Dy javë më parë në Londër, Nelson Hysa siguroi fitoren e 19 në boksin profesionist. Mirëpo ky sukses nuk ishte thjesht një numër për kampionin shqiptar të peshave të rënda, pasi hedhja me nokaut e kampionit të Amerikës së Jugut mori shumë vëmendje.
“Më mirë se aq s’mund të shkonte. Edhe po ta mendoja si e doja, aq mirë nuk shkonte. Nuk e prisja sepse ishte një kundërshtar me nivel të lartë. Kampion i Argjentinës, i Amerikës së Jugut. Shumë i fortë pasi ka luftuar me boksierët më të mirë në botë,”-u shpreh Nelson Hysa, boksier.
Triumfi nën prozhektorët e Londrës bëri që Nelson Hysa të merrte vëmendjen e promotorit më të madh të boksit, Frank Warren, i cili e ka ftuar shqiptari të marrë pjesë në eventin e Riyadh Season, që do të mbahet në Manchester më 8 shkurt.
“Shumë emocionuese. Kur më kanë thënë se po të shikon Frank Ëarren edhe e kam besuar, por edhe se kam besuar (qesh). Kur më erdhi lajmi isha shumë i gëzuar. Jam i pari shqiptar që do të marrë pjesë në Riyadh Season dhe shpresoj që të jetë një fillim i mbarë për të gjithë supertalentet që ka Shqipëria në boks,”-tha ai.
Pjesëmarrje në eventin madhështor të boksit, Riyadh Season, pa diskutim që do ta vendosë Nelsonin përballë një kundërshtari të frikshëm, emri i të cilit do të zbulohet në ditët në vijim.
“Që ditën e parë që jam kthyer kam filluar stërvitjen për tu bërë gati për këtë kompeticion, sepse normalisht është më e madhja e botës. Kështu është Riadh Season. Të jem pjesë e saj dhe një nga ndeshjet kryesore për mua është privilegj. Tregon edhe se puna shpërblehet dhe faleminderit Zotit tregon se gjërat po shkojnë mirë,”-deklaroi boksieri Nelson Hysa.
Nelson Hysa në 19 ndeshje në boksin profesionist numëron 19 fitore, 17 prej të cilave kanë ardhur me nokaut. Ai është gjithashtu kampion Evrope në kategorinë WBO, ku mban edhe numrin 12 në botë.