Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Vaçe Zela” në Tiranë janë bërë pjesë e programit “Toka në Shkollë”, duke punuar për krijimin e një hapësire të gjelbër brenda mjediseve të shkollës.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale disa foto nga puna e fëmijëve në kopshtin e ngritur në shkollë.

 “Mirëmëngjes dhe me ditën që nis bukur në shkollën “Vaçe Zela” në Tiranë, ku fëmijët mësojnë të mbrojnë tokën si pjesë e programit “Toka në Shkollë”, një nismë që i afron nxënësit me natyrën, u mëson përgjegjësinë ndaj mjedisit dhe vlerën e ushqimit të shëndetshëm, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Programi “Toka në Shkollë” është një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që po zbatohet në shkolla në mbarë vendin. Përmes këtij programi, nxënësit përfshihen në aktivitete praktike që lidhen me kultivimin e tokës dhe prodhimin bujqësor.

Nëpërmjet mikrofermave dhe miniserave të ngritura në mjediset e shkollave, programi synon t’i afrojë fëmijët me natyrën, të zhvillojë aftësitë praktike dhe të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe ushqyerjen e shëndetshme.