TIRANË - Ministria e Bujqësisë ka nisur kontrollet dhe verifikimet e produkteve me origjinë shtazore. Në një komunikim për median, ministria bën të ditur se, “në kuadrin e punës intensive për të garantuar siguri ushqimore dhe standarde ushqimore, ka urdhëruar AKU-në që të marrë në treg mostra djathi, gjize dhe produktesh të tjera me origjinë shtazore për t’i analizuar në Institutin e Sigurisë Ushqimore e Veterinare pas shqetesimeve të ngritura nga konsumatorët”.
 
Ministria ka paralajmëruar operatorët dhe tregtarët e këtyre produkteve të shënojnë përbërjen e produktit (djathit, gjizës dhe produkteve të tjera me origjinë shtazore).
 
“Në rast se shitet djathë me niseshte dhe kjo del në analizat e ISUV, atëherë tregtari duhet ta shkruajë detyrimisht që ky djath është me niseshte. Një djath i tillë nuk është i dëmshëm për shëndetin dhe nuk është i ndaluar të tregtohet, jo vetëm këtu, por dhe ne BE e SHBA, por nuk duhet të gënjehet në asnjë rast konsumatori”, thuhet në deklaratën e bërë nga Ministria e Bujqësisë.
 
Sipas ministrisë kjo gjë duhet të reflektohet edhe në çmim, “ku psh një djath që në përbërje ka niseshte, do të ketë çmim detyrimisht më të ulët sesa çmimi i djathit i prodhuar 100 % me qumësht lope, dhie etj”.
 
Ministria e Bujqësisë do të tregohet e ashpër me prodhuesit apo tregtarët që genjëjnë konsumatorin. AKU është e ngarkuar për të zbatuar rigorozisht këtë urdhër të Ministrit Panariti, përfundon deklarata për median.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)