Zjarrfikësi hero Jonuz Murataj ka rrëfyer mes emicionesh momentet dramatike të ndërhyrjes për shpëtimin e një gruaje në pallatin e kompleksit ‘Arlis’ që u përfshi nga flakët dy ditë më parë. Në një intervistë për Report Tv Jonuzaj tregoi jo vetëm sfidën profesionale, por edhe përballjen njerëzore. Ai rrëfen për gazetarin Sokol Dema se një nga situatat më të vështira në këtë ngjarje ishte ajo e shpëtimit të një të moshuare që banonte në katin e pestë.

Jonuzaj thotë kur hyri në banesën e cila ishte e mbushur me tym banorja fillimisht kishte refuzuar të dilte nga aty duke u shprehur 'le të digjem në banesë. Pavarësisht rezistencës fillestare, zjarrfikësi shprehet se arriti ta bindë qytetaren për të dalë nga banesa përmes autoshkallës. Që banorja mos të dëmtohej nga copat e betonit që po binin nga sipër godinës Murataj i dha kaskën e vet.

Kanë kaluar dy ditë nga zjarri i madh që përshkroi atë pallat masiv, por mendoj se janë emocione që qëndrojnë gjatë në mendje. Si e gjetët situatën kur shkuat?

Jonuz Murataj: Ju përgëzoj si media që në çdo operacion na gjendeni pranë. Në momentin e mbërritjes e kam gjetur në një gjendje kaotike. I kam gjetur disa banorë jashtë dhe disa brenda. Ishte një ndërhyrje e vështirë. Kishim probleme me evakuimet. Duhet të vepronim me shpejtësi sepse kishte mosha të treta.

Si ishte momenti që e gjetët zonjën?

Jonuz Murataj: Problem kryesor ne kemi parkimet në rrugë që na sjell vështirësi për ndërhyrjen tonë. Zjarret e fasdave janë ndryshe nga një zjarr i një banese. Dëgjoj disa banorë që thonë se në katin e e pestë të një banese është nëna ime. Nuk dija si të veproja për momentin, më pas mora vendimin të shkoja vetëm, sepse çdo lëvizje e efektivëve mund të hapej zjarri më tej.

Me dy çuna vendosëm autoshkallën, hyra brenda në kuzhinën e zonjës e gjej në gjendje të keqe. I thashë do të lëvizim, kur pa lartësinë nuk zbriste, më tha le të digjem me banesën. I dhashë helmetën time dhe deri diku e binda. E ndihmova e kaluam me kujdes, e nxora jashtë rrezikut. Banesa ishte e tejmbushur me tym.

Keni patur ndonjë kontakt me zonjën?

Jonuz Murataj: Dje kemi pasur kontakt, i dhashë sendet personale -syzet dhe celularin. Më ka falënderuar pa masë.

Si e patë rrezikun?

Jonuz Murataj: Zjarrfikësit kanë si mision shpëtimin e jetës. Ekipi i zjarrfikëse janë çdo ditë në luftë me flakët. Një gabim i vogël mund të shkaktijë pasoja fatale. Pallati ka një baxha për tërheqjen tymit dhe ekipet tona fillimisht hapën baxhanë.

Keni patur një rast tjetër specifik gjatë punës suaj?

Jonuz Murataj: Në tërmetin e 2019 kam nxjerrë nga rrënojat një person. Me të flas edhe sot në telefon. Kam shpëtuar një jetë.

Çfarë ndjesie ka një zjarrfikës kur sheh që ia ka vlejtur puna?

Jonuz Murataj: Edhe sot që flasim ekipi ynë ndodhet në vend për shkak të hetimeve që po bëhen. Në momentin e parë fikëm flakët, pastaj e shohim ngjarjen me syrin njerëzor, për të ndihmuar të prekurit.

Xh.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Prill, 10:55

    A e keni siguruar banesën tuaj kundër zjarrit?