Djallëzia e publikimit të pjesshëm të përgjimeve!

Djallëzia e publikimit të pjesshëm të përgjimeve!

Çdo publikim i përgjimeve të ndodhive politike shqiptare në një vend si Gjermania duhet shoqëruar përherë me një interpretim kulturor, pasi përndryshe shkaktojnë një shkandull të panevojshëm e të pakuptimtë për shoqërinë gjermane e perëndimore. Nuk është e mundur për një qytetar gjerman të hyjë  brenda dinamikave kulturore e antropologjike krejt të veçanta të shoqërisë shqiptare! Është krejt e pakonceptueshme që një gjerman të dëgjojë dikë të thotë: “do të fitoj 10 me 0 që të kënaqet kryetarja e partisë”! Por ndër militantët e partive shqiptare është aq normale sa ç’është çdo bisedë e lirshme kafenesh!

Për marrëdhënien midis së vërtetës thelbësore dhe të vërtetave të pjesshme më vjen ndërmend një pasazh nga libri “Matinales” i shkrimtarit francez J. Sulivan:

“E vërteta është si një pasqyrë e madhe prej qelqi e rrëzuar dhe e ndarë në njëmijë pjesëza. Njerëzit sulen të gjithë mbi pjesëzat, përkulen, secili syresh merr nga një copëz dhe duke e ngritur lart si një armë thërrasin: ”Kam në dorë të vërtetën”. Do të duhej, përkundrazi, të mblidheshin me kujdes e durim të gjitha copëzat, të bashkoheshin ndërmjet tyre dhe më në fund e vërteta do të shkëlqente sërish”.

Po përse botohen këto copëza të vërtetash? Autori i shkrimit e tradhton veten që në krye të shkrimit mbi përgjimet! Në vend që të merret me argumentin e sidomos që të shpjegojë dinamikat kulturore, ai e fillon artikullin me:

 “A lejohet të hyjë në BE ky vend? Shqipëria e dëshiron, Brukseli nuk ka gjë kundër dhe Gjermania e mbështet në parim çeljen e negociatave të pranimit të  shtetin ballkanik, duke i dëshmuar atij përparim të madh në demokratizim.”

Kjo situatë i ka sjellë PS-së dhe Ramës përnjëmend mundësinë për t’u futur në histori për mirë në Shqipërinë e lodhur. Këto zgjedhje duhej të ishin trokllojra orëmirë e një shprese të re për çdo zelltar ndërtues që do të mirën e përbashkët. Por me sa duket po krijohen vija ndarëse mes të atyre që e duan dhe atyre që e përbaltin këtë vend!

Historia i analizon gjërat me madhështinë e ngadalësinë e saj dhe, pas kohës që asaj i duhet, do të krijojë premisa për një përimtim të ngjarjeve që po përjetojmë. Një politikë që harron përkujdesjen ndaj qytetarëve të vendit të vet do të jetë e harruar nga historia, kjo gjykatëse e pamëshirshme dhe e pakorruptuar.

Por kjo politikë rrënimtare është me fat të përcaktuar: nuk ka ta ardhme, sado e fuqishme t’i duket vetja në një periudhë të caktuar historike. Politika është përherë një projekt (projectum = i hedhur përpara) i lidhur me të ardhmen dhe me zhvillimin e qëndrueshëm, me atë që u lëmë si pajë fëmijëve tanë e pikërisht për këtë fakt përgjegjësia është e jashtëzakonshme. Një politikë që llogarit me pasion pjesëmarrjen e personave të dhunshëm në një protestë pa shikuar drejt së ardhmes nuk ka lidhje me historinë. Vetëm politikani zelltar e ndërtues do të mund të thotë: mbeta në histori, sepse tekembramja një zë i fortë dhe i brendshëm i ndërgjegjes më tha që të mos mbetem skllav lidhur prej gjalmave të dhunës, por munda të bëja diçka për të mirën e përbashkët.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur