TIRANE- Teksa është njohur me vendimin e Apelit për të qëndruar në masën e sigurisë “Arrest në burg”, piloti Giorgio Riformato i shoqëruar dhe nga dy efektivë të Policisë së Shtetit është nxjerrë nga ambientet e gjykatës, duke u futur në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për rreth 2 orë e 30 minuta Giorgio Riformato, i dyshuar për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim”, është pyetur në ambientet e prokurorisë nga një Oficer i Policisë Gjyqësore dhe njëri prej zv/drejtuesve të prokurorisë.

Mësohet se në minutat e para të pyetjes së Giorgio Riformato ka asistuar dhe avokati i tij mbrojtjës Ramazan Topuzi, i cili më pas është larguar. Megjithëse hetuesit kanë insistuar në provat dhe faktet e mbledhura që prej datës 10 maj, kur avioni u bllokua në Divjakë, sërisht Riformato ka mbajtur qëndrimin e tij të mëparshëm, duke theksuar se nuk ka lidhje me trafikun e drogës. Italiani në dëshminë e tij ka sqaruar se ishte turist dhe se avionin e ka ulur për shkak të një difekti në motor.

Alibinë e tij se nuk ka lidhje me drogën e kapur në Divjakë, e ka përforcuar akoma dhe më tepër duke shtuar se në avionin e tij nuk është kapur asnjë gramë drogë dhe se distanca e vendit ku u kap avioni dhe makina me lëndë narkotike është kilometrike.

Pyetja për rrobat
Gjatë intervistimit nga grupi hetimor, piloti Italian, Giorgio Riformato ka dhënë shpjegime dhe për disa rroba, që janë sekuestruar brenda avionit të tij dhe në valixhe. Për këto sende prokuroria ka ngritur dyshime të forta se nuk i përkasin pilotit, pasi nuk janë të masës trupore të fizikut të tij. Por, pavarësisht këtyre dyshimeve, sërisht Riformato ka shpjegur duke këmbëngulur se veshjet i përkisnin atij dhe askujt tjetër. Pas përfundimit të seancës së pyetjeve Riformato është shoqëruar nga grupi i policëve të sigurisë, duke u transportuar rreth orës 15:00 të ditës së djeshme në ambientet e burgut të 313 në kryeqytet.

“Jam turist”
“Kam ardhur për arsye turistike dhe jo për të bërë trafik droge me avion”. Kështu ka deklaruar para Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda piloti italian, i cili nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Pavarësisht pretendimeve të Riformatos dhe avokatit të tij Topuzi, gjykata e Apelit vendosi të lerë në qeli pilotin italian të akuzuar për “Trafik të narkotikëve” në bashkëpunim. Për ngjarjen e 10 majit 2014 në Divjakë ku u sekuestrua mbi 200 kg drogë, e cila ishte bërë gati për t’u trafikuar në Itali, Krimet e Rënda kanë arrestuar tre persona, dhe kanë shpallur katër të tjerë.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)