TIRANE-Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur sot që ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk do i nënshtrohet Vettingut. Kolegji vendosi të ndërpresë procesin e rivlerësimit për ish Prokurorin e Përgjithshëm, ndërsa nuk ka të drejtë që emërohet në sistemimin e drejtësisë për 15 vite. 

Pesë gjyqtarët e kryesuar nga Sokol Çomo, relator Luan Daci, anëtarë Albana Shtylla, Artan Hajdari dhe ish kryeprokurorja Ina Rama me shumicë, vendosën; 5 kundra kërkesës së Komisionerit Publik dhe 5 pro kërkesës së Llallës duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit datë 16 shkurt 2018 për ndërprerjen e Vettingut.

Janë përmbushur elementët deklarativë të dorëheqjes nga detyra, pasi është zbatuar një prej rrugëve procedurale të legjislacionit në fuqi. Kolegji çmon se vendimmarrja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka qenë e drejtë dhe duhet konfirmuar. Kolegji i Posaçëm i Apelimit me shumicë votash vendosi: ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Adriatik Llallën. Ndalimin e emërimit të tij, gjyqtar, prokuror, inspektor apo anëtar të KLD-së për një periudhë prej 15 vitesh.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit


(Mbledhja e sotme e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit)


Kështu Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi kërkesën e Komisionerit Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi që ish-prokurori i Përgjithshëm të mos përjashtohej nga Vettingu, por t'i nënshtrohej atij njësoj si e gjithë trupa e sistemit të drejtësisë.

Kërkesa e Komisionerit Publik erdhi pas vendimit të KPK të cilët ndërprenë Vettingun e Llallës, pas dorëheqjes së këtij të fundit nga mundësia për të marrë një pozicion tjetër në sistemin e drejtësisë.

Llalla e dorëzoi dorëheqjen te Presidenti, por Florian Ballhysa deklaroi se megjithëse ka lënë detyrën në dhjetorin e vitit të kaluar, nuk është larguar si magjistrat dhe si i tillë ai duhet të kalojë në filtrat e verifikimit të pasurisë dhe figurës. Por sot Kolegji i Apelimit e ka rrëzuar kërkesën.

Vendimi i KPA-s për mosrihapjen e procesit të vettingut të ndërprerë me dorëheqje nga subjektet pritet të jetë i zbatueshëm edhe për rastet e tjera ku në total janë mbi 12 subjekte, përfshirë prokurorë e gjyqtarë të dorëhequr duke ndalur Vettingun. 

Në vitin e fundit të mandatit të tij, Llalla pati konflikt të hapur me ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu, duke e akuzuar këtë të fundit si person që kishte ndikuar tek ai për arrestimin e Ilir Metës dhe për mbylljen e një procedimi penal në Fier për një kompani nafte. Nga ana tjetër Lu e ka quajtur Llallën si person të korruptuar dhe që ka dashur të pengojë reformën në drejtësi.

Pas largimit të Llallës nga posti i kryeprokurorit, Departamenti i Shtetit ndaloi publikisht hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”.

Ndërkohë që Llalla po hetohet nga Krimet e Rënda për disa vepra penale; “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurise, interesave private të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për për deklarim”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale“ dhe “Shpërdorimit të detyrës”.