DJALI I CEKES REFUZON SHQIPERINE: S'DO GRUAJA
Egin Ceka, 37 vjeç, djali i ish-këshilltarit të Berishës Neritan Ceka, refuzoi tre javë më parë që të linte mandatin e të ngarkuarit në punë në Ambasadën e republikës së Shqipërisë në Austri. Në vend që të ndërpriste shërbimin diplomatik, për tu kthyer në atdhe, siç e parashikon ligji për shërbimin diplomatik në Republikën e Shqipërisë, pas emërimit të të atit ambasador i Shqipërisë në Itali, Ceka junior është transferuar në një përfaqësi tjetër diplomatike, po në Vjenë, në atë të UNOV.OSBE-së, duke ndërruar thjesht selinë nga rruga “Prinz Eugen”, ku shërbeu prej tetorit 2009, në atë “Reisner” në kryeqytetin austriak.
Burime nga Ministria e jashtme e Republikës së Shqipërisë thanë për Shqiptarja.com se refuzimi i z.Egin Ceka ishte motivuar me mospranimin e bashkëshortes së tij, Maide, një shqiptare nga ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, një besimtare muslimane, për të jetuar në Shqipëri. I pyetur nga “Shqiptarja.com” për moskthimin në Shqipëri, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme tha se emërimet në trupin diplomatik të Shqipërisë janë bërë nga ministrat paraardhës dhe administrata aktuale nuk mund të diktojë lëvizjet e diplomatëve.
Egin Ceka, diplomuar në Vjenë, fëmija i vetëm i ish-kryetarit të PAD-së, ish-deputet, ish-këshilltar i kryeministrit Berisha dhe tashmë i dekretuar nga presidenti Bujar Nishani për ambasador të Shqipërisë në Itali, u emërua në 22 tetor 2009 me një vendim të Këshillit të Ministrave si sekretar i parë i ambasadës së Shqipërisë në Vjenë. Prej disa vitesh ai është shumë aktiv në forume online, veçanërisht ato të besimit islam, ku jep qëndrimet e veta për rolin e Shqipërisë, figurave historike, por edhe për përplasjen mes besimeve fetare.
CEKA: PAPA BENDIKTI I XVI DENIGRON MYLSIMANET
Egin Ceka është shumë aktiv në forume, sidomos të besimit islam. Në blogun “Naim Berisha”, që mund të lexohet në adresën naimberisha.blogspot.com/2009/01/papa-fjalt-dhe-qllimi.html, Ceka sulmon hapur qëndrimin e Papës Benedikti XVI që dy ditë më parë njoftoi dorëheqjen. “Bismilahi Rrahmani Rrahim” e nis ai analizën e publikuar në 1 janar 2009, me titull “Papa, fjalët dhe qëllimi”, por që daton vitin 2006. Aty gjen paragrafë të tillë si:
“Fjalët gjykohen sipas qëllimeve. Por cili ishte qëllimi i fjalëve të Jozef Racingerit alias Benedikti XVI gjatë leksionit të mbajtur në universitetin e Regensburgut/Bavari më 12 tetor në vendlindjen e vetë kryebariut të kishës katolike? Cilido të ketë qenë qëllimi i tij, fjalët e tij i kanë rënduar shumë tashmë marrëdhëniet e katolicizmit me botën muslimane. Fjalët e tij mbi Islamin dhe Profetin e Islamit, Muhamedin, e kanë vështirësuar bashkjetesën në paqe dhe kanë thelluar mosbesimin ndërmjet të krishterëve dhe muslimanëve në Evropë dhe kudo në botë. Nga situata e krijuar prej fjalëve ofenduese të Racingerit, në Perëndim kanë përfituar sidomos ata tifozë të tezës së përplasjes së qytetërimeve, të cilët propagandojnë se muslimanët janë një trup i paintegrueshëm në Evropë...
…Racingeri bëri një gabim të rëndë politik dhe me të e vuri veten e tij në një pozitë të vështirë. Ai nuk është keqkuptuar nga besimtarët muslimanë, siç nuk lodhen së përsërituri zëdhënësit e tij. Në qendër të fjalëve të tij qendronte teza se Islami paska një marrëdhënie të veçantë me arsyen, ose më saktë me mosarsyen, dhe me dhunën. Deklarata e Racingerit ishte e qartë. Ai e sheh dhunën jo vetëm si pjesë përbërëse të historisë dhe fesë islame, por si thelbësore dhe qenësore dhe si vullnet të përjetshëm të Profetit Muhamed, i cili paska përhapur fenë e tij me shpatë në dorë...
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)