prej pjesëmarrësve në Konferencën e Sigurisë së Mynihut nuk ia priste mendja që pas pak ditësh Vladimir Putin do të pushtonte Ukrainën. Sekretari amerikan i shtetit Blinken deklaroi se “vendet arabe dhe vendet myslimane edhe përtej rajonit janë të përgatitura të kenë një marrëdhënie me Izraelin përsa i përket integrimit të tij, normalizimit të tij, sigurisë së tij, çka nuk ka qenë rasti më parë, në mënyrë që Izraeli jo vetëm të integrohet, por të ndihet i sigurt në rajon”. Të njejtën gjë konfirmoi edhe ministri i jashtëm saudit Faisal Bin Farhan, teksa deklaroi se “vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj normalizimit me Izraelin me kushte të qarta dhe angazhim për një shtet palestinez”.

Ndërkohë agonia që sjell lufta në Urainë, e cila shënon vitin e dytë të saj, krijon një situatë pasigurie për ukrainasit dhe frustrimi për europianët. Si çështje kyçe për sigurinë, përfundimi i luftës në Ukrainë përbën përparësi për Europën në vitin 2024. Nëse BE-ja nuk mund të sigurojë paqe dhe stabilitet në lindje të saj, konfliktet dhe paqëndrueshmëritë atje mund të përhapen gradualisht drejt pjesës tjetër të kontinetit. Ballkani Perëndimor, është një zonë ku për shkak të konflikteve të papërfunduara që nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, roli përçarës i Rusisë shikohet si kërcënim për stabilitetin rajonal.

Në këtë pikë BE-ja shfaqet anemike, për shkak të mungesës së unitetit në trajtimin e çështjeve të papërfunduara të shtetësisë dhe tolerimit të Serbisë si prishëse e stabilitetit rajonal. Përkundrejt pritshmërive për një kthesë të fortë, e vërteta e hidhur është se Ballkani Perëndimor është po aq larg BE-së në planin politik dhe ekonomik sa ç’ishte para realietit të ri gjeopolitik që jetojmë në Europë, pavarësisht përsëritjes së retorikës përbetuese të dyanshme për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, si synim strategjik i dyanshëm.

Serbia nuk i është bashkëngjitur sanksioneve të perëndimit ndaj Rusisë, duke përforcuar mendimin se Ballkani Perëndimor nuk është një rajon, në kuptimin politik të fjalës, dhe as i linjëzuar me BE-në. Gjithashtu, në rrafshin ekonomik, hendeku mes rajonit dhe BE-së nuk po zvogëlohet. Edhe nëse BE-ja përmbush angazhimet e saj të fundit të përshkruara në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, e të diskutuara në takimin e udhëheqësve të rajonit në Shkup, nuk ka gjasa të përparojë ndjeshëm në procesin e konvergjencës ekonomike midis rajonit tonë dhe BE-së. Me rritjen e propozuar vendet e rajonit do të marrin gjashtë deri në tetë herë më pak fonde për zhvillim, krahasuar me fqinjët tanë anëtarë të BE-së.

Siç dihet, fondet janë të lidhura me standardet dhe zbatimin e rregullave të shtetit të së drejtës, ku vendet e rajonit çalojnë dhe vetë trajektorja e procesit të aderimit në BE nuk vërteton një raport të drejtë me ecurinë reformave. Nga ana tjetër, pak flitet dhe analizohet për transferimin e pasurive të konsiderueshme nga vendet e Europës Juglindore në Europën Perëndimore, pjesërisht për shkak të deficitit të madh tregtar, pagesave të kredive dhe furnzimit me kapital njerëzor. Thënë ndryshe, raporti i tanishëm politik dhe ekonomik mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, nuk po e bën këtë të fundit më të zhvilluar në aspektin ekonomik, dhe as më demokratik nga pikëpamja e jetësimit të vlerave dhe parimeve të demokracisë liberale.

Për t'i dhënë fund luftës, familja euro-atlantike duhet t'i tregojë Rusisë vendosmërinë për të ndërmarrë hapa të qartë për të përgatitur Ukrainën për një të ardhme paqësore. BE-ja duhet të ndërgjegjësohet për nevojën e një arkitekture të re të sigurisë europiane, e cila në kushtet e këtij agresioni të pashembullt nuk krijon mundësi që shtete të ndryshme të qëndrojnë në zonë të ndërmjetme, siç është rasti i Serbisë. Po kështu, premtimet për zgjerimin e BE-së duhen shoqëruar me hapa dhe një afat kohor konkret.

Vështruar nga ky kontekst, pyetja që lind natyrshëm është nëse konfliktet e mësipërme mund të kthehen nga pika të zeza në të ndritshme? Viti 2024 do të jetë një vit përcaktues pasi rreth pesëdhjetë shtete, apo gjysma e popullsisë së botës do të shkojë në zgjedhje, për të kulmuar me zgjedhjet në SHBA. Rezultati i të cilave do të ndikojë në fatin e jo vetëm amerikanëve që do të thonë fjalën e tyre përmes votës. Vladimir Putin nuk ka arsye të shqetësohet, pasi në muajin mars pritet të marrë mandatin e pestë. Në BE dhjetë vende kanë zgjedhje dhe sigurisht që shumëçka do të rrotullohet rreth zgjedhjeve të Parlamentit Europian. Edhe Mbretëria e Bashkuar shkon në zgjedhje. Një ndryshim politik atje mund të përshpejtojë shkrirjen e akullit midis Londrës dhe Brukselit. Demokracitë e mëdha aziatike, India dhe Indonezia do të zgjedhin udhëheqësit e tyre gjithashtu. Ekonomitë e tyre me rritje të shpejtë po fitojnë peshë globale në rritje.

Në një mënyrë a tjetër, mënyra e adresimit të dy konflikteve kryesore do të varet edhe nga rezultatet zgjedhore në pikat kyçe të botës. Pasi zgjedhjet do të përcaktojnë kursin strategjik për vitet e ardhshme, të cilat duket se do të jenë të stuhishme. Pikërisht për këtë arsye, kemi nevojë për ekuipazhin më të mirë të disponueshëm për udhëtimin përpara.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

BBC: Si u kthye Donald Trump nga humnera politike?

BBC: Si u kthye Donald Trump nga humnera politike?